Izraeli hap tendera për projektin kundërthënës me 1.200 shtëpi në Bregun Perëndimor - NACIONALE

Izraeli hap tendera për projektin kundërthënës me 1.200 shtëpi në Bregun Perëndimor

2 orë më parë

nga NACIONALE

Izraeli ka hapur tendera për ndërtimin e rreth 1.200 shtëpive një pjesë me rëndësi strategjike të Bregut të pushtuar Perëndimor, përderisa qeveria izraelite po synon që t’i japë fund çfarëdo gjase për themelimin e një shteti palestinez.

Planet për të ndërtuar në zonën e ashtuquajtur E1 – në lindje të Jerusalemit – janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar për një kohë të gjatë, raporton televizioni BBC.

Zhvillimi i këtij plani praktikisht do ta ndante Bregun Perëndimor në dy pjesë dhe do ta izolonte Jerusalemin Lindor.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është disa ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, duke e bërë shumë më të vështirë për qeverinë e ardhshme që të zhbëjë ndonjë tender të dhënë.

Këto vendbanime janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime që u shërbejnë 700 mijë hebrenjve për banim që nga pushtimi i Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor gjatë luftës së vitit 1967. Rreth 3,3 milionë palestinezë jetojnë përreth tyre.

Pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, disa qeveri izraelite e kanë lejuar rritjen e këtyre vendbanimeve.

Megjithatë, zgjerimi i tyre është shtuar ndjeshëm që nga rikthimi në pushtet i kryeministrit Benjamin Netanyahu në fund të vitit 2022 si dhe pas fillimit të luftës në Gaza, e nxitur nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Lajme të ngjashme