Menaxherët ndërkombëtarë sytë kah talenti nga Vitia, Yll Zuka
Kreativiteti, pasimet e sakta, ndërprerjet e aksioneve dhe krijimi i rasteve të pastra për shënim, janë disa nga karakteristikat që ka Yll Zuka.
17-vjeçari nga Vitia është një nga lojtarët më të mirë të gjeneratës së tij, duke bërë kështu që menaxherë ndërkombëtarë të futbollit të shprehin interesim për të.
Yll Zuka hapat e parë në futboll i nisi në moshën nëntëvjeçare në shkollën e futbollit ‘Presingu’ në Viti, ku i kaloi gjashtë vite para se t’i bashkohej Gjilanit U15 në vitin 2020, ku pastaj qëndroi për një vit, për të rënë në sy të shkollës së futbollit Ferizaj, në të cilën tash e një vit vazhdon të paraqitet.
Në një intervistë për Gazetën Nacionale, Yll Zuka ka treguar për qëllimet dhe ambiciet që i ka si futbollist.
“Qëllimi im është që fillimisht të kontribuoj në klubin ku po rritem profesionalisht, pra ‘FC Ferizaj’ e pastaj të dal në tregun evropian. Normalisht ambicia e çdo futbollisti është që të tregojë aftësitë e tij dhe të depërtojë në Evropë, pasi që e dimë se çfarë vlere ka futbollit atje dhe nën çfarë disipline sportive zhvillohet”, tha Zuka.

Yll Zuka momentalisht luan për gjeneratën U17 të Ferizajt, dhe shumë shpejt pritet ta bëjë hapin e madh në karrierë, pra kalimin nga shkolla e futbollit në futbollin profesionist.
Trajneri i Yllit te Ferizaj U17, Fitim Shabani, tha për Nacionalen se Ylli ka shumë cilësi të mira dhe pret nga ai që një ditë të na përfaqësojë në Kombëtaren e Kosovës.
“Ylli është një djalë i cili ka përparuar shumë si futbollist në të gjitha aspektet e lojës. Ai luan si mesfushor, aftësitë e tij më topin e gjithashtu loja në mbrojtje dhe sulm e bënë atë që të dallohet në fushë. Në aspektin e fizikut, ai është vetëm duke u formësuar dhe besoj që shumë shpejt do të jetë gati për të bërë hapin e madh në futbollin profesionist dhe po ashtu që të na përfaqësojë në nivelin kombëtar”, tha Shabani.
Rashica, Rrahmani, Muriqi e Zhegrova: Rruga që duhet ndjekur
Kosova edhe pse vend i vogël, në shumë kohë të ndryshme ka arritur që të përgatisë futbollistë për tregun e jashtëm edhe pse kushtet më të nevojshme një kohë kanë munguar, ndërsa infrastruktura mungon ende dhe është problem shumë i madh për skuadrat vendore.
Kujtojmë se Milot Rashica, ylli i Kosovës doli pikërisht nga liga elitare e Kosovës, pastaj Amir Rrahmani që po bën karrierë në Napoli, Edon Zhegrova te Lille, Vedat Muriqi në Lazio e shumë të tjerë.
Por sa është pengesë tani për punën që bëjnë të rinjtë që të kenë sukses në arenën ndërkombëtare pastaj?
“Kur kam filluar nga mosha nëntëvjeçare, kushtet nuk kanë qenë fare të mira por kohët e fundit kemi vërejtur se kushtet po ndreqen dita ditës. Përkundër të gjitha këtyre sfidave që kam pasur gjatë kohë sa kam filluar me futbollin e deri tani, asnjëherë nuk më është zbehur ëndrra e madhe për të luajtur futboll”, thotë Yll Zuka.

Ëndrra e Yllit është që një ditë ta përfaqësojë vendin lindjes si futbollist, të cilën e cilëson si prioritet i parë.
“Përfaqësimi i vendit tim, ku jam lindur dhe rritur është prioritet i parë, ndërsa ëndrra ime për një karrierë në Evropë është që të luaj për një klub atje.”
Kjo pritet që të ndodhë shumë shpejt, pasi që Ylli është nën menaxhimin një agjenti shumë të njohur, siç është Altin Lala me kompaninë e tij Alf Sports, dhe ambasadori për Evropë i kësaj kompanie Lorik Aliu.
Në një prononcim për Gazetën Nacionale, Lorik Aliu për Yll Zukën, tha se nuk dëshiron të ngutet me parashikime.
“Po, Ylli është nën përcjellje. Nuk dua të jap parashikime, por të shohim këtë vit si po paraqitet. Çdo gjë shihet me kohën”, tha Aliu.
Puna e palodhshme shpaguhet në çdo kohë e në çdo rrethanë, pavarësisht kushteve të punës. Për këtë janë dëshmitarë emrat e përmendur më lartë që kanë dal nga Kosova.
Ylli është vetëm një nga shumë futbollistët e talentuar në Kosovë që mund t’i thyejnë barrierat dhe të shpërthejnë në futbollin evropian.

