"Besnik Bislimi kërkonte të falenderohej": A do të varfërohen edhe më zi qytetarët e Kosovës pas rritjes së rrymës?
Duket se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte pritur falenderime nga biznesmenët për subvencionimin e energjisë elektrike që ishte rritur vitin e kaluar. Tash, kur faturat u rritën sërish, bizneset nuk janë favorizuar sërish dhe... pritet rritje e sërishme e çmimeve.
Qytetarët mund të rëndohen edhe më shumë. Pas rritjes së faturave të energjisë elektrike pritet që të ketë rritje të çmimeve edhe të produkteve të tjera.
Tash në rritje të faturave të energjisë janë përfshirë edhe bizneset prej të cilavë mund të pritet që t’i shtrenjtojnë produketet e tyre.
Duke se deklarimi i Bislimit nuk do të merret parasysh as kësaj here.
“Vitin e kaluar kemi thënë “do ta mbrojmë komunitetin e biznesit nga rritja e energjisë”. Çka ka ndodh te komuniteti i biznesit? E para nuk është vlerësu fare kjo. Psh. Një javë ma vonë ka thanë “eh qeveria s’po bon kurrgjo për biznesin.” E kjo, subvencioni i energjisë. Kjo nuk është kurrgja...” - ishte shprehur zv. kryeministri Besnik Bislimi në një intervistë për Jeta Xharrën.
“Do të ndikojë në rritjen e çmimeve”
Edhe njohësit e fushës kanë paralajmëruar rritje të çmimeve të tjera për shkak të rritjes së rrymës.
Profesori i ekonomisë, Agron Hajdini, për Nacionalen ka thënë se rritja prej 15.4 për qind e rrymës do të ndikojë automatikisht në rritjen e çmimeve të tjera.
Ai ka bërë thirrje për reagim.
“Rritja e çmimit po arsyetohet nga ana e ZRRE-së se reduktimet nuk do të aplikohen që me këtë e godet anën psikologjike të konsumatorit qoftë ai konsumator shtepiak apo biznes duke e akceptuar si normale rritjen. Rritja e çmimit prej 15.4% në mënyrë automatike do të ndikojë në rritjen e çmimeve apo do të kete një alibi për rritje të çmimeve. Tani konsideroj që shoqëria civile duhet me qenë më e organizuar dhe mos me lejuar rritjen e çmimeve duke kërkuar uljen e TVSH-së apo vendosjen e çmimeve tavan për këtë periudhë 12 mujore sa do të jetë kjo ngritje në fuqi.” – ka thënë ai për Nacionalen.
Po ashtu edhe ish-zëvendësministri i Tregtisë në Qeverinë Kurti 1, Edison Jakurti, në një shkrim në Facebook, ka thënë se infalcioni edhe këtë vit pritet të jetë i lartë.
Ai ka theksuar se me rritjen e rrymës dhe me rritjen eventuale të çmimeve të tjera, ulët vlera reale e pagave.
“Shtrenjtimi i rrymës është garanca që norma e inflacionit edhe këtë vit do të jetë e lartë. Për ata që marrin paga nga sektori publik, kjo rritje e anulon rritjen e pagave. Për ata që marrin paga nga sektori privat, kjo rritje e ulë edhe më shumë vlerën reale të pagave të tyre duke e ulur kështu edhe më shumë fuqinë blerëse dhe mirëqenien. Për ata që nuk kanë punë e rrjedhimisht as paga…në dorë të Zotit dhe të diasporës.” – ka shkruar ai në Facebook.
Sondazhi
Ndërkaq, qytetarët janë shprehur të mllefosur dhe të shqetësuar.
Sipas sondazhit të organizuar në grupin e Nacionales në Viber, qytetarët janë shprehur se besojnë se rritja e çmimit të rrymës do të rritë edhe çmimet e produkteve të tjera.
Në pyetjen “rritja e rrymës: A besoni se do të rriten edhe çmimet tjera edhe më shumë?”, kanë votuar 543 qytetarë.
531 prej tyre apo 97 për qind kanë thënë se besojnë se mund të ketë rritje të çmimeve të tjera pas rritjes së çmimit të rrymës.

Ndërkaq, 12 persona apo vetëm 3 për qind nuk besojnë se mund të rriten çmimet e tjera pas shtrenjtimit të faturave të energjisë elektrike.
Gjithashtu, qytetarët në këtë sondazh edhe komentuan ku ndër të tjera akuzuan qeverinë dhe përmenden rastin e ambasadorit Martin Berishaj.
Kujtojmë se prej 1 prillit çdo konsum i energjisë faturohet me tarifat e reja të cilat janë miratuar nga ZRrE-ja dhe vlejnë deri në vitin e ardhshëm.
Rritja e rrymës u bë për 15.4 për qind.




