10.5% më shtrenjtë për produktet e konsumit: Pse s'mund të thuhet se ka rënie çmimesh në Kosovë?
Agjencia e Statisitkave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin shkurt. Në këtë raport u tha se ka rënie të çmimeve për -0.3 për qind. Por sa është reale kjo dhe a vërehet nga qytetarët.
Raporti i fundit i ASK-së për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, vuri në pah se çmimet kanë pësuar rënie për muajin shkurt.
Sipas IHÇK-së, çmimet ranë për -0.3 për qind në muajin shkurt 2023, krahasuar me muajin janar 2023.
Realisht, qytetarët nuk mund të vërejnë ndonjë rënie të çmimeve sepse çmimet në muajin janar 2023 u rritën për 12.1 për qind në krahasim me janarin e vitit 2022, ndërsa krahasim me muajin dhjetor, pra muajin paraprak u rritën për 0.9%.
Rënia e çmimeve mund të themi se nuk është reale pasi norma e inflacionit vazhdon të jetë e lartë pasi në muajin shkurt inflacioni është rritur për 10.5 për qind, që nënkupton se qytetarët do të paguajnë për produktet e konsumit 10.5 për qind më shumë sesa kanë paguar shkurtin e vitit 2022.
Ndërkohë, trendi i inflacionit duket të jetë në rritje për shkak që në dy muajt e parë të 2023, për të cilët kemi tashmë të dhëna, shihet qartë që inflacioni vjetor në janar kishte rritje 12.1 për qind dhe ai në shkurt 10.5 për qind.
Gjithashtu edhe ekonomisti, Imer Raçi, ka thënë se nuk vërehet rënie e çmimeve teksa sipas llogaritjeve të tij “çmimet në vitin 2023 në krahasim me 2021 u rritën për 32.66% ndërsa cmimet në vitin 2023 në raport me vitin 2022 u rritën për 8.01%.”
Ai ka thënë se për të përballuar këtë, Qeveria duhet të përcaktojë çmimet tavan.
“Nuk kemi më të bëjmë me përballje me krizën sepse ne jemi hy në krizë e problemi qendron si të dalim nga kriza me pak para në xhep e me çmime tejet të larta. Zgjidhja është përcaktimi i çmimeve tavan nga qeveria deri në normalizimin tregut sepse nuk kemi rritje çmimesh për shkak të kërkesës, por si shkak i trendit të rritjes së çmimeve. Nese do egzistonte kjo renje tek produktet bazike prej 0.3% nuk vërehet tek standardi i qytetarëve sepse nga një rritje 32.66 %, kjo rënie nuk e bën dallimin.” – ka thënë ai për Nacionale.
Çka thotë raporti i ASK-së?
Sipas ASK-së, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte (-0.3%) në muajin shkurt 2023.
Kjo rënie sipas AKS-së shpejgohet me rënien e çmimeve të “lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-6.8%); shërbimet për transport (-5.3%); karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-4.8%); blerja e automjeteve (-2.0%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.9 për qind) në IHÇK.”
Ndërsa, sipas ASK-së, ngritja e çmimeve vërehet të perimet, pemët, vezët, ku aktualisht një kilogram i specave kushton 4 euro e 99 centë.
“Ndërsa, ngritja e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: perime (8.4%); pemë (3.2%); kujdes personal (0.8%); qumësht, djathë dhe vezë (0.7%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.5%); bukë dhe drithëra (0.4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.6 për qind në IHÇK.” – thuhet në publikimin e tyre.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 10.5% në muajin shkurt 2023, krahasuar me muajin shkurt 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (27.7%); qumësht, djathë dhe vezë (26.1%); vajra dhe yndyra (22.4%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (20.9%); bukë dhe drithëra (20.7%); mish ( 17.9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (17.5%); energji elektrike (15.8%); prodhime ushqimore (15.7%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (15.7%); shërbime për transport (13.3%); pije alkoolike (10.9%); pemë (10.6%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (10.3%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (9.7%); perime (9.5%); shërbime hoteliere (9.5%); kujdes personal (9.4%); kafe, çaj dhe kakao (8.7%); mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (8.1%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (7.0%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (7.0%); gjëra personale (6.8%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (5.7%); duhan (5.4%); blerje e automjeteve (4.4%); pajisje shtëpiake (4.4%), veshje (4.3%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2.3%); shërbime ambulantore (1.8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 10.9 për qind në IHÇK.” – thuhet në raportin e IHÇK-së për muajin shkurt 2023.



