Cilat janë tri shqetësimet kryesore të kosovarëve, papunësia e para
Papunësia, varfëria, rritja e çmimeve për produktet themelore, janë tri nga dhjetërat shqetësimet që kanë qytetarët e Kosovës. Çka tjetër dhe si po vepron shteti me këto tri shqetësime, ju ftojmë ta lexoni artikullin në vazhdim. Kujdes, ky tekst nuk pritet që t’ju largojë shqetësimin tuaj!
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në një studim që e ka kryer, por të papublikuar në tërësi, ka pyetur qytetarët e Kosovës se cilat janë tri shqetësimet kryesore të tyre.
Dhe të dhënat janë të pritshme. Në pak të dhëna që ka publikuar faqja e UNDP në Facebook, tregohet se shqetësimet kryesore të të anketuarëve janë: papunësia, varfëria dhe çmimet e për furnizimet elementare.
29.9 për qind e të anketuarve janë shprehur se shqetësimi i tyre kryesor është papunësia.
21 për qind e tyre kanë thënë se varfëria është shqetësimi i tyre, ndërsa për 17.4 për qind janë çmimet për furnizimet thelbësore.
Më nga 4 për qind, problemet energjetike, shëndetësia dhe të tjera, ndërkaq, 2 për qind janë shprehur të shqetësuar për probelmet me hapësirë urbane, si trefiku, ndërtimet e të tjera.
“Papunësia (29.9%), varfëria (21%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (17.4%) perceptohen si 3 shqetësimet kryesore nga të anketuarit, tregojnë të dhënat e Përceptimit Publik 23.” – thuhet në njoftimin e UNDP-së në Facebook.
P A P U N Ë S I A
Një prej problemeve të kahmotshme të Kosovës është papunësia. Pavarësisht se kryeministri Kurti përmendte e përmendte 25 mijë vende pune gjatë vitit 2022. Por duket se qytetarët vazhdojnë të jenë të shqetësuar për mungesën e vendeve të punës.
Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore të ASK-së në vitin 2021, shkalla e papunësisë ishte 20.7%.
“Papunësia më e theksuar është te femrat me 25.0%, krahasuar me meshkujt, 19.0%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 38.0%.” – thuhet në të dhënat.
E rritja ekonomike, sipas profesorit dhe njohësit të tregjeve finaciare, Florin Aliu, nuk krijon vende të reja të punës.
Aliu për Nacionale ka shpjeguar pse nuk krijohen vendet e punës dhe si ndodhja rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar.
“Rritja ekonomike në Kosovë nuk e ulë papunësinë. Arsyet pse rritja ekonomike nuk e ulë papunësinë mund të jenë të ndryshme. Arsyet mund të jenë lidhur me informalitetin e ekonomisë mirëpo edhe që hyrjet në tregun punës janë më të larta se sa që rritja ekonomike gjeneron punësim. Problemi është që kjo qeveri krenohej për rritjen ekonomike të vitit të kaluar. Atëherë çfarë ndodhi pse nuk kemi rritje ekonomike të lartë edhe këtë vite? Pra rritja ekonomike e vitit te kaluar ishte aksidentale, ishte akumulime i bumit post pandemik dhe nuk kishte të bënte asgjë me politikat e qeverisë.” – ka thënë ai
V A R F Ë R I A
Po ashtu, edhe varëfira vazhdon të shqetësoj kosovarët.
Sipas të dhënave të fundit, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës, jetojnë në varfëri.
22.980 familje janë shfrytëzues të asistencës sociale në Kosovë.
Ndërsa, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Borxhi i ekonomive familjare, është rritur me ritëm të përshpejtuar. Gjithsej vlera e borxhit shënoi rritje prej 17.9 përqind nё vitin 2021 dhe arriti në 20.5 përqind të BPV-së. Përderisa borxhi i jashtëm i ekonomive familjare ka pjesëmarrje të ulët, ishte kryesisht borxhi i brendshëm ndaj sektorit bankar dhe ai ndaj sektorit mikrofinanciar që shënuan rritje prej 18.5 përqind, respektivisht 15.8 përqind.
Ndërkohë, në publikimin e revistës ndërkombëtare për ekonomi “Global Finance”, Kosova renditet si vendi më i varfër në rajon, duke e krahasur me shtetet e tjera të rajonit.
Kosova ishte renditur në vendin e 105-të në botë nga 192 shtete, me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori.
Ç M I M E T
Që nga fillimi i luftë së Rusisë në Ukrainë, çmimet janë rritur për çdo ditë. E në Kosovë çmimet shpeshherë kanë qenë më të lartat në rajon.
Mungesa e inspektorëve bëri që manipulimet me çmimet të mos ndalen.
Sipas të dhënave të fundit, norma mesatare vjetore e inflacionit për vitin 2022 është 11.6 për qind.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12.1 për qind në muajin dhjetor 2022, krahasuar me muajin dhjetor 2021.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për rregullonte çmimet e produkteve esenciale, mirëpo ky ligj nuk është në fuqi pasi është dërguar në Kushtetuese.



