Rinia me sy nga Evropa, por sa ishte papunësia në vitin 2021?
Pritjet para ambasadave tashmë janë të zakonshme. Një pjesë e madhe e rinisë po pret për viza pune në vendet e Evropës. Arsyen të gjithë e kanë të njëjtë: kushte më të mira e vende pune. Sidoqoftë, sa ishte papunësia në Kosovë vitin e kaluar?
Shkruan: Blendrita Avdiu
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e ka publikuar raportin me “Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e tretë të vitit 2021”.
Ky raport tregon se në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë ka qenë 17.7 për qind, raporton Nacionale.
Sipas të dhënave të këtij raporti, papunësia më e theksuar është vërejtur te vajzat dhe gratë, me 23.9 për qind, krahasuar me djemtë dhe burrat, që përbënin 15.3 për qind.
“Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 29.0%”, thuhet në raportin e ASK-së.
Rezultatet për këtë periudhë kohore po ashtu tregojnë se fuqia joaktive është mjaft e lartë, me 59.4 për qind. Fuqia joaktive është më e madhe te vajzat dhe gratë, me 77.5 për qind, në krahasim me djemtë dhe burrat, të cilët përbëjnë 41.1 për qind.
Po ashtu, raporti tregon se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, që i përfshin moshat 15 deri në 64-vjeçare. Shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore e këtij grupi të moshave gjatë periudhës së cekur ka qenë 40.6 për qind.

Sipas të njëjtit raport, shihet se shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e tretë të vitit të kaluar (TM3 2021) ishte 33.4 për qind. Punësimi më i lartë ishte te djemtë dhe burrat, me pjesëmarrje prej 49.9 për qind, ndërkohë përqindja te vajzat dhe gratë ishte më e ulët, me pjesëmarrje prej 17.1 për qind.
Çka punojnë burrat e çka gratë?
Siç saktësohet në raport, gjatë kësaj kohe, punësimi i vajzave dhe i grave u vërejt kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me një përqindje prej 51.8 për qind, ndërsa djemtë dhe burrat ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me pjesëmarrje prej 42.3 për qind.
Sektorët ekonomikë, siç thuhet në raport, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia, me 17.1 për qind; ndërtimtaria, me 12.1 për qind; arsimi, me 9.3 për qind, si dhe prodhimi, me 9.2 për qind.
Raporti po ashtu jep hollësi sa u përket të punësuarve me kontrata. Del se 42.8 për qind e personave të punësuar kishin kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë 57.2 për qind e punëtorëve ishin me kontratë të përkohshme.
Sipas të dhënave të këtij raporti, pagat neto të shumicës së punonjësve gjatë kësaj kohe ishin mes shifrave 400 deri në 500 € në muaj.
Raporti i Bankës Botërore
Ditë më parë, gazeta Nacionale ka raportuar edhe për një raport të Bankës Botërore, në të cilin thuhet se rritja ekonomike dhe lufta kundër varfërisë vazhdojnë të pengohen rëndë nga nivelet e ulëta të punësimit dhe pjesëmarrjes në tregun e punës, veçanërisht nga gratë.
Derisa punëdhënësit raportojnë për gjithnjë e më shumë vështirësi për plotësimin e vendeve të lira të punës, informaliteti dhe mospërputhjet e aftësive, që e kanë përcaktuar prej kohësh tregun e punës, janë ende të pranishme.
Rritja ekonomike dhe lufta kundër varfërisë vazhdojnë të pengohen rëndë nga nivelet e ulëta të punësimit dhe pjesëmarrjes në tregun e punës, veçanërisht nga gratë. Kështu ka konstatuar ky raport i Bankës Botërore.
Sipas të dhënave të këtij raporti, pjesëmarrja e ulët e fuqisë punëtore dhe punësimi, veçanërisht në mesin e grave, vazhdojnë të jenë një pengesë e madhe për rritjen dhe reduktimin e varfërisë.
“Në vitin 2022, rritja reale e PBB-së parashikohet të bjerë në 3.1% për shkak të rënies së investimeve dhe shpenzimeve private. Eksportet e mbajtën ekonominë relativisht në rritje. Mbështetja për të pakësuar efektet e rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve duhet t'u drejtohet më të cenuarve në situatën aktuale. Reformat strukturore të përshpejtuara në fushat e energjisë, arsimit, mbrojtjes sociale dhe kujdesit shëndetësor duhet të zbatohen gjatë viteve të ardhshme nëse duam të promovojmë një rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.” – thuhej në raport.
Rritja ekonomike dhe lufta kundër varfërisë vazhdojnë të pengohen rëndë nga nivelet e ulëta të punësimit dhe pjesëmarrjes në tregun e punës, veçanërisht nga gratë. Kështu konstatonte ky raport i Bankës Botërore.

