Hoti: Inflacioni 12%, masat askund, qytetarët bartin pasojat
Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar për gjendjen ekonomike të Kosovës që po vazhdon të jetë.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se aktualisht inflacioni në Kosovë është 12 për qind, ndërkohë që masa nuk ka askund e pasojat po i bartin qytetarët.
“Inflacioni mesatar në dhjetor 2022 arriti në 12%, por për disa mallra dhe shërbime elementare, ku shpenzohet shumica e buxhetit familjar, arriti në: 47% për shpenzime të transportit; 39% për lëndë djegëse; 31% për vajra dhe yndyra; 28% për qumësht; djathë e vezë; 21% për bukë e drithëra; 20% për mish; 18% për sheqer etj”, ka shkruar ai në Facebook.
Hoti tutje ka thënë se në vendet e tjera, për t’iu ulur barrën e qytetarëve praktikohet rritja e pagave, ulën ngarkesat tatimore si dhe i ndihmojnë qytetarët për përjashtim në përballimin e kostos së jetesës.
“Ndërkaq, në Kosovë masa substanciale nuk shihen askund, me përjashtim të shtesave në pensione dhe asistencë që janë të përkohshme. Tatimi në Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe akciza nuk u ulën, jo se nuk ishte e përballueshme për buxhetin, por për shkak se ishte propozuar opozita (nga LDK-ja). Si rezultat i inflacionit, shteti inkasoi shumë më tepër të hyra, të cilat nuk i shpenzoi dhe, si rezultat, ato u zhvlerësuan së paku për 12%”, ka thënë ndër të tjera Hoti.
Hoti ka thëënë se sikur të ulëshin ngarkesat tatimore dhe akciza në naftë, atëherë efektet do t’i ndienin të gjithë pa përjashtim. Sipas tij, nuk do të kishte pasur nevojë për këtë ligj diskriminues, ngaqë siç thotë ai, nuk do të ishin mbledhur mjete pa nevojë në buxhet, të cilat po zhvlerësohen.
“Por, pushtetarët u kujdesën për një pjesë të bizneseve – ato biznese që kanë kontrata me shtetin për investime kapitale. Kuvendi e miratoi ligjin diskriminues për punët publike, me të cilin bizneset mund të rrisin çmimin e kontratave me shtetin deri në 20% për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve”, përfundon statusi i tij.