"Populli në gjumë": Tronditje nga paralajmërimi për shtrenjtimin e faturave të rrymës për 14 për qind - NACIONALE

"Populli në gjumë": Tronditje nga paralajmërimi për shtrenjtimin e faturave të rrymës për 14 për qind

3 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Ballafaqimi i qytetarëve me rritjen e çmimeve nuk ka të ndalur. Për 14 për qind pritet që qytetarëve t’i rriten fatuarat e energjisë elektrike. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) pritet që shumë shpejt të marrë vendim për rritjen e çmimit. Në anën tjetër, qytetarët e vendit po e kundërshtojnë rritjen.

Më 1 prill do të hyjë në fuqi vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 14 për qind, nëse mbetet kjo për qindje.

Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, i cili ka thënë propozimi ende nuk është final.

Tarifat e reja do të hynë në fuqi më 1 prill 2023 dhe do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2024. Sipas raportit konsultativ që ende nuk është final, propozimi nga stafi i ZRRE-së është që rritja e nevojshme për reflektimin e kostos së sistemit të jetë rreth 14 për qind.” – ka thënë ai.

Më tej, Fejzullahu ka theksuar se kërkesa e KEDS-it ishte që fatura të shtrenjtohet për 55 për qind.

Konvertuar në euro, sipas Fejzullahut, shtrenjtimi i faturave për 14 për qind, i bie që të shtohen 50 milionë euro më shumë në raport me tarifat aktuale.

Kërkesa për shtrenjtim të energjisë elektrike u bë gjatë muajit të kaluar nga Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS).

KEDS ka arsyetuar kërkesën për rritje të faturave duke u bazuar në rritjen e çmimit të lartë të energjisë së importuar dhe mungesë së prodhimit nga KEK-u.

Ankesat e qytetarëve

Qytetarët e Kosovës ka thënë se një shtrenjtim i çmimit prej 14 për qind do t’i rëndonte edhe më shumë xhepat e tyre tashmë të rënduar nga kriza ekonomike dhe rritja e çmimeve të tjera.

Në grupin e Nacionales në Viber, qytetarët sot u pyetën se a e konsiderojnë të përballueshëm shtrenjtimin e faturave.

Deri më tani në anketën e hapur kanë votuar mbi 300 persona.

300 nga ta apo 92 për qind kanë thënë se shtrenjtimi i çmimit të energjisë do të ishte i papërballueshëm për ta teksa për 24 persona apo 7 për qind nuk do të ishte fare problem nëse shtrenjtohet energjia elektrike.

Ndërsa në disa komenet që janë bërë në po këtë anketë, qytetarët kanë shprehur pakënaqësi duke thënë se shtrenjtimi i faturave është veprim i tmerrshëm.

Populli në gjumë”, “e tmerrshme kjo çka po ndodhë” dhe “për Kosovë është shumë” – janë disa nga komentete.

Sa do të kushtojë fatura me rritje 14%?

Për të parë sa do të rritet fatura e energjisë elektrike, Nacionale në një shkrim të para disa ditëve ka bërë një krahasim mes tarifave aktuale dhe me 14 për qind rritje nëse miratohet.

Aktualisht në Kosovë, deri në 800 kW, tarifa e shtrenjtë është 6,75 cent dhe tarifa e ulët është 2,89 cent për kilovat. Nëse kaloni 800 kW, tarifa e shtrenjtë ndryshon në 12,52 cent dhe tarifa e ulët ndryshon në 5,90 cent për kilovat.

Ndërkaq, nëse shpenzoni më shumë se 1000 kW në muaj, ju do të paguani 19,44 euro + 8,32 euro për 800 kW të para dhe 12,52 euro + 5,90 euro për 200 kW të fundit mbi 800 kW, që përbën një total prej 46,18 euro.

Tani me traifat me rritje për 14 për qind, atëherë tarifa e shtrenjtë do të jetë 7,69 cent për kilovat deri në 800 kW dhe 14,27 cent për kilovat mbi 800 kW. Tarifa e ulët do të jetë 3,29 cent për kilovat deri në 800 kW dhe 6,72 cent për kilovat mbi 800 kW.

Në këtë rast, një konsum prej 1000 kW në muaj do të kushtojë 22,14 euro + 9,47 euro për 800 kW të para dhe 14,27 euro + 6,72 euro për 200 kW të kaluara mbi 800 kW, që përbën një total prej 52,60 euro.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike deri më tani me vlerë prej 60 milionë eurove nga 90 milionë që ishin ndarë nga qeveria.

Lajme të ngjashme