Tmerruese: Sa do t'i vinte fatura e rrymës tash një qytetari që i erdhi 69 euro e 71 centë para pak ditëve?
Për 10 euro e 56 centë pritet që t’i rritet fatura E. D.-së nëse do të harxhonte saktësisht sa ka harxhuar muajin e kaluar. Krejt kjo pas miratimit të tarifave të reja të miratuara sot nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Ne e bëmë një llogaritje në bazë të të dhënave nga fatura që i erdhi në muajin mars 2023. ZRrE na tmerroi me vendimin për rritjen e çmimit të rrymës për 15.4 për qind për të gjitha kategoritë. Ata prezantimin e bënë nën supozimin se qytetarët do të harxhonin 60 për qind të energjisë elektrike (A1) ditën dhe 40 për qind natën (A2).
Sa i përket faturave për qytetarët që shpenzojnë poshtë KWh çmimi i kaluar ishte 6.75 centë në tarifën e ditës (A1). Ndërkohë, çmimi për natën ishte 2.80 centë. Tash, çmimet do të bëhen 7.78 centë për të parën dhe 3.33 centë për të dytën.
Ndërsa në bllokun mbi 800 për ditën ishte 12.52 centë dhe do të bëhet 14.44 centë ndërsa për natën ishte 5.9 centë do të bëhet 6.80 centë.
Sa është rritur fatura?
Nëse kjo faturë ka shpenzuar gjatë ditës në bllokun poshtë 800 KWh, 657.65 kW nga 38 euro sa ka paguar do t’i bie të paguajë 44 euro, ndërsa për natën do t’i bie të paguaj 7 euro 43 centë nga 6 euro e 45 centë që kishte paguar pa rritjen prej 15 për qind.
Ndërkaq për bllokun tarifor mbi 800 KWh rritja është kjo:
Nëse E.D gjatë ditës ka shpenzuar 164.35 KWh, kjo shtëpi ka paguar 20.58 centë por me rritjen duhet të paguaj 23.66 centë.
Ndërkaq, gjatë natës, nëse ka shpenzuar 63.65 KWh ka paguar 3.36 tani me tarifat e reja do të paguaj 4 euro e 32 centë.
Totali i faturës pa rritje është 69,71 euro pa TVSH dhe tarifë fikse ndërsa me tarifat e reja do të paguaj 80.27 euro, pra 10.56 euro më shumë.
Ndryshe, Bordi i ZRrE-së ka miratuar sot tarifat e reja të energjisë.
Për konsumatorët deri 300 KWh rritja mujore nën supozimin se konsumi do të jetë 60 me 40, do të ketë rritje prej 2 e 88 centë. Për konsumatorët deri 450 KWh prej 4 e 18 centë. Për konsumatorët deri në 600 KWh rritja do të jetë 5 euro, deri në 800 KWh, që janë 80 për qind e konsumatorëve që i takojnë këtij brezi, rritja do të jetë 7 e 23 centë. Për ata që harxhojnë 1000 KWh, rritja do të jetë 10.51 euro. Për ata që harxhojnë 1200 KWh, rritja do të jetë 13.80 euro.
Në fund ky propozim u miratua me tri vota, asnjë kundër dhe asnjë abstenim
Kryetari i bordit, Ymer Fejzullahu, ka thënë se kjo po bëhet në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pasi nëse nuk bëhet furnizimi, kostot do të jenë edhe më të larta.
Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi nga 1 prilli dhe do të jenë të vlefshme deri më vitin 2024.