Vetë i shtati për "ndoshta" një takim sot me Vuçiqin në Paris - NACIONALE

Vetë i shtati për "ndoshta" një takim sot me Vuçiqin në Paris

2 muaj më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Forumi i Paqes, që mbahet të enjten në Paris, "ndoshta" mund ta bëjë bashkë për një takim, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën udhëheqjen e presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Pjesëmarrjen në këtë forum e ka konfirmuar edhe vetë kryeministri Kurti, i cili ka thënë se në Paris "ndoshta" mund të ketë edhe një takim me presidentin Vuçiq.

Kurti ka thënë se me vete e ka marrë ekipin prej gjashtë anëtarësh nga Zyra e Kryeministrit dhe tema diskutimi në takimin e mundshëm Kurti - Vuçiq pritet të jenë situata e krijuar në veri të vendit si dhe propozimi franko-gjerman.

Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes, do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë, i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete da të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria”- ka thënë Kurti në një video të publikuar në “Facebook” të mërkurën mbrëma.

Gjithashtu, Kurti bërë të ditur se në tavolinë janë dy propozime.

Ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman, që e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”- ka thënë Kurti.

Në Paris, përveç Kurti, pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Kështu ka njoftuar Zyra e Presidentes. Në njoftimin e saj thuhet se presidentja Osmani në Paris do të shkojë bashkë me zotërinë e parë, Prindon Sadriu.

Vjosa ka paralajmëruar takime dypalëshe me udhëheqës të tjerë.

Përgjatë këtij forumi, ku presidentja Osmani është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, z. Prindon Sadriu, ajo do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti Macron dhe Zonja e Parë e Francës për liderët botërorë, e poashtu do t’i drejtohet panelit të diskutimit mbi bashkëpunimin në kohë kritike për kontinentin tonë bashkë me presidenten e Hungarisë, Katlin Novák, si dhe Jean-Marie Guéhenno. Krahas aktiviteteve të forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë tjerë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave aktuale të paqes dhe sigurisë”- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Çka tha Kurti për planin franko-gjerman?

Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova nuk e ka refuzuar planin, ndonëse nuk ka dhënë hollësi të tjera për këtë propozim, por vetëm ka thënë se Serbia e ka refuzuar planin dhe se situata në veri është si pjesë e këtij refuzimi.

Kurti për planin franko-gjerman ka thënë se është bazë e mirë dhe se ai nuk e ka refuzuar.

Pra ata (këshilltarët e lartë të presidentit Macron dhe kancelarit gjerman Scholz) kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, por janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mia, por unë nuk e kam kundërshtuar atë propozimin”- ka thënë ai.

Për planin franko-gjerman ka folur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili shpalosi më shumë hollësi për këtë propozim.

Konjufca ka thënë se është një plan i mirë për t’i zgjidhur marrëdhëniet Kosovë - Serbi.

Të gjitha ato rezervat që i kemi, paraprihen prej fjalisë me të cilën fillon që ky është një plan, në bazë, është një plan i mirë për t’i zgjidhur deri në njohjen e plotë në relacionin në mes të Kosovës dhe Serbisë”- ka thënë Konjufca në emisionin "Rubikon".

Kritikat për Kurtin

Në anën tjetër, Kurti po ballafaqohet me kritika nga partitë opozitare në vend. PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja po e kritikojnë Kurti për dëmtim të marrëdhënieve me Amerikën.

Në takimin e fundit me Kurtin, opozita u shpreh e zhgënjyer duke thënë se Qeveria Kurti nuk ka plan konkret për daljen nga situata e krijuar në veri.

Përveç opozitës, Kurtit tash e sa kohë i është kërkuar shtyrja e vendimit për targat edhe nga Bashkim Evropian e Shtetet e Bashkuara.

Lajme të ngjashme