‘Ndoshta’: Lajmërohet Kurti, lë vend për një takim me Vuçiqin për nesër - NACIONALE

‘Ndoshta’: Lajmërohet Kurti, lë vend për një takim me Vuçiqin për nesër

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar takim trilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Paris, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqës.

Kryeministri në një postim të publikuar pak më parë në Facebook, ka thënë se atje do të marrë pjesë edhe presidenti Vuçiq, duke shtuar se “ndoshta” do të takohen.

“Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria”, ka thënë ai.

Kurti mes tjerash, ka thënë se i kanë dy propozime në tavolinë, kornizën e përgjithshme të prezantuar nga ai më 18 gusht të vitit 2022, si dhe propozimin franko-gjerman.

“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë”, ka thënë kryeministri.

Propozimi franko-gjerman

Gjatë kësaj jave, në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk e ka refuzuar planin franko-gjerman.

“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur meqenëse konceptet që aty përdoren janë vlera. Për dallim nga herët e kaluara, konceptet janë të duhura. Domethënë, tash nuk jemi te ajo. Tash jemi te vlerat. Dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur”, ka thënë ai.

Kurti veç kësaj, kishte deklaruar se ka pasur edhe vërejtje rreth këtij plani, por se të njëjtat nuk i ka refuzuar.

Ndërkaq, kryeparlamentari Glauk Konjufca, të martën në Rubikon deklaroi se plani ka bazë të mirë në zgjidhjen e çështjes deri në njohje të plotë.

“Po tashmë i kemi dërguar mendimet, Qeveria dhe kryeministri Kurti i ka dërguar mendimet rreth këtij plani. Të gjitha ato rezervat që i kemi, e kanë fjalinë e parë, paraprihet prej fjalisë me të cilën fillon, kjo e cila është që ky është një plan bazë, një plan i mirë për me i zgjidhë deri në njohjen e plotë, relacionet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Mes tjerash, Konjufca e ka treguar edhe një pjesë të këtij plani, ku thotë se shkruan që relacionet mes dy vendeve do të organizohen sipas një artikulli të Kombeve të Bashkuara, që është e drejta e barabartë mes shteteve, si dhe e drejta e vetëvendosjes së palëve.

“Tash edhe kryeministri e tha, për bazën. Aty bile është neni 2, është thelbi i kësaj marrëveshje, aty ku flitet për sovranitetit...Relacionet mes Kosovës dhe Serbisë do të organizohen sipas një artikulli 2, të kapitullit 2, të Kombeve të Bashkuara, që është e drejta e barabartë e shteteve, shkruan aty, sovraniteti dhe respektimi i sovranitetit reciprok si dhe e drejta e vetëvendosjes së palëve, të të dy palëve, me ia respektu të drejtën e vetëvendosjes”, tha ai.

Franca u pyet për propozimin, por s’dha përgjigje

“Cili është qëndrimi i Francës për gjendjen aktuale të procesit? Gjermania po i bën presion të veçantë Serbisë. A do të bëjë të njëjtën gjë edhe Franca? Cilat janë pikat kyçe të propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e ngërçit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës?”, këto ishin disa prej pyetjeve që iu drejtuan së fundi diplomacisë franceze.

“Ofrojmë mbështetje të palëkundur”, ky ishte theksi i përgjigjes së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Frances.

Në një përgjigje të publikuar javën e kaluar në faqen zyrtare së fundi, ku janë pyetur për pikat kryesore të këtij plani, pala franceze nuk ka pranuar ta japë shumë detaje.

“Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Catherine Colonna ka marrë pjesë në Samitin e djeshëm të Procesit të Berlinit, i cili riafirmoi anëtarësimin e gjashtë vendeve ballkanike në familjen evropiane në një kohë kur Rusia – përmes sulmit të saj ndaj Ukrainës – po shkel parimet themelore të Kartës së OKB-së, duke vënë në pikëpyetje arkitekturën tonë të sigurisë kolektive dhe duke rikthyer luftën në kontinentin tonë. Në këtë takim, ministrja përsëriti angazhimin shumë të fortë të Francës – veçanërisht gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së në gjysmën e parë të këtij viti – për të forcuar perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin e ardhshëm evropian duke ofruar mbështetje të palëkundur për përpjekjet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, është thënë nga MPJ-ja franceze.

Franca deklaronte se është shumë e përfshirë në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Franca do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e ndërmjetësimit evropian që synojnë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne mbetemi shumë të përfshirë në këtë çështje, e cila është një çështje e sigurisë evropiane”, thuhej tutje në këtë përgjigje.

Lajme të ngjashme