Konfirmohet nga Scholzi dhe Von der Leyeni: Ekziston propozimi për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë - NACIONALE

Konfirmohet nga Scholzi dhe Von der Leyeni: Ekziston propozimi për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kancelari federal i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka konfirmuar në konferencën për medie pas përmbylljes së samitit të Procesit të Berlinit se ekziston një plan i propozuar nga Gjermania për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Çka tha Scholzi?

“Padyshim që duhet të ndodhë një lloj pajtimi mes Kosovës e Serbisë. E vërtetë, kemi propozuar diçka, por duhet durim dhe shpresojmë se do ta shohim së shpejti rezultatin për këtë çështje” – tha kancelari i Gjermanisë.

"Është e vërtetë, konfliktet dypalëshe, që pa dyshim ekzistojnë mes vendeve të Ballkanit, duhet të zgjidhen, duhet të tejkalohen. Është një gjë e mirë, nëse mund ta bëjmë këtë. Kemi bërë progres të konsiderueshëm për Maqedoninë e Veriut e Bullgarinë, është folur për takim të sukesshëm, proceset kanë nisur me Shqipërinë e Maqedoninë. Sa u takon Serbisë dhe Kosovës, edhe për to vlen e njëjta gjë, duhet të arrihet një marrëveshje" - vazhdoi ai.

“Ne dhe qeveria franceze, Komisioni Evropian, po bëjmë të pamundurën që të realizojmë një gjë të tillë. Jemi përfshirë në mënyrë shumë aktive në bisedime me të dyja palët. Shpresojmë që shumë shpejt do të vijmë në një proces ku të dyja qeveritë do të ecin përpara dhe ku të arrihet një mirëkuptim”- tha më tej Scholz-i.

Çka tha Von der Leyen-i?

Ndërkohë edhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, e ka konfirmuar propozimin franko-gjerman.

Ajo tha se propozimi është përfshirë në angazhimet evropiane për të arritur marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kujtojmë se Qeveria Federale e Gjermanisë i kishte thënë Nacionales se duhej më shumë vendosmëri e shpejtësi për marrëveshjen, qëndrime të përsëritura edhe nga z. Scholz gjatë ditës së sotme.

“Është në bindjen tonë të fuqishme që çështjet politike sa i përket rrugës drejt normalizimit të plotë duhen bërë në një formë më të vendosur dhe më të shpejtë në mënyrë që të mos ketë përshkallëzim në terren” - kishte thënë një zëdhënëse e Qeverisë Gjermane para disa javësh.

Çka tha Rama?

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte në konferencën për shtyp, së bashku me kancelarin Scholz dhe presidenten e KE-së, Von der Leyen. Ai po ashtu foli në lidhje me planin e ri franko-gjerman.

“Plani i ri franko-gjerman, që u është ofruar Kosovës e Serbisë, është mundësi e shkëlqyer jo vetëm për Serbinë e Kosovën, por edhe rajonin e Evropën. Shpresoj që të dyja palët ta marrin seriozisht dhe të dyja palët të kuptojnë se ka ardhur koha që ta shohin si kontribut të rëndësishëm në tërë ariktetkturën evropiane të sigurisë"- u shpreh z. Rama.

Çka tha Kurti?

Kurti një nga adresimet kryesore e pati për planin franko-gjerman dhe marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës deklaroi se është ende herët të diskutohet për detajet e marrëveshjes finale, por tha se janë në rrugën e duhur,

“Së pari, jemi në rrugën e duhur për ta diskutuar kornizëm e marrëveshjes. Deri më tash është diskutuar për hapa të vegjël, momenti i ndryshimit ka qenë në Bruksel më 18 gusht. Aty për herë të parë temat aktuale kanë qenë pikë e dytë e rendit të ditës. Pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e dialogut. Si temë këtu vijnë propozimet dhe idetë, dhe të gjitha këto propozime që bazohen në vlera evropiane. Shpreh mirëkuptimin tim dhe angazhimin tim konkret, por kjo tregon që jemi në shtegun e duhur dhe e kemi bazën e mirë, mirëpo ka shumë punë që të flitet për ndonjë farë përmbajtjeje përfundimtare. Është ende herët”- tha ai, transmeton gazeta Nacionale.

Kurti tha se nuk mund të japin detaje, pasi aludoi se ka qenë kërkesë e ndërmjetësuesve që të ruhet konfidencialiteti (fshehtësia).

“Së pari, opsionet, modelet, idetë të cilat po prezantohen kohëve të fundit, pa dyshim janë avancim, meqënse bëhet fjalë për nocione universale, siç janë integriteti territorial, pavarësia dhe barazia. Kjo është shumë e mirë për marrëveshjen e ardhshme mes Kosovës e Serbisë, që për bindjen tonë duhet të jetë finale, ligjërisht e obligueshme dhe patjetër ta ketë njohjen reciproke. Është herët të themi se çka do të përmbajë ajo në fund, por ka lëvizje të duhur nga të ashtuquajtura marrëveshje për zgjidhjen e problemeve të posaçme, që shndërrohen në solucione sui genersis, me hollësi të panumërta, te një marrëveshje e cila është e bazuar në vlerat evropiane”- deklaroi më tutje kryeministri i Kosovës.

“Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë asnjë marrëveshje që i cenon integritetin territorial, pavarësinë, kushtetutshmërinë dhe zbatimin e ligjit. Dua të theksoj që sa herë që të na thërret Brukseli, Prishtina, Kosova, qeveria jonë është e gatshme, duam dialog parimor, simetrik, të bazuar në vlera evropiane”- tha ai.

LAJMI NË PËRDITËSIM...

Lajme të ngjashme