MINT pritet ta paguajë gati 75 mijë euro ekspertin gjerman, 25 mijë ekspertin vendor për "strategji investimi" - NACIONALE

MINT pritet ta paguajë gati 75 mijë euro ekspertin gjerman, 25 mijë ekspertin vendor për "strategji investimi"

2 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Gjermanin Christian Timm është angazhuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime. Gjermani Timm në cilësinë e ekspertit të jashtëm pritet që për 85 ditë të përfitojë 74 mijë e 900 euro. Kontrata e për angazhimin e ekspertëve kap vlerën e 100 mijë eurove.

Ministria që udhëheqet nga ministrja, Rozeta Hajdari, ka hapur tender për angazhimin e një eksperti ndërkombëtar dhe një eksperti vendor për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime.

Angazhimi i një ekspertit ndërkombëtar dhe një ekspertit vendor për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime (Politika Kombëtare për Investime) dhe Planit të Veprimit me Kostim” – mban titullin tenderi.

Vlera e parashikuar e kontratës është 100 mijë euro.

Tashmë, kontrata me ekspertin e huaj është nënshkruar dhe këtë kontratë e ka fituar një ekspert nga Gjermania me emrin Christian Timm.

Ai pritet që për 85 ditë punë, të përfitojë 74 mijë e 900 euro, apo në ditë do të paguhet rreth 900 euro.

Ndërsa kontrata me ekspertin vendor akoma nuk është nënshkruar.

“Diskriminimi” i ekspertëve

Mirëpo, ajo që bie në sy e që është publikuar në Dosjen e Tenderit, është vlera e pagesë që është përcaktuar për ekspertin e jashtëm dhe ekspertin vendor.

Sipas Dosjes së Tenderit që e ka parë Nacionale, vlera e parashikuar e kontratës për Lotin 1 apo për angazhimin e ekspertit ndërkombëtar ishte 75 mijë euro.

Ndërkaq, vlera e parashikuar për ekspertin vendor është 25 mijë euro.

Gjithashtu, eksperti gjerman që tash është caktuar do të punojë më pak se eksperti vendor që pritet të caktohet.

Sipas Dosjes së Tenderit, eksperti vendor do të punojë 85 ditë, ndërsa eksperti vendor 100 ditë pune.

Për të dy ekspertët kërkohet e njëjta arritje akademike, profesionale si dhe përvoja e punës.

Ekspertët e angazhuar do të përkrahin Departamentin e Investimeve në kuadër të MINT-it në të gjitha fazat, deri në finazlimin e Strategjisë Kombëtare për Investime 2030 (Politika e Investimeve)

Çka parasheh Strategjia Kombëtare për Investime?

Në Strategjinë Kombëtare për Investime ku do të angazhohet eksperti gjerman, parashihet mundësia për tërheqjen e investimeve të huaja dhe atyre vendore.

Qëllimi i angazhimit të ekspertëve është hartimi i një strategjie moderne për investime.

Qëllimi i këtij angazhimi është hartimi i një Strategjie moderne për Investime, duke përfshirë Planin e Veprimit tre vjeçar, si dhe planin e monitorimit dhe vlerësimit, që do të hartohet në një proces të bazuar në të dhëna të marra nga hulumtime kuantitative dhe kualitative, të dhënave sekondare, studimeve/praktikave/trendeve/zhvillimeve ndërkombëtare, si dhe me përfshirje të pjesëmarrësve relevant. Kjo strategji do të jetë e ndërlidhur me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030 (SKZH), Strategjinë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, Ligjin për investime, si dhe me dokumentet tjera relevante që ndërlidhen me investimet e huaja apo vendore duke përfshirë këtu edhe investimet strategjike.” – thuhet në “Qëllimet e angazhimit/detyrës.

Ndërkohë, duhet të kujtojmë se Qeveria Kurti në vazhdimësi është kritikuar për mungesë të investimeve të huaja në vend.

Lajme të ngjashme