"Spastrimet" në LVV: deputeti Korenica shkarkohet nga dega, shkak projekt-kodi civil - NACIONALE

"Spastrimet" në LVV: deputeti Korenica shkarkohet nga dega, shkak projekt-kodi civil

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Shkarkimet në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë të ndalur. Projekt-kodit civil, që u shfrytëzua si pretekst për “spastrime” në zgjedhjet e brendshme të LV-së, ia ka parë sherrin edhe deputeti i kësaj partie, Visar Korenica. Në mbledhjen e djeshme, Korenica është shkarkuar nga pozita e koordinatorit të Qendrës së LVV-së në Rahovec.

Një vendim të tillë, e ka konfirmuar vetë z.Korenica për gazetën Nacionale. Deputeti Korenica e pohoi se ai është shkarkuar nga pozita e koordinatorit për shkak të qëndrimit të tij kundër bashkëjetesës së seksit të njëjtë.

Po, është e vërtetë. Jam shkarkuar për shkak të qëndrimit tim për projekt-kodin civil.”, ishte përgjigja e shkurtër e Korenicës për Nacionalen.

Fati i shkarkimit iu shkrua z.Korenicës në një mbledhje të mbajtur dje në Rahovec. Një përfaqësues, politikisht i fuqishëm në LVV, erdhi për vizitë në qytetin e rrushit. Valon Hoti, koordinator i Qendrave në LVV, “zbarkoi” në Rahovec, duke inicuar shkarkimin e Korenicës dhe duke vendosur një grup tjetër punues, që do të udhëheq degën e LVV-së në këtë qytet drejt zgjedhjeve të brendshme.

Në këtë takim, u vendos që Ali Dula, aktivist i VV-së, të zëendesojë deputetin Korenica, që ishte dikur edhe kandidat i kësaj partie për kryetar të Rahovecit.

Dy fotografi me një mbishkrim të shkurtër dolën nga takimi i mbrëmshë. Ish-deputetja Albana Fetoshi postoi fotografitë, e ku shihet në qendër i deleguari i Qendrës, koordinatori Hoti.

“Spastrimet” dhe Kryesia e Re

Projekt-kodi civil ka qenë një nga temat më të përfolura muajve të fundit, e cila ngjalli reagme edhe brenda LVV-së, pasi shumë deputet, kryesisht konservator, votuan kundër kësaj nisme të Ministrisë së Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu.

Gazeta Nacionale vazhdimisht ka raportuar në lidhje me përjashtimet nga gara të disa kandidatëve si pasojë e qëndrimeve të tyre për martesat e seksit të njëjtë dhe të projekt-kodit civil.

Beni Kizolli, ish-kandidat për deputet i LVV-së, ishte i pari që publikisht shkroi për “eleminimin” e tij nga gara për kryetar të degës së LVV në Prizren. Ai ishte shprehu se ishte deklaruar kundër projekt-kodit civil, pasi ishte pyetur për qëndrimin e tij për martesat e seksit të njëjtë. Eleminimit e tij, ai e quante vendim arbitrar.

E pas Kizollit, dolën edhe disa aktivistë të tjerë që publikisht njoftuan se janë eleminuar nga gara e brendshme për shkak të qëndrimit të tyre refuzues ndaj projekt-kodit civil.

Shkëlzen Bislimi, ish-aktivist i LVV-së, në një intervistë për Nacionale, e kishte cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje si “parti islamofobe”.

Kujtojmë që në nivel qendror, Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar garën e brendshme partiake. Natyrisht, nuk kishte risi në kreun e saj, pasi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, u zgjodh edhe për një mandat si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, nënkryetar i partisë më të madhe në vend u zgjodh Glauk Konjufca, që është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës. E sekretar organizativ, që është një nga pozicionet më të rëndësishme në LVV, për befasinë e shumëkujt, u zgjodh Alim Rama, që po ashtu përfaqëson këtë parti në Komisioni Qendror Zgjedhor.

E grupi nga Tirana, siç tashmë po i referohet Lumir Abdixhiku i LDK-së aktivistëve të LVV-së nga Shqipëria, përsëri mbajtën pozitat pothuajse të njëjta si më parë. Aktivistja nga Shqipëria, Dejona Mihali, një figurë tërësisht e panjohur për publikun kosovar, vazhdon të jetë e fortë në partinë e Kurti, duke u rizgjedhur në pozitën e Koordinatorës së Komiteteve.

Ministrja Haxhiu javë më parë ka paralajmëruar rithkimin e projekt-kodit civil në Kuvend, duke theksuar se shpreson që kësaj radhe të kalojë kjo nismë ligjore.

Lajme të ngjashme