Rrahmani për shkarkimin e Korenicës: Jodemokratik, VV-ja do të humbë më së shumti
Shkarkimi i Visar Korenicës, deputet i Kuvendit të Kosovës, nga funksioni i koordinatorit në Qendrën e LVV-së në Rahovec ka filluar të ngjallë reagime. I pari i reagim është i një kolegu të tij nga radhët e LVV-së. Eman Rrahman, deputet i Kuvendit, e ka cilësuar si jo demokratik shkarkimin e Korenicës për shkak të qëndrimit të tij kundërshtues ndaj projekt-kodit civil.
Rrahmani theksoi se kjo ngjarje do të humbasë më së shumti vetë Lëvizja Vetëvendosje, pasi, sipas tij, Korenica është dpeutet e aktivist shembull.
“Shkarkim jo demokratik, ku nga kjo më së shumti do të humbë Lëvizja VETËVENDOSJE! Visari është deputet e aktivist shembull!”, deklaroi z.Rrahmani për Nacionalen.
Gjatë ditës së sotme, Nacionale raportoi ekskluzivisht se Korenica është shkarkuar nga pozicioni i koordinatorit që mbante në Qendrën e LVV-së në Rahovec.
Ndodhia krejt e pritshme
Siç shkroi Nacionale, shkarkimet në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë të ndalur. E gjitha për shkak të qëndrimeve kundër projekt-kodit civil, të cilës nismë ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, ia pa sherrin edhe deputeti Korenica.
Korenica është shkarkuar nga pozita e koordinatorit të Qendrës së LVV-së në Rahovec kohë më parë. Një vendim i tillë nga partia e tij, e konfirmoi z.Korenica në një prononcim për Nacionalen para pak orësh, duke pohuar se është shkarkuar nga pozita e koordinatorit me prektekstin se është kundër bashkëjetesës së seksit të njëjtë.

“Po, është e vërtetë. Jam shkarkuar për shkak të qëndrimit tim për projekt-kodin civil.”, ishte përgjigja e shkurtër e Korenicës për Nacionalen.
Shkarkimi i Korenicës u vendos në një mbledhje partie në Rahovec, e ku mori pjesë edhe një i deleguar nga “qendra”. Valon Hoti, koordinator i Qendrave të LVV-së, “zbarkoi” në Rahovec, duke inicuar shkarkimin e Korenicës, i cili u zëvendësua me një aktivist tjetër të kësaj partie.
Në këtë takim, u vendos që Ali Dula, anëtar i VV-së, të zëvendesojë deputetin Korenica, që ishte dikur edhe kandidat i kësaj partie për kryetar të Rahovecit.
Albana Fetoshi, ish-deputete e LVV-së, postoi dy fotografi nga një takim i djeshëm, ku u shkrua “kaderi” i Korenicës, e ku shihej edhe i deleguari nga qendra, Valon Hoti.
“Spastrimet”
Projekt-kodi civil ka qenë një nga temat më të përfolura muajve të fundit, e cila ngjalli reagme edhe brenda LVV-së, pasi shumë deputet, kryesisht konservator, votuan kundër kësaj nisme të Ministrisë së Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu.
Gazeta Nacionale vazhdimisht ka raportuar në lidhje me përjashtimet nga gara të disa kandidatëve si pasojë e qëndrimeve të tyre për martesat e seksit të njëjtë dhe të projekt-kodit civil.
Beni Kizolli, ish-kandidat për deputet i LVV-së, ishte i pari që publikisht shkroi për “eleminimin” e tij nga gara për kryetar të degës së LVV në Prizren. Ai ishte shprehu se ishte deklaruar kundër projekt-kodit civil, pasi ishte pyetur për qëndrimin e tij për martesat e seksit të njëjtë. Eleminimit e tij, ai e quante vendim arbitrar.
E pas Kizollit, dolën edhe disa aktivistë të tjerë që publikisht njoftuan se janë eleminuar nga gara e brendshme për shkak të qëndrimit të tyre refuzues ndaj projekt-kodit civil.
Shkëlzen Bislimi, ish-aktivist i LVV-së, në një intervistë për Nacionale, e kishte cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje si “parti islamofobe”.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar garën e brendshme partiake për nivelin qendror, duke zgjedhur Albin Kurtin kryetar të partisë edhe për një mandat. Zëvendës i Kurtit u zgjodh, Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, gjersa sekretar organizativ u zgjodh Alim Rama, që e zëvendësoi zonjën Vlora Haxhimehmedi. Aspak befasishëm, “grupi nga Tirana”, siç Lumir Abdixhiku i LDK-së po i quan aktivistët e LVV-së nga Shqipëria, u rikonfirmuan si të fuqishëm brenda partisë.
Ministrja Albulena Haxhiu javë më parë ka paralajmëruar rithkimin e projekt-kodit civil në Kuvend, duke theksuar se shpreson që kësaj radhe të kalojë kjo nismë ligjore.


