Çka ndodhi me aktivistët e Shqipërisë në zgjedhjet e VV-së: Dejona Mihali e "spastrimeve", përsëri e fortë - NACIONALE

Çka ndodhi me aktivistët e Shqipërisë në zgjedhjet e VV-së: Dejona Mihali e "spastrimeve", përsëri e fortë

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Dejona Mihali përsëri këmbëkryq në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndonëse një figurë krejtësisht e panjohur për publikun kosovar, Mihaili është konfirmuar përsëri në funksionin e koordinatores së komiteteve, që është njëra nga pozitat më të rëndësishme në LV.

Pasi u rizgjodh në këtë post, që sjell shumë pushtet përbrenda partisë më të madhe në Kosovë, ajo bëri një shkrim në stilin e shefit të saj, Albin Kurti. Sidoqoftë, pakrahasimisht më të dobët stilistikisht.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ose lëvizja e mendimit pa ndalesë deri tek veprimi.

Ashtu siç rrallë ka ndodhur,

ashtu siç rrallë bëhen bashkë të gjitha

për të prodhuar zhvendosjen drejt vetëvendosjes.

Pa ndalur, gjithnjë, gjithmonë”,- shkroi zonja Mihaili dhe, për dallim nga herët e tjera, u pa në fotografitë e publikuara nga LV-ja pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.

Krahas saj, edhe tre aktivistë nga Shqipëria zunë vend në LV.

Elvis Hoxha, filozofi nga Tirana, është pjesë e kryesisë, sikurse edhe Boiken Abazi, që përveç anëtar kryesie, është edhe zëvendëskryesues i Këshillit të Përgjithshëm të LV-së, pra zëvendës i Arbërie Nagavcit. Njëjtë, anëtar në Kryesinë e re të LV-së është zgjedhur edhe Arbër Zaimi, një tjetër aktivist nga Shqipëria.

Sa i përket Boiken Abazit, megjithatë, duhet thënë se pozita del të mos jetë edhe aq e rëndësishme, bazuar në fjalët e ish-kryetarit Visar Ymeri.

"Më befason Boiken Abazi - që dikur ishte shumë i rëndësishëm brenda partisë - pozita e tij s'ka kurrfarë rëndësie. Vetëm tri pozita kanë rëndësi reale në VV - të paktën gjatë kohës sa ishim bashkë - ajo e kryetarit, e sekretarit organizativ dhe e shefit të grupit parlamentar",- tha Ymeri.

Aty mungon z. Hysamedin Feraj, një tjetër emër i njohur, i cili, për shkak se jeton në Tiranë, gjithnjë lidhet me grupin e Shqipërisë, ndonëse me prejardhje është nga Gjakova.

Të gjithë këta, përpos që janë nga Shqipëria, kanë edhe një tjetër emërues të përbashkët: Mihali, Hoxha e Abazi nuk kanë asnjë legjitimitet demokratik nga elektorati i Kosovës. Ata janë të përzgjedhurit e Kurtit në këto pozicione, pushteti i tyre në LV rrjedh nga afërsia me Kurtin.

Pushteti...

Aktivistja nga Shqipëria është pjesë e anonimatit, pothuajse tërësisht e panjohur në Kosovë, por fuqia brenda LV-së e Mihalit është e madhe. Shuuuuumë e madhe, përkundër që nuk ka marrë KURRË asnjë votë nga qytetari i Kosovës.

Ajo është përsëri koordinatore e komiteteve, që pas atij të sekretarit organizativ, është posti më i lakmueshëm nga aktivistët e anëtarët e LV-së. Megjithatë, posti është "i kapur” nga Mihali e Shqipërisë, që së paku dy mandate.

Në bazë të organogramit të Vetëvendosjes, koordinatorja e komiteteve ka një lidhje direkte me kryetarin e organizatës, pra një komunikim direkt me Kurtin, që është qendra gravitacionale e pushtetit në LV.

Madje rizgjedhja vjen si pasojë e aktivitetit të saj. Duket se ajo është shpërblyer për punën e saj “ palodhshme” gjatë kohës sa LV-ja i organizoi zgjedhjet, e që, pa ndonjë befasi, e rizgjodhën Kurtin në krye të organizatës.

Siç informonin burimet e Nacionales kohë më parë, zonja Mihali dyshohej të ishte e përfshirë në mënyrë direkte në “eliminimet politike” që po ndodhnin në Vetëvendosje. Eliminimet ndodhën ndaj atyre që publikisht deklaroheshin kundër martesave të gjinisë së njëjtë.

Një politikë e tillë “spastrimi” bëri që shumë kandidatë të largoheshin, të mos certifikoheshin apo edhe të jepnin dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje.

Unë nuk mund të qëndroj në një organizatë ku nuk respektohen bindjet fetare, një organizatë islamofobësh”,- theksonte z. Shkëlzen Bislimi në dorëhqjen e tij nga Qendra e Vetëvendosjes në Lipjan.

Enigmatikja Dejonë

Më e pakta që mund të thuhet për Mihalin, është se ajo është gati krejt panjohur për publikun. Nga të paktët në LV, ajo nuk ka biografi zyrtare në uebfaqen e partisë së udhëhequr nga Kurti. Krejt çfarë LV-ja thotë në uebfaqen e saj për Mihalin, është se ajo është koordinatore e komiteteve.

Sidoqoftë, një biografi më të gjatë Mihali ka në qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, ku theksohet se ajo i ka kryer studimet universitare dhe pasuniversitare në Fakultetin e Shkencave Sociale, më saktësisht në Departamentin e Filozofisë dhe Sociologjisë.

Dejona Mihali lindi në Tiranë në vitin 1980. Studimet universitare e pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i Filozofi-Sociologjisë. Pas studimeve ka ligjëruar në universitet dhe ka drejtuar programe universitare. Ka marrë pjesë në projekte studimore, e përkthime të fushës. Është koordinatore e komiteteve profesionale të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, shkruhet në uebfaqen e LV-së në Shqipëri.

Ajo një kohë kishte pasur problem edhe me Policinë e Kosovës. Në verën e nxehtë politike, por edhe metereologjike, Mihali ishte ndaluar në kufi nga Policia për të hyrë në Kosovë, gjë që i kishte nervozuar shumë drejtuesit e LV-së.

A mund të na tregojnë pra, autoritetet e Kosovës që e kanë marrë këtë vendim, se me cilin veprim Dejona Mihali e ka shkelë rendin publik, sigurinë publike, shëndetin publik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare?”- pyeste z. Glauk Konjufca, që në krah e kishte Albulena Haxhiun.

Mihali nuk është e vetme në Kryesinë e re të LV-së. Përveç saj, edhe Elvis Hoxha dhe Boiken Abazi kanë zënë nga një vend në kryesinë e re, e cila ishte befausese për shumë arsye.

Lajme të ngjashme