Abdixhiku i “gozhdon” Mihalin, Hoxhën, Ferajn: Kanë agjendë serbe, institucionet e sigurisë t’i hetojnë - NACIONALE

Abdixhiku i “gozhdon” Mihalin, Hoxhën, Ferajn: Kanë agjendë serbe, institucionet e sigurisë t’i hetojnë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lumir Abdixhiku ka “shpërthyer” në diskurs kundrejt Lëvizjes Vetëvendosje. Si rrallëherë, z.Abdixhiku është treguar më i vendosur në kritikën e tij për disa nga “figurat e çuditshme” të LVV-së. Më konkretisht, shefi i LDK-së ka pasur kritika të ashpra ndaj aktivistëve të LVV-së nga Shqipëria, të cilët përdorën gjatë ditëve të fundit një gjuhë të papranueshme ndaj partive opozitare.

Në intervistën për “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku ishte i qartë në qëndrim për “grupin nga Tirana”, siç i pari i LDK-së i referohej aktivistëve të LVV-së nga Shqipëria. Ai kërkoi hetim nga institucionet e sigurisë, pasi sipas Abdixhikut “grupi nga Tirana” ka vazhdimisht qëndrime kundër Republikës së Kosovës dhe aleancave strategjike të saj.

Madje, z.Abdixhiku, ndonëse ishte jashtëzakonisht i qetë në intervistë, ishte “përvëlues” kundrejt Dejona Mihalit, Hysamedin Ferajt, Elvis Hoxhës, Boiken Abazit e të tjerëve, qëndrimet e të cilëve i cilësoi si “agjendë serbe”.

Goditja e Abdixhikut

I gjithë kjo kritikë e Abdixhikut erdhi pas një qëndrimi skandaloz të zonjës Dejona Mihali, një figurë enigmatike, por e rëndësishme në LVV, pasi ajo mban dy pozita: është Koordinatore e Komiteteve dhe anëtare e Kryesisë së LVV-së.

Sipas z.Abdixhikut, ajo dhe disa të tjerë, që janë pjesë e “grupit të Tiranës”, shtyn agjenda kundër Republikës së Kosovës, e të cilat duhet të hetohen nga institucionet e sigurisë.

Unë kam bindjen që brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka njerëz që, me ose pa qëllim, e këtë duhet parë nga institucionet e sigurisë, shtyn edhe agjenda kundër shtetit, pra Republikës së Kosovës, dhe atë haptas dhe kundër interesave amerikane. Dhe kryesisht bëj fjalë për një grup që vjen nga Tirana, që ka rol politik brenda Lëvizjes Vetëvendosje, dhe që sot në pushtet bënë politika shtetërore”, tha Abdixhiku mbrëmë në Rubikon të Klan Kosovës, transmeton Nacionale.

Madje, deklarimet e zonjës Mihali, por edhe të disa aktivistëve të tjerëë si Hoxha, Feraj, Zaimi e Abazi, sipas Abdixhikut përbëjnë vepra penale.

Unë besoj që njerëzit që në diskursin publik dhe angazhimin politik e kanë çdo veprim kundër shtetit të Kosovës, pra ekzistencës së shtetit të Kosovës, dhe kundër aleancave strategjike që Kosova i ka, por që haptas thonë që Kosova nuk i ka borxh Amerikës asgjë. Pra përveç që e kanë rendin kushtetues të atakuar dhe i kanë shtyllat themeltare të shtetit të Kosovës të atakuara. Njëra mund të jetë çështje filozofike, tjetra është vepër penale. Sepse përderisa je në opozitë dhe je pjesë e një partie, ndoshta dëmin e bënë publik, por përderisa je brenda institucioneve të vendit dhe mendim yt, pra mendimi yt është vendim e më pas bëhet vepër institucionale, shtetërore, atëherë ti ke agjendë që ndikon institucionet e vendit.”, tha tutje z.Abdixhiku.

Në fund të shpjegimit të tij, Abdixhiku e bëri edhe më të qartë qëndrimin e tij. Përveç vepër penale, sipas Abdixhikut deklarimet e Mihalit e të tjerëve janë “agjendë serbe”.

Unë po them, unë i ftoj institucionet e sigurisë…nuk mund të jetë rastësishëm që një grup në vazhdimësi dhe historikisht që kanë atakuar Republikën e Kosovës dhe aleatës e saj. Dhe po të zgjoheshim ne nga gjumi, pra 20 vite më parë sot dhe po të kuptonim një diskurs të tillë, unë jam i bindur që do të thonim se kjo është agjendë e Serbisë”, përfundoi argumentin e tij z.Abdixhiku.

Ndryshe, “grupi i Tiranës” vazhdon të jetë mjaft i fuqishëm në Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që Mihali, Abazi, Hoxha e Zaimi janë pjesë e Kryesisë së re të zgjedhur para disa javësh.

Kujtojmë, që disa ditë më parë, zonja Mihali kishte shkruar një status skandaloz, duke vlerësuar se Kosova nuk i ka borxh askujt.

"Kosova s'i ka borxh askujt. Është në të drejtën e saj ta mbrojë çka është aspiratë dhe domosdoshmëri për shtetin, lirinë dhe demokracinë. Sovranitet, barazi dhe integritet, asgjë më pak", shkroi zonja enigmatike Mihali.

Lajme të ngjashme