Ujdia finale, analistët i kërkojnë Kurtit të ketë kujdes: Mos të etiketohemi si sabotues të marrëveshjes - NACIONALE

Ujdia finale, analistët i kërkojnë Kurtit të ketë kujdes: Mos të etiketohemi si sabotues të marrëveshjes

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po ndërmjetësojnë një fazë të re të bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dy vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë mësuar me vizitat e shpeshta nga përfaqësues dhe madje edhe liderë të vendeve perëndimore.

Shumë diplomatë dhe zyrtarë perëndimorë kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin që nga takimi i kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq më 18 gusht në Bruksel, dhe ata u kanë kërkuar të dyja palëve të arrijnë marrëveshje.

Gjashtë emisarë janë emëruar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca për të ndihmuar në këtë proces.

Vendimin i Qeverisë Kurti për të shkallëzuar zbatimin e vendimit të targave përmes tre masave, si dhe plani i shumëpërfolur 'franko-gjerman' janë zhvillimet kryesore kyçe që karakterizuan vendin ditëve të fundit.

Në një prononcim për Nacionalen, analisti Halil Matoshi tha se presioni i shtuar ndërkombëtar ndaj Kosovës rrjedh nga agresioni rus në Ukrainë, në përpjekje për të shmangur një tjetër konflikt të mundshëm.

Për dallim nga Kosova, sipas zotit Matoshi, Serbia mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare, e cila po përpiqet të bindë qeverinë serbe që të “blejë kohë për njohjen e Kosovës” në këmbim të sanksioneve ndaj Rusisë.

“Presioni i Perëndimit bie mbi të dy palët, ndonëse Serbisë po i bëhet një favor: po i blihet kohë për njohjen e Kosovës duke e joshur të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Agresioni në Rusi e ka mobilizuar Perëndimin i cili, po dëshiron ta qetësoj një konflikt potencial në Ballkan për t’u fokusuar në luftën e Ukrainës!”, tha Matoshi për Nacionalen.

Matoshi u ndal edhe plani ‘franko-gjerman’ për të cilën bota perëndimore e ka pohuar edhe zyrtarisht se ekziston si opsion drejt zgjidhjes së kontesteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Një plan franko-gjerman që është në tavolinë, pa njohje ‘de jure’ duket se Kosovës ia garanton tërësinë e tokës kushtetuese dhe ia hapë dinamikë të re drejt anëtarësimit në KE dhe NATO në pesë vjetët e ardhshme dhe OKB për dhjetë vjetët e ardhshme. Pra aktualisht Kosova merr liberalizimin e vizave dhe njohjen nga pesëshja e BE-së, katër nga to anëtaret NATO-s. Kurse Serbia i garantohet anëtarësim i shpejtë në BE dhe investime të shumta. Por, para kësaj, Kosova e Serbia detyrohen t’i zbatojnë Marrëveshjet e Brukselit dhe vendimet e gjykatave! Serbia realisht do të pranojë çdo gjë që nuk e ka njohjen në qendër kurse Kosova në këtë fazë nuk ka çka humbë me këtë Marrëveshje por as që fiton diçka të madhe në këmbim!?”, përfundoi z.Matoshi.

E njohës i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, ka thënë për Nacionalen se objektivi i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara është i njëjtë siç ka qenë gjithmonë: integrimi i Ballkanit Perëndimor në të gjitha instancat e Atlantikut të Veriut.

Ajo që e dallon momentumin e tanishëm sipas z.Ramadani është lufta në Ukrainë dhe rreziku se mund të ndodhë edhe në Ballkan.

“Motivi kryesor është ai i vjetri: zgjidhja e kontestit Kosovë-Serbi. ShBA, BE dhe NATO dëshirojnë një Ballkan Perëndimor stabil, prosperues dhe të integruar politikisht, ushtarakisht e ekonomikisht në të gjitha instancat veriatlantike. Për ta bërë këtë, zgjidhja e këtij problemi mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Prandaj, kjo nuk është gjë e re. Ajo që është e re dhe që po krijon një presion urgjence është lufta në Ukrainë dhe rreziku se ajo mund të përhapet edhe në Ballkan, sidomos në veriun e Kosovës. Për këtë arsye, ka një momentum të ri, i cili në të njëjtën kohë është edhe rrezik për luftë, edhe shans për ta arritur ndonjë marrëveshje të madhe, që edhe i përmirëson raportet mes dy vendeve, edhe e përshpejton integrimin e këtij rajoni problematik në instancat veriatlantike (Minus hyrja e Serbisë në NATO)”, tha Ramadani.

Shkodrani më tej ka thënë se gatishmëria e Vetvendosjes për kompromis do të thotë se forca që më parë ka penguar nënshkrimin e një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë tani është aleati më i mirë i Perëndimit për ta bërë një gjë të tillë.

“Po ashtu, gatishmëria e Vetëvendosjes që të bëjë kompromis do të thotë se forca e cila ka penguar marrëveshjet e mundshme në të kaluarën sot është aleati më i përshtatshëm për ta bërë atë. Partitë opozitare në Kosovës janë konstruktive dhe racionale, e dikush do t’i quante edhe të dobëta. Prandaj, për të gjitha llojet e arsyeve, të vullnetshme e të pavullnetshme, duket se në Kosovë ka terren për të krijuar një konsensus mbarëpolitik, gjë që para 3-4 viteve ishte i paimagjinueshëm”, pohoi ai.

Sipas z.Ramadani, arsyeja e presionit të shtuar të vendeve perëndimore gjatë këtyre muajve janë rrethanat e lartpërmendura.

“Të tre këta faktorë janë konvergjuar për të krijuar një atmosferë premtuese për marrëveshje të mundshme dhe ky është shansi mbi të cilin ndërkombëtarët kanë dinamizuar përpjekjet, me shpresën se do të arrijnë një marrëveshje”, deklaroi Ramadani.

I pyetur nëse beson se liderët shtetërorë të Kosovës duhet të përfitojnë nga një moment i tillë në vend që të fokusohen në dialogun teknik, ai tha se çdo marrëveshje që nuk garanton njohjen nga pesë vendet jonjohëse të BE-së, anëtarësimin në OKB, por nga ana tjetër kërkon Kosova të themelojë Zajednicën nuk duhet nënshkruar.

“Krejt varet se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë. Asnjë marrëveshje ku Kosova nuk merr njohje, garancë për anëtarësim në OKB dhe njohje nga 5 shtetet mos njohëse të BE-së, por obligohet të themelojë Zajednicën, ne nuk duhet të nënshkruajmë. Albin Kurti dikur thoshte që dëmin e Zajednicës nuk e kompenzon as njohja nga Serbia, as anëtarësimi në BE, OKB e NATO. Duhet të kemi kujdes që në njërën anë të mos jemi sabotuesit e marrëveshjes, e në anën tjetër të sigurojmë një marrëveshje të leverdishme”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme