Drejt vendimeve të vështira, 6 emisarë perëndimorë angazhohen për ujdinë finale Kosovë-Serbi - NACIONALE

Drejt vendimeve të vështira, 6 emisarë perëndimorë angazhohen për ujdinë finale Kosovë-Serbi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova dhe Serbia janë futur në një fazë të re të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. ShBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca kanë angazhuar 6 emisarë për të ndihmuar në këtë proces.

Koordinimi i ri në mes të SHBA-së dhe BE-së për arritjen e një marrëveshje finale në mes të dy shteteve ka futur procesin në një dinamikë të re.

‘Trafiku diplomatik’ në drejtim të Kosovës dhe Serbisë është rritur dukshëm në muajin e fundit.

Prej 18 gushtit, kur janë takuar kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serbe Aleksander Vuçiq në Bruksel, shumë diplomatë e zyrtarë perëndimor kanë vizituar Prishtinë dhe Beogradin, të cilët kanë kërkuar nga të dy palët kompromise.

Derisa në fillim të vitit kanë qenë vetëm dy emisarë që janë marrë me këtë proces, tani është shtuar dukshëm numri i tyre.

Për të kontribuar në përshpejtimin e arritjes së marrëveshjes finale në mes të dy shteteve, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme që të merren edhe me dialogut Kosovë-Serbi.

Me emërimin e Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, numri i diplomave perëndimorë që do të merren me këtë çështje do të jetë gjashtë.

Përveç përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, i cili është ndërmjetësues i drejtpërdrejt i procesit, dhe emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar-in, për këtë proces emisar special kanë caktuar edhe Britania e Madhe e Gjermania.

Emisari britanik për dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Sir Stuart Peach, në shkurt të këtij viti ka vizituar Kosovën, ku ka takuar krerët e shtetit të Kosovës.

Po ashtu, në shkurt, Qeveria gjermane ka emëruar politikanin Manuel Sarrazin si të dërguar të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.

Emisarët e ShBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës kanë vetëm një qëllim në këtë proces, arritjen e marrëveshje finale në mes të dy shteteve.

Të gjithë mendojnë se Marrëveshja ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë edhe njohjen reciproke.

Nga monitoruesit e procesit të dialogut, angazhimi i emisarëve po shihet si shenjë që shtetet e rëndësishme të Evropës janë duke e parë me seriozitet të madh procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare.

Sipas tyre, me agresionin rus në Ukrainë, është shtuar mundësia e përshkallëzimit të situatës në këtë rajon.

Kurti dhe këshilltarët franko-gjerman mbajnë diskutime të rëndësishëm

Se bashku me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, sot kryeministrin Kurti e kanë takuar këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.

Ata nuk kanë folur për media pas takimit, por emisari special i BE-së ka treguar se në takim janë zhvilluar diskutime të rëndësishme.

“Diskutuam për dialogun dhe rreth asaj se si ta qojmë procesin përpara. Ishte një diskutim i rëndësishëm dhe besoj se mund ta kuptoni se nuk mund t’i bëjmë të ditura detajet sepse të njëjtat diskutime do t’i kemi sot edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, ka thënë Lajçak.

Profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një deklarim për Nacionale ka thënë se angazhimi i këshilltareve gjerman dhe francez do të sjell efekte në këtë proces.

“Sa i përket letrës së kancelarit, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe angazhimit të këshilltarëve të tyre direkt në dialog, unë mendoj se dialogu me siguri do të marrë një dinamikë jashtëzakonisht, të re dhe shumë serioze dhe rezultatet pritet të shihen derisa të formësohen kornizat tematike dhe kohore ajo mandje do ta përshpejtoj jashtëzakonisht dialogun.”, ka thënë ai.

Pas takimit me Kurtin, të tre diplomatet janë nisur për Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Letra me mesazhe të forta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka pranuar letër të përbashkët nga Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Kjo letër tregon që dialogu do të përjetojë një dinamikë të re të zhvillimeve. Dyshja kryesore e BE-së, me anë të kësaj letre, vë në pah se është e përkushtuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbi.

Scholzi e Macroni në letrën e tyre kërkuan nga kryeministrit Kurti që të bëhet gati për vendime të vështira. Të njëjtën gjë ia kërkuan edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit.

“Po iu adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, mes Kosovës dhe Serbisë. Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik,” - thuhet në letrën e tyre.

E vendimet e vështira pritet të ‘mbikëqyren’ nga këshilltarët kryesorë të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron.

“Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij. Propozimi ynë është, që Këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt”, është thënë në letrën e dy udhëheqësve evropian.

Pas takimit të Brukselit, Prishtinën dhe Beogradin e kanë vizituar edhe emisarët Miroslav Lajčák dhe Gabriel Escobar, të cilin kishin bindur palët për marrëveshjen rreth letërnjoftimeve.

Lajme të ngjashme