Për çka i çuan ‘të fala’ Parisi e Berlini, Albin Kurtit? - NACIONALE

Për çka i çuan ‘të fala’ Parisi e Berlini, Albin Kurtit?

4 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka pranuar letër të përbashkët nga Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Kjo letër tregon që dialogu do të përjetojë një dinamikë të re të zhvillimeve. Dyshja kryesore e BE-së, me anë të kësaj letre, vë në pah se është e përkushtuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbi.

Scholzi e Macroni në letrën e tyre kërkuan nga kryeministrit Kurti që të bëhet gati për vendime të vështira. Të njëjtën gjë ia kërkuan edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit.

Po iu adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, mes Kosovës dhe Serbisë. Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik,” - thuhet në letrën e tyre.

E vendimet e vështira pritet të ‘mbikëqyren’ nga këshilltarët kryesorë të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron.

Këshilltari politikës së jashtme dhe sigurisë, i kancelarit Scholz, Jens Plötner dhe këshilltari i presidentit Macron, Emmanuel Bonne do të angazhohen ekskluzivisht për dialogun. Bile ata pritet që të bëjnë edhe një vizitë në Kosovë dhe në Beograd.

Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij. Propozimi ynë është, që Këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt,” - thuhet tutje në letër.

Dinamikë në dialog

Profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi në një deklarim për Nacionale ka thënë se letra e kancelarit Scholz dhe presidentit Macron, do t’i jap dinamikë të re dialgout dhe më serioze, duke përshpejtuar këtë proces.

Sa i përket letrës së kancelarit, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe angazhimit të këshilltarëve të tyre direkt në dialog, unë mendoj se dialogu me siguri do të marrë një dinamikë jashtëzakonisht, të re dhe shumë serioze dhe rezultatet pritet të shihen derisa të formësohen kornizat tematike dhe kohore ajo mandje do ta përshpejtoj jashtëzakonisht dialogun.”, ka thënë ai.

Ndërkaq, a i përket deklaratave pro-ruse të këshilltari të kancelarit Scholz, Arifi theksoi se nuk mund të kenë ndonjë ndikim në procesin e dialogut.

Sa i përket këshilltarit të kancelarit gjerman me deklaratat proruse në këtë rast nuk besoj që mund të ketë ndikim tjetër sepse kancelarit Scholz vizitën e tij që e bëri në Beograd e deklaroi shumë qartë pozicionin gjerman që njohja reciproke duhet të jetë finalja e dialogut Kosovë-Serbi dhe nuk shoh ndonjë pengesë të madhe pavarësisht deklaratave të tij.”, ka thënë ai.

Ndërkohë, dialogu me Serbinë, si duket është përshpejtuar edhe më shumë pas arritjes së marrëveshjes për hyrje-dalje. Pala ndërkombëtre dëshiron gjetjen e zgjidhjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë sa më parë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me 19 gusht 2022 në Bruksel takoi për herë të tretë, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë takim nuk pati ndonjë përparim.

Deri më tani, Kosova e Serbia, përveç marrëveshjeve për hyrje-dalje, janë pajtuar edhe për marrëveshjen për energji.

Ndryshe, përveç angazhimit të këshilltarëve të kancelarit gjerman dhe presidentit francez, në procesin e dialogu Kosovë-Serbi, janë të angazhuar edhe emisari SHBA-ve, Gabriel Escobar si i dërguar special për Ballkanin Perëndimor, i Britanisë së Madhe, Stuart Peach dhe ai i Bashkimit Evropian, Mirsolav Lajçak.

Nuk dihet akoma së kur këshilltarët e Scholz dhe Macron do të vijnë për vizitë në Kosovë.

Për të kuptuar se kush janë këshilltarët e Scholz dhe Macron klikoni KËTU.

Lajme të ngjashme