“Prioriteti i gjashtë” i Kurtit lëviz para në renditje, pritet dinamikë e re pas letrës nga Scholtz e Macron
Drejtësi dhe punësim. Këto dy ishin prioritetet e Kurtit me t'u emëruar në krye. Kryeministri i Kosovës, pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit kishte deklaruar që dialogu me Serbinë nuk do të jetë në radhë të parë.
Madje, ai dialogun e kishte radhitur diku kah pozita e gjashtë ose e shtatë në listën e tij të prioriteteve.
“Nuk do ta kemi prioritet krijimin e ekipit të dialogut me Serbinë që në të gjitha matjet e opinionit publik dialogu është në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë dhe u përgjigjemi atyre. Prioritet i kemi drejtësinë dhe punësimin”, thoshte atëbotë Kurti.
Dinamikë e re
Megjithatë, duket se “prioriteti i gjashtë” i Kurtit do të shënojë disa hapa para në renditje.
Kjo pasi, kancelari gjerman Scholtz e presidenti francez Macron kanë treguar se angazhimi i tyre në negociatat Kosovë – Serbi do të jetë edhe më i madh tash e tutje.
Madje, të lartapostrofuarit kanë zgjedhur edhe këshilltarët e tyre, enkas për këtë çështje.
Duke parë edhe faktin se palët, kosovare e ajo serbe veçse janë dakorduar në Bruksel për gatishmëri takimi të çdomuajshëm, atëherë me patjetër se një zhvillim i ri në politikën tonë të jashtme mund të dalë në dritë.
Letrat
Scholtz dhe Macron veçse u kanë dërguar letra përfaqësuesve gjegjës.
Aleksandar Vuçiq e ka pranuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, teksa tek tash vonë në mbrëmje u bë e ditur edhe nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
“Ne jemi të bindur që në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës na duhet të bëjmë përpjekje edhe më të fuqishme që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet e kamotshme bilaterale dhe rajonale”, thuhet ndër të tjerash në letrën e krerëve të dy prej vendeve më me ndikim në kontinentin e vjetër.
Vendime të vështira
Kërkohen vendime të vështira nga të dytë. Si nga Kurti ashtu edhe nga Vuçiq. Synim është paqja dhe stabiliteti në rajon.
“Ju drejtohemi juve si lider i vendit tuaj, për t’ju apeluar që të tregoni vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën drejtimin e BE-së. Tensionet e fundit kanë treguar se hapa konstruktivë përpara nevojiten urgjentisht, si në planin praktik ashtu edhe në atë politik”, thuhej në letrën dërguar Vuçiqit.
Kurse në atë drejtuar kreut kosovar të ekzekutivit, ku këtij të fundit i bëhet thirrje për vendime të vështira, thuhet:
“Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kujtojmë se edhe më tutje nuk është bërë e ditur ndonjë datë rreth takimit të ardhshëm në Bruksel.
Ai i fundit fillimisht nuk prodhoi marrëveshje, megjithatë me datën 27 gusht, përfaqësuesit evropianë, Borrell e Lajçak kishin arritur t’i bindnin palët për një akord që sipas tyre parandaloi përshkallëzimin e situatës.