Shkruan Kreshnik Beqiri: Opsione mbi Dialogun pa opsione - NACIONALE

Shkruan Kreshnik Beqiri: Opsione mbi Dialogun pa opsione

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan Kreshnik Beqiri

Gjatë një konference për diplomacinë dhe rrugën e shtetndërtimit të Kosovës, në përgjigjen për pyetjen time “Pse Amerika nuk është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi”, e ftuara e asaj konference, Edita Tahiri, ish-kryenegociatore në dialogun Kosovë-Serbi, më pati thënë se Amerika është vazhdimisht pjesë e dialogut, por në mënyrë indirekte, që të evitohet bashkëngjitja e Rusisë në proces.

Çdo gjë rreth dialogut Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga Bashkimi Europian, është duke shkuar gabim dhe ngadalë. Duke filluar nga bio e Miroslav Lajcak në twitter (“Përfaqësues i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd”) e deri te dështimi i këtij të fundit dhe gjithë lidershipit të BE-së, për të vendosur në binar një proces dialogu që negocion në nivel krerësh shteti dhe jo në nivel kryenegociatorësh.

Dialogu ka nevojë për freski. Vazhdoj të besoj se një status-quo në dialog nuk i kontribuon asnjërës palë, pra, as ne - Kosovës, as palës tjetër - Serbisë dhe as palës negociuese - Bashkmit Europian. Kjo pala e fundit e ka zbehur besimin ndërkombëtar dhe rajonal shumë, ndërsa vazhdon me trend rënës për ta humbur krejtësisht (për mua nuk është pala meritore dhe nuk e ka fuqinë për ta zgjidhur këtë çështje me rëndësi dhe peshë të veçantë diplomatike).

Ka vite që dialogu, në sens, është bllokuar dhe nuk ka as sukses as dinamikë. Tash e sa kohë, si ide shihen vetëm asociacioni i komunave serbe dhe korrigjimi kufitar. Kosova, ndonëse nuk po e ndal apo pezullon procesin, nuk po bën asgjë për t’i shtuar dinamikën, gjë që zbeh interesin dhe vullnetin ndërkombëtar për të bashkëpunuar në arritjen e marrëveshjes të shumëkërkuar përfundimtare. Ndaj, sa më shpejt - Kosova duhet të reagojë, në mënyrë që ose të shtojë dinamikën në dialogun e BE-së, ose ta zhvendosë atë në një rrafsh që i konvenon rajonit, paqes dhe sigurisë së tij.

Kryeminstri Kurti qëndroi në SHBA gati një muaj. Duke mos e ditur se Shtetet e Bashkuara (projektet dhe nismat e tyre politike) i ka shumë afër në rajon, u përpoq ta shëndoshë besimin amerikan që vazhdimisht e ka shkatërruar në krejt 20 vitet e pasluftës, duke i dalë kundër çdo vendimi e marrëveshjeje amerikane.

Politikës ndërkombëtare, në këtë rast SHBA-ve, u duhet rajon i sigurt dhe bashkëpunues, rajonit bashkëpunues dhe të sigurt i duhen liderë proaktivë që i kontribuojnë ndërtimit të tij në vazhdimësi. Ndaj, SHBA-të preferojnë liderë proaktivë, dinamikë dhe inovativë, në mënyrë që, jo të vetmuara, të shtyjnë para interesat e tyre për paqe dhe stabilitet. Kryeminstri ynë, për fat të keq, po e harron këtë fakt dhe e harroi edhe gjatë kohës sa qëndroi në SHBA. Ai vazhdimisht po kthehet në një figurë politike që pasqyron destruktivitet dhe trazira - duke iu shmangur dialogut, afrimit të SHBA-ve në Ballkan, dhe duke mohuar marrëveshje jetike për Kosovën (bie fjala: Projektin e gazit amerikan).

Dritan Abazoviç, kryeminstri i ri i Malit të Zi, u shpreh shumë mirë, kur në një intervistë për Adriatik Kelmendin tha se “Ballkani i Hapur” është një nismë rajonale shumë e qëlluar, e që në një nivel mjaft të lartë është keqkuptuar. Në të vërtetë, “Ballkani i Hapur”, bashkë me një opsion tjetër që do ta shtjelloj më vonë, është një mundësi shumë e mirë që Kosova, jo vetëm të zgjidhë problemin e lodhshëm me Serbinë, por edhe t’i garantojë Shqipërisë dhe shqiptarëve titull negociator, bashkë me pozitën e lidershipit ballkanik. Pra, Kosova mundet që parakusht për inkuadrim në “Ballkanin e Hapur” ta vendosë zgjidhjen e problemit me Serbinë, nëpërmjet një dialogu të negociuar nga Shqipëria, si shtet anëtar i nismës dhe si lidere e Ballkanit.

Të gjithë qemë mëruar kur Presidenti Biden takoi ambasadorin serb, Marko Djuric, brenda në Shtëpinë e Bardhë - dhe për fat të keq, të gjithë ishim gabim. Tanimë, shqiptarët në Ballkan udhëheqin me tre kryeministra të zgjedhur. Ky fakt, shqiptarëve u jep një përgjegjësi të veçantë për të krijuar dhe mirëmbajtur bashkëpunimin, paqen dhe sigurinë rajonale. Kjo përgjegjësi nuk duhet të na lejojë që të jemi egoistë, e partneritetin tonë me SHBA-të ta shohim e ta trajtojmë me xhelozi. Përkundër, ne duhet ta mirëpresim afrimin e shtetit të Serbisë me SHBA-të, si një hap të rëndësishëm për të gjithë rajonin, e në veçanti për problemin tonë me Serbinë. Në nivele më të larta të një mendjeje të hapur, ky afrim duhet të shihet si garancë e orientimit perendimor të Serbisë dhe si mundësi që SHBA-të të udhëheqin dialogun Kosovë-Serbi, pa ndikimin rus, si një shtet që ka raporte të shkëlqyeshme me të dyja palët dhe që ka fuqinë dhe kthjelltësinë politike, për të udhëhequr neutralisht dhe me progresivitet.

Lajme të ngjashme