Gjermania ngre aktakuzë kundër gjashtë anëtarëve të dyshuar të ISIS-it për planifikim sulmesh
Gjermania ka ngritur aktakuza ndaj gjashtë shtetasve të huaj nën dyshimin për komplot për sulme terroriste në emër të degës së ISIS-it në Afganistan, ISIS-K, tha të mërkurën zyra e prokurorit federal.
Të dyshuarit, të identifikuar si shtetas të Taxhikistanit – Mukhammadshujo A., Nuriddin K., Shamshud N., Said S., Raboni Z. dhe shtetasi i Kirgizisë, Abrorjon K., ngarkohen me akuzën për themelimin e një organizate terroriste, mes tjerash, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas deklaratës së prokurorisë, të dyshuarit synonin që të kryenin sulme të profilit të lartë në Gjermani dhe Evropë Perëndimore, por nuk kishin plan konkret në momentin e ndërhyrjes nga forcat e rendit.
Të dyshuarit, të cilët ishin arrestuar në korrik të vitit të kaluar, kishin qenë në kontakt me degën e ISIS-it në Afganistan, ISIS-K, i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin masiv në Moskë muajin e kaluar, kur u vranë të paktën 137 persona.
Sipas hetuesve, të dyshuarit kishin arritur në Gjermani përmes Ukrainës pas shpërthimit të luftës atje, në pranverën e vitit 2022, dhe kishin formuar një celulë terroriste së bashku me një anëtar tjetër nga Holanda.
Ata ishin takuar rregullisht për t’i diskutuar qëllimet e veta dhe kishin shikuar vende të mundshme në Gjermani, thuhet në deklaratën e prokurorëve.