Çka nënkupton për Kosovën ndryshimi i kornizës negociuese të BE-së me Serbinë? - NACIONALE

Çka nënkupton për Kosovën ndryshimi i kornizës negociuese të BE-së me Serbinë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Sipas mediumit Evropa e Lirë, Bashkimi Evropian, sot ka vendosur zyrtarisht ta kushtëzojë integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën. Ky ndryshim, ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

Siç dihet, që kur Serbia dhe Kosova u patën dakorduar publikisht, fillimisht për Marrëveshjen bazike të Brukselit dhe më vonë për aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, sipas Shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ato ishin pajtuar edhe që “ Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”.

Në këtë mënyrë, edhe pse kishte munguar nënshkrimi zyrtar në këtë dokument, Brukseli megjithatë ishte në kërkim të rrugëve për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Më këtë rast, ishte bërë e qartë se mosimplenetimi nga ana e palëve do të kishte pasoja për procesin e integrimeve të tyre në BE, por edhe për asistencën financiare të Bashkimit Evropian.

Nuk ka dyshim, se deri më tani Serbia e ka sabotuar zbatimin e të gjitha pikave dhe neneve që dalin nga kjo marrëveshje. Dhunimi më flagrant i saj kishte ndodhur me 24 shtator, kur grupe të armatosura paramilitare dhe terroriste nga Serbia e sulmuan Kosovën në fshatin Banjë në pjesën veriore, ku mbeti i vrarë polici i hero Afrim Bunjaku. Ky akt e cenonte nenin 3 të Marrëveshjes baze i cili thotë, “ se në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Po ashtu, shteti serb, është angazhuar dhe ka lobuar maksimalisht për ta penguar anëtarësim e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Mobilizimi diplomatik i këtij shteti për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është rast tipik i kësaj qasje. Madje, presidenti serb Aleksandër Vuciq kishte krijuar një ekip të posaçëm kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Një veprim i tillë, po ashtu, bie në kundërshtim me nenin 4, ku thuhet qartë se“palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Ka edhe shembuj të tjerë.

Në këtë kontekst, tash e tutje procesi i integrimit evropian të Serbisë do të vlerësohet pikërisht sa i përket zbatimit të obligimeve që dalin nga ky dokument. Mirëpo, sipas vlerësimeve ndërkombëtare edhe Kosova e ka sabotuar pjesën e vet të zbatimit të detyrimeve të saj. Diplomatë perëndimorë në vazhdimësi e kanë përmendur mos themelimin e Asociacionit të komunave e shumicë serbe. Këtu është përmendur veçanërisht njëra nga pikat e planit të sekuencimit në Ohër ku thuhet se për të “zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së” . Ndonëse, jo për këtë arsye, por për shkaqe tjera, po ashtu Kosova është vendosur nën masa sanksionuese nga Brukseli zyrtar.

Shpërfilljen e deri tanishme ndaj detyrimeve që Qeveria e Kosovës i ka pranuar në raport me këto marrëveshje i ka justifikuar me mungesën e vullnetit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, për t’i nënshkruar këto dokumente, edhe pse sipas kryeministrit Kurti, Marrëveshja bazike e Brukselit dhe Ohrit, paraqesin njohje de facto të Kosovës nga Serbia. (Por se a qëndron ky pohim është një debat tjetër) . Mirëpo, me ndryshimin që sot Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian e ka miratuar për Serbinë, zyrtarisht e ka suspenduar rëndësinë e nënshkrimit nga Kosova dhe Serbia. Sepse tashmë kjo marrëveshje nënkupton aranzhman të drejtpërdrejt të Beogradit me Brukselin. Po ashtu, e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën. Fati i saj, që nga suspendimi i masave sanksionuese, e deri te procesi i integrimeve evropiane edhe zyrtarisht do të varet nga zbatimi i pjesës së obligimeve që dalin nga marrëveshje. Po ashtu, me këtë ndryshim është shpërfillur edhe kërkesa e mëhershme e kryeministrit Kurti, mbi ndarjen e procesit të integrimeve evropiane nga ai i zbatimit të marrëveshjes me Serbinë. Ku në rastin e parë rekomandonte që duhej të merrej Besnik Bislimi, kurse në dytin vetë ai. Përkundrazi, me hapin e sotëm të ndërmarr nga Brukseli këto dy tema vetëm sa janë fuzionuar edhe më shumë.

Lajme të ngjashme