Letrat 'e gjata me zemërim' që Vuçiqi i dërgoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas ESI - NACIONALE

Letrat 'e gjata me zemërim' që Vuçiqi i dërgoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas ESI

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Inictiativa Evropiane për Stabilitet (ESI), në analizën e fundit rreth rrugës së Kosovës drejt Këshillit të Evropë, në një pjesë, flet për letrat që Beogradi i ka dërguar kundër anëtarësimit, katër ditë para votimit në Asamblenë Parlamentare.

ESI tregon për letrat që Aleksandër Vuçiq i nisi te shtetet anëtare të KiE-së.

Nacionale sjell një pjesë të saj, më poshtë:

Një letër nga Beogradi ose si Serbia po e humb argumentin

"Më 12 prill, katër ditë para votimit të madh të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u dërgoi shumë letra të gjata e me zemërim udhëheqësve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, duke u përqendruar në, siç tha ai, “aplikimin e të ashtuquajturës Kosovë për anëtarësi në Këshillin e Evropës”.

Në këto letra, Vuçiqi paraqet pesë argumente: Kosova nuk i ka përmbushur standardet e Këshillit të Evropës; ka gjendje terrori në Kosovë kundër serbëve; dëshmia për këtë terror është një rënie e ndjeshme në numrin e serbëve të Kosovës; referenca te “kushtet pas pranimit” në raportin e Bakoyannis-it është mashtrim; dhe, para se të ndodhë ndonjë gjë tjetër, së pari duhet të themelohet Komuniteti i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Me këto argumente, Vuçiqi u bën apel udhëheqësve evropianë që të shtyjnë çfarëdo votimi për pranimin e Kosovës, me shpresën që në këtë mënyrë, votimi mund të mos ndodhë kurrë në të vërtetë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të poshtërohet që e ka përkrahur Kosovën dhe vota dhe rekomandimi i saj do të dëshmohen si jorelevante.

Në letrat e tij, Vuçiqi argumenton se Kosova ka dështuar që t’i plotësojë standardet, duke e përmendur opinionin e “trupave relevante”.

“Unë besoj se është e rëndësishme t’ju informoj se trupa relevante të Këshillit të Evropës... deri rishtazi në mënyrë vendimtare nënvizuan se e ashtuquajtura Kosovë nuk i plotësonte ato standarde”.

Kur Vuçiqi e shkroi këtë letër më 12 prill, avokatë eminentë, që e kishin këshilluar Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pikërisht për këtë çështje në nëntor të vitit 2023, dhe raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Komiteti Politik në Paris në të vërtetë tashmë kishin arritur në përfundimin se Kosova i plotësonte këto standarde. Katër ditë pas dërgimit të letrës së Vuçiqit, votimet në Strasburg u zhvilluan më 15 dhe 16 prill. Me këto votime, të gjitha “trupat relevante të Këshillit të Evropës” kishin arritur në përfundimin e njëjtë në lidhje me Kosovën: se është e gatshme për t’u anëtarësuar. Nuk është asnjë trup relevant i Këshillit të Evropës që tani po rekomandon ndonjë gjë tjetër. Dëgjimi i “trupave relevantë” kështu çon te përkrahja e anëtarësimit të Kosovës tani.

“Terrori”

“E ashtuquajtura Kosovë kryen një fushatë të sulmeve të gjera, mirë të planifikuara dhe sistematike e të motivuara etnikisht kundër civilëve serbë dhe me qëllimin që ta kryejë krimin e dëbimit të serbëve si krim kundër njerëzimit” – thuhet në letrën e Vuçiqit.

Presidenti serb nuk ndalet te pretendimet e rreme për krime kundër njerëzimit. Ai gjithashtu argumenton në letrat e tij se Kosova nuk duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, sepse “më shumë se 15 për qind e popullsisë serbe është larguar nga e ashtuquajtura Kosovë”.

Vuçiqi e ka bërë këtë pretendim edhe më parë. Më 5 tetor 2023, ai kishte thënë se, për shkak të “terrorit shqiptar”, 11 për qind e serbëve të Kosovës ishin larguar nga Kosova nga pjesa e parë e vitit 2021"

Lajme të ngjashme