Pas Vuçiqit, Scholtz e Macron i dërgojnë letër të përbashkët edhe kryeministrit Kurti - NACIONALE

Pas Vuçiqit, Scholtz e Macron i dërgojnë letër të përbashkët edhe kryeministrit Kurti

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër të përbashkët nga Kancelari Scholtz dhe Presidenti Macron.

Ka qenë Zyra e Kryeministrit që përmes një komunikate të publikuar konfirmoi pranimin e kësaj letre.

Në letër mes tjerash thuhet se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.

"Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë", shkruan ndër të tjerash.

Më poshtë edhe letra e plotë e publikuar:

I dashur Kryeministër,

Po ua adresojmë këtë letër në një kohë vendimtare për sigurinë në kontinentin Evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ne jemi të bindur që në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës na duhet të bëjmë përpjekje edhe më të fuqishme që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet e kamotshme bilaterale dhe rajonale.

Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.

Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë.

Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik.

Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij.

Propozimi ynë është, që Këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt.

Shpresojmë shumë që kjo iniciativë do të ketë interesin dhe përkrahjen tuaj.

Sinqerisht,

Kërkesa për Vuçiqin

Albin Kurti s'ishte i vetmi që pranoi letër nga të apostrofuarit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sipas Anadolu Agency gjatë ditës ka pranuar një letër ku i kërkohet të jetë i gatshëm për vendime të vështira në dialog.

Tutje, palët kanë angazhuar këshilltarë të veçantë për negociatat Kosovë - Serbi, sa për të dëshmuar kështu përqendrimin e tyre dhe rëndësinë e paqes në Ballkan.

"Po ju dërgojmë këtë letër të përbashkët në një moment me rëndësi vendimtare për sigurinë në kontinentin evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Jemi të bindur se në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, duhet të bëjmë përpjekje më të forta në mënyrë që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kamotshme dypalëshe dhe rajonale. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhej ndër të tjerash.

Lajme të ngjashme