Prokuror, intervistoje Albin Kurtin - NACIONALE

Prokuror, intervistoje Albin Kurtin

1 javë më parë

nga Berat Buzhala

Akuza se disa media po punojnë qëllimshëm për shtetin e Serbisë nuk do të duhej të tejkalohej kaq lehtë. Duhet të vërtetohet nëse dikush po paguhet me dinar, nëse dikush po joshet me benificione të tjera, ose të gjendet motivi i vërtetë, përse dikush po punon “qëllimshëm” për Serbinë.

Albin Kurti, përveç që është mashtrues, frikacak dhe mburravec, ai është edhe lazdran. Kur i dështojnë projektet dhe idetë, ai i kërkon fajtorët që po e pengojnë. Dje, pasi që pas vetës e kishte krejt shoqërinë, kur e kuptoi që veriu i vendit u fortifikua, kur e kuptoi që serbët filluan t’i rrahin banorët shqiptarë përtej Urës, kur nuk kishte ku të gjente një justifikim për këtë fiasko, ai i sulmoi mediat.

Sipas tij, disa media punojnë për Serbinë pahiri, e disa të tjera me qëllim. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, e meqë këtë e thotë kryeministri i vendit, që supozohet ka informata të dorës së parë nga shërbimet e vendit, atëherë prokurorit nuk do t’i mbetej asgjë tjetër përveçse t’i inicionte hetimet.

Të bashkëpunosh me një shtet armik, me qëllim, në këtë kohë, është akt tradhtie, kurse tradhtia është e ndëshkueshme. Prandaj, nëse kryeministri është serioz, nëse kryeministri flet publikisht kështu, organet e hetuesisë do të duhej të fillonin punën pa humbur kohë.

Sigurisht që ajo çfarë ka thënë Kurti mbrëmë është krejtësisht e pavërtetë. Ajo është një gënjeshtër e kulluar, e thënë nga një politikan që kishte mbetur pa pikën e vizionit, në gjysmë të aksionit, në gjysmë të natës.

Kur ka qenë hera e fundit që dikush prej mediave i ka kryer shërbim shtetit serb, duke thënë, bie fjala, që autoritetet e Prishtinës nuk duhet ta zbatojnë ligjin në çdo cep të Kosovës? Kur ka thënë ndonjë prej mediave që qeveria e Kosovës duhet t’i tolerojë bandat serbe në veri, t’i bllokojnë rrugët dhe ta imitojnë një shtet brenda shtetit?

Asnjëherë. Asnjë te vetmen herë.

Problemi është që kryeministri Kurti çdo sulm personal e konsideron sulm ndaj shtetit. Ai, sikurse Luigji i 14, pa pikën e modestisë thotë që “Shtet jam unë”. Ai që deri dje nuk e ka njohur këtë shtet, tash e sheh vetën të njëjtë me të.

Kryeministri Kurti dje e kishte pas vetës çdo kënd. E kishte opozitën, e kishte shoqërinë civile, i kishte qytetarët. Fotografitë me policët e Kosovës duke shkuar në veri, siç e do zakoni në këso rastesh, i pushtuan rrjetet sociale. Frazat “jemi me ju djem” ishin më të postuarat. Qëndrimet “më në fund Kosovës po i kthehet dinjiteti” po rishfaqeshin. Krejt ishte në rregull. Mirëpo, gazetarët nuk janë të thirrur për të shkuar në veri për t’i hequr barrikadat. Nuk janë as të thirrur që të shkojnë t’i mbrojnë qytetarët e vetmuar shqiptarë, që po rraheshin në pjesën veriore. Këtë punë do të duhej ta bëjë qeveria, por që nuk po e bënte.

Nuk është rast i izoluar ai kur kryeministri sulmon mediat, duke i rreshtuar ato në kampin e armikut. Kurti është i fundit në radhën e këtyre liderëve. Insinuata të tilla, prej liderëve popullistë dhe demagogë, janë bërë dhe bëhen gjithandej. Gazetarët janë target i lehtë. Ata nuk kanë votues dhe nuk kanë forca ushtarake për t’i mbrojtur.

Mirëpo, pa marrë parasysh këto, një prokuror i Kosovës do të duhej t’i adresonte këto shqetësime. Akuza se disa media po punojnë qëllimshëm për shtetin e Serbisë nuk do të duhej të tejkalohej kaq lehtë. Duhet të vërtetohet nëse dikush po paguhet me dinar, nëse dikush po joshet me benificione të tjera, ose të gjendet motivi i vërtetë, përse dikush po punon “qëllimshëm” për Serbinë. Prapa qëllimit duhet të ekzistojë motivi.

Është shumë e vështirë që në këso situatash të flasësh për të gjithë kolegët, ose për të gjithë ata që thonë që janë gazetarë dhe që kanë media, mirëpo duke u nisur nga e kaluara, duke u nisur nga akuzat paushallë te Kurtit, gjasat janë shumë të mëdha, që e vërteta dhe deklaratat e Kryeministrit qëndrojnë në pozicione të kundërta.

Ai dje e kishte një ditë të keqe. Aventura e tij shkoi si mos më keq. Shkoi aq kaq, sa në mbrëmje, pasi që ambasadori amerikan ia hodhi një jelek për të mos u mbytur, tha se nëse serbët i heqin barrikadat, ky e pezullon reciprocitetin. Atëherë, shtrohet pyetja: Përse e fillove? Para se të bëhej aksioni, as nuk kishte barrikada, as reciprocitet.

Lajme të ngjashme