Transparenca: Kurti po injoron Kuvendin në dialog me Serbinë, ka raportuar vetëm një herë - NACIONALE

Transparenca: Kurti po injoron Kuvendin në dialog me Serbinë, ka raportuar vetëm një herë

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Interesimi i shtuar i partnerëve ndërkombëtar për të përmbyllur marrëveshjen finale me Serbinë është mirëpritur në Kosovës. Por, ajo që ka shqetësuar opozitën, shoqërinë civile dhe gjithë opinionin në këtë proces është mungesa e transparencës së Qeverisë.

Kryeministrit Albin Kurti vetëm një javë pas takimit me presidentin Aleksader Vuçiq në Brukselkishte folur për takimin pesë orësh. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me takimin që ka pas pasur të premten me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçák dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.

Për këtë takim Zyra e Kryeministrit ka lëshuar vetëm një komunikatë për media me fare pak informata se çka është diskutuar aty.

Monitoruesit e procesit të dialogut Kosovës-Serbi kanë treguar se Qeveria Kurti në aspektin e transparencës ka bërë hapa mbrapa.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka injoruar komplet Kuvendin në këtë proces, duke raportuar vetëm një herë.

Kryeministri Kurti ka bërë një hap prapa krahasuar me qeveritë pararendëse, sa i përket transparencës së takimeve, publikimit të platformës apo strategjisë për procesin e dialogut. Kjo përbën veprim në kundërshtim të plotë me veprimet dhe kërkesat e vetë kryeministrit dhe partisë së tij, para ardhjes në pushtet. Për më tepër, kryeministri Kurti ka vazhduar të injorojë Kuvendin si institucioni më i lartë mbikëqyrës – duke raportuar me vetiniciativë para të zgjedhurve të popullit vetëm një herë, dhe atë në qershor të vitit të kaluar”, ka thënë Kryeziu në një intervistë për gazetën Nacionale.

Ai ka thënë se shefi i ekzekutivit duhet t’i mbajë premtimet që i ka dhënë si opozitar, që thirrej vazhdimisht në transparencë.

Nga një udhëheqës opozitar, që premtonte hapjen e një dialogu të brendshëm me komunitetin serb, ai po përfundon në një kryeministër që ka mbyllur dialogun edhe me qytetarët shqiptarë. Diskutimet apo informimin e publikut për dialogun, kryeministri e ka bartur tek vartësit e tij, kurse komunikimin me opozitën – si aktorë të rëndësishëm në arritjen e një konsensusi politik – po e zhvillon nëpërmjet emisarëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Sjelljen e debatit për dialogun në Kuvend e ka kërkuar edhe drejtorit Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Kuvendi duhet të jetë vendi ku duhet të informohet në të gjithë për këtë proces.

Mendoj që Kuvendi i Republikës duhet të jetë platforma institucionale e debatit për dialogun si dhe e përfshirjes së partive opozitare në të. Në këtë mënyrë edhe qytetarët e Republikës do të kenë mundësi që të informohen për atë se çfarë po ndodh”, është shprehur ai.

Sipas tij, mungesa e transparencës nga qeveria është e dëmshme për procesin. “Mirëpo duhet pasur parasysh që ky është proces i ndjeshëm që kërkon një dozë diskrecioni. Dhe ky diskrecion mendoj që duhet të ruhet përmes takimeve më të ngushta të përfaqësuesve politik. Por, sjellja e deritashme e Qeverisë dhe mungesa absolute e transparencës në dialog është absolutisht e dëmshme”, është shprehur ai.

Takimet me liderët partiak nuk zëvendësojnë debatin në Kuvend

Edhe përfaqësuesi e partive opozitare kanë kërkuar që kryeministri për këtë proces të raportojë në Kuvendin e Kosovës në mënyrë permanente.

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se për dialogun e Brukselit është e nevojshme të sigurohet kohezioni i brendshëm politik dhe transparenca.

LDK-ja është falënderuese për interesimin e shtuar të partnerëve kryesorë të Kosovës për të përmbyllur marrëveshjen për normalizim dhe njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Me këtë interesim të shtuar, është e domosdoshme të sigurohet kohezioni i brendshëm politik dhe shoqëror për të mbështetur Qeverinë në dialog për marrëveshjen finale. Por, paraprakisht duhet të sigurohet transparencë e plotë nga ana e Qeverisë përmes raportimit në Kuvend, e cila gjë ka munguar pavarësisht rezolutës së Kuvendit ku i kërkohet Kryeminsitrit të raportoj para dhe pas çdo rundi të dialogut. Nuk ka forum tjetër për raportim përveç Kuvendit. Takimet me kryetarët e partive politike opozitare nuk e zëvendësojnë raportimin në Kuvend”, ka shkruar në “Facebook”.

Sipas tij, ai duhet të njoftojë për procesin edhe shoqërinë civile e strukturat akademike.

Kryeministri duhet të jetë i hapur në raportimin në Kuvend. Ai nuk mund të evitoj transparencën karshi deputetëve përmes deklarimeve për ndjeshmërinë e dialogut. Përtej kësaj, transparenca në dialog duhet të sigurohet edhe karshi komunitetit akademik, shoqërisë civile dhe mediave. Transparenca karshi tyre i mundëson Qeverisë të marrë sugjerime të dobishme dhe në veçanti, e ndihmon në informimin e publikut të gjerë për të krijuar kohezionin e nevojshëm mbështetës për marrëveshjen finale”, ka thënë ai.

Të njëjtën gjë e kanë kërkuar edhe dy partitë tjera opozitare, PDK dhe AAK.

Vuçiqi thotë se i është propozuar një kornizë e re për dialogun

Ndryshe nga Kryeministri Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë detaje të shumta për takimin që e ka pasur me këshilltaret e kancelarit gjerman dhe presidentit francez.

Në një konferencë për medie, ai ka thënë se diplomatët evropianë i kanë propozuar kornizë të re për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tyre, dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se diplomatët evropianë kanë theksuar se e kanë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për diçka të tillë.

Marrëveshja do të nënkuptonte - nuk mund të them njohje të Kosovës - mirëpo do të ishte njohje të gjithçkaje që ata mendojnë se është realitet”, është shprehur ai.

Nuk dihet nëse kjo kornizë i është propozuar në takim edhe kryeministrit Albin Kurti, pasi që ky i fundit nuk ka dhënë ndonjë informacion.

Zyra e Kryeministrit pas takimit ka lëshuar një komunikatë për medie, më të cilën thuhet se është theksuar se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, ndërsa kryeministri Kurti ka treguar se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

Detajet për këtë takim nuk ka dhënë as përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçák.
Në një deklaratë të shkurtër për medie, ai ka thënë vetëm se në takim janë diskutuar çështje të rëndësishme.

Lajme të ngjashme