Ankohet opozita: Kurti na njoftoi më pak se ndërkombëtarët për dialogun - NACIONALE

Ankohet opozita: Kurti na njoftoi më pak se ndërkombëtarët për dialogun

1 vit më parë

nga NACIONALE

Krerët e LDK-së dhe AAK-së nuk janë ndarë të kënaqur me takimin që kanë pasur sot me kryeministrin Albin Kurti, i cili kishte për qëllim informimin e tyre për dakordimin e fundit me Serbinë.

Pas takimit me shefin e ekzekutivit, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj janë ankuar, duke thënë se kryeministri nuk u ka thënë asgjë të re për këtë proces.

Sipas tyre, informacione më të hollësishme për këtë proces kanë marrë nga emisarët euro-amerikanë javën e kaluar.

I pari i LDK-së ka thënë se në takim nuk kishte asnjë risi.

Konsideruam se ftesa ishte e vonshme, dy javë pas takimit të Brukselit. Ndërkohë partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, informimi ishte më i thellë sesa nga kryeministri. Kryeministri bëri një prezantim të 6 pikave të njohura tashmë për publikun, nuk pati ndonjë risi”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka vlerësuar se dialogu i copëzuar të cilin po e bën aktualisht qeveria është i dëmshëm për Kosovën.

Besojmë se dialogimi i copëzuar, pjesë-pjesë i shkon në interes vetëm Serbisë. Sa më shumë që Kosova merret me marrëveshje teknike, atëherë e ushqen satus-quon. I kërkuam kryeministrit të jetë i guximshëm, të shkojë në dialog me aleatët, veçanërisht me SHBA-në dhe të kërkojë marrëveshje finale me njohje reciproke në thelb të saj, me respektim të Kushtetutës dhe respektim të integritetit territorial”, është shprehur Abdixhiku.

Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kurti duhet të ketë kujdes në procesin e dialogut me Serbinë.

Ia kam tërhequr vërejtjen Kurtit për strategjinë e Serbisë që të shkohet me marrëveshje një nga një dhe rrezikut që nëse Serbia arrin ndonjë sukses me marrëveshjen e Asociacionit, ajo do të çohet nga tavolina dhe të mos e vazhdojë më dialogun. Ngjashëm ka vepruar edhe në konferencën e Rambujesë”, është shprehur Haradinaj.

I pari i AAK-së ka shtuar se BE-ja ka kryer një punë të rëndësishme, duke shtuar se tani me këtë proces duhet të merret SHBA-ja.

Unë besoj shumë që është me rëndësi dhe ia thashë kryeministrit Kurti që BE-ja ka kryer një punë të rëndësishme në dialog, por rrethanat kanë ndryshuar dhe BE nuk është më neutrale tashmë sikurse e gjithë bota është në luftë me Rusinë. Mendoj që është koha që edhe Kurti zyrtarisht të kërkojë që çështjen e dialogut ta kalojë te presidenti Biden sepse në këtë formë do të sigurohej jo vetëm arritja e marrëveshjes por edhe garanca në implementim”, ka deklaruar Haradinaj.

Kurti thotë se me liderët opozitarë ka ndarë të gjitha informacionet relevante

Pas takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kryetarin e LDK-së dhe AAK-së i ka informuar me të gjitha informacionet që ka pasur.

Unë besoj se informacion që është i rëndësishëm s’ka që është mbajtur prej nesh dhe krejt çka është relevante tashmë është ndarë me ta. Nëse kanë pasur informacion tjetër relevant që ua kanë dhënë ndërkombëtarët mbase do të duhej ata të tregonin, por sa i përket çështjeve kryesore për temat dhe diskutimin si ka shkuar, absolutisht s’janë të painformuar”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se nëse Serbia e shkel marrëveshjen për dokumente, atëherë edhe Kosova do të prezantojë reciprocitetin.

Nuk ka dokumente përcjellëse, vetëm karta identiteti i duhet qytetarit kur kalon mes dy vendeve. Nëse Serbia vazhdon me lëshu dokumente hyrje/dalje, teorikisht apo rastësisht, atëherë edhe ne detyrohemi ta aplikojmë reciprocitetin. Më 1 gusht kemi ndarë për 19 orë 2679 dokumente të tilla pa asnjë incident. Shpresoj të mos jetë nevoja të ndajmë edhe dokumentin e 2680, por varet nga ajo nëse Serbia e shkel marrëveshjen”, ka thënë Kurti.

PDK-ja refuzoi takimin

Ndryshe nga LDK-ja dhe AAK-ja, Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar këtë takim.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se përmes këtyre takimeve kryeministri po dëshiron të krijojë spektakël të panevojshëm.

Sipas saj, ky takim ka qenë i panevojshëm.

Ne nuk besojmë që Kosova ka nevojë të prodhojë shou mediatik të panevojshëm. Ky takim nuk ka asnjë lloj substance, sepse kryeministri na ka ftuar që të diskutojmë, të shprehen me fjalë të popullit, për borën që ka rënë parvjet. Marrëveshja për të cilën na ka ftuar kryeministri që të diskutojmë është marrëveshje që është dakorduar që më shumë se një dekadë, të cilën e kemi mbështetur edhe atëherë, e mbështesim edhe sot. Shumë mirë që kryeministri po e mbështet tani”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, PDK-ja nuk ka nevojë për shfaqjet që po kërkohen nga kryeministri i Kosovës.

Ne nuk kemi nevojë për spektakël e as për shou. Sepse ne nuk kemi qenë asnjëherë parti populiste. Ne jemi parti që kemi marrë vendime të drejta vazhdimisht. Ne nuk kemi nevojë të simulojmë një unitet sa për sy e faqe, ne jemi sinqerisht në mbështetje të dialogut, jo sa për sy e faqe, apo për një fotografi me kryeministrin. Ne jemi në mbështetje të një marrëveshjeje finale. Nuk kemi nevojë të prodhojmë shfaqje të panevojshme. Nuk ka krizë në Kosovë”, ka deklaruar Çitaku.

Javën e kaluar Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

BE-ja tani është duke u përpjekur që ta gjejë një zgjidhje edhe për targat.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se çështja e targave është më e vështirë.

Ju e dini, në rolin tim, unë duhet të përpiqem të kuptoj çdo pozicion. Pozicionet e serbëve dhe të kosovarëve. Çfarë qëndron pas kësaj çështjeje të identitetit, të qenët në një shtet, të qenët komb, të mos njihet nga shumë vende të botës, edhe brenda Bashkimit Evropian... E kemi zgjidhur problemin e kartave të identitetit dhe le të themi pasaportës, lëvizjes së lirë të njerëzve. Çështja e targave është më e vështirë për t’u zgjidhur, sepse nuk është vetëm dikush që lëviz, është një pronë që mund të shitet dhe të blihet. Por, unë jam optimist”, ka thënë Borrell për Radion Evropa e Lirë.

Lajme të ngjashme