Intervistë | Musliu-Shoshi: Kosova do ta kalojë votimin në Asamble, votimi në Komitet të Ministrave më i komplikuar - NACIONALE

Intervistë | Musliu-Shoshi: Kosova do ta kalojë votimin në Asamble, votimi në Komitet të Ministrave më i komplikuar

2 javë më parë

nga Muhamet Koci

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi është shprehur e bindur se Kosova do ta kalojë sot me sukses votimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ajo ka bërë me dije se raporti i Dora Bakojanië, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE, do të miratohet falë aleatëve dhe lobimit të deputetëve kosovarë në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Muslu-Shoshi ka thënë se pro Kosovës pritet të votojnë edhe deputetët nga Ukraina, Rumania dhe vendet tjera që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ajo ka bërë me dije se proces më i komplikuar do të jetë votimi në Komitet të Ministrave, mbledhja e të cilit pritet të mbahet në muajin maj.

Deputetja e PDK-së ka treguar se votimin në këtë komitet do të varet shumë nga puna dhe lobimi i Qeverisë së Kosovës tek vendet anëtare të Ki-së.

Nacionale: Sot Asambleja e Këshillit të Evropës pritet të shqyrtojë raportimin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Keni diskutuar me deputetët, cili është disponimi i tyre për këtë raport?
Musliu-Shoshi: Kosova fal miqve të saj, falë përkushtimit pro-evropian që nga paslufta ka dëshmuar së është shtet me vlera demokratik ku në thelb ka sundimin e ligjit dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Bazuar në faktin që këto janë themelet bazë të Këshillit të Evropës, antarësimi i Kosovës do të jetë vlerë e shtuar.

Nacionale: Mund të këtë ndonjë befasi gjatë shqyrtimit të raportit, apo pritni që ai të miratohet pa ndonjë problem me votat e nevojshme?
Musliu-Shoshi: Që nga viti 2011 kur Kuvendi i Kosovës është ftuar që të merr pjesë në punimet e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe që nga dita e parë përkushtimi i delegacionit ka qenë maksimal drejt dëshmisë që Kosova dhe qytetarët e saj meritojnë të jenë pjesë e familjes evropiane. Sepse jemi evropian.
Puna e madhe e qeverive të Kosovës, pa dallim partiak e në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë ndërkombëtar, në njohjen e Republikës së Kosovës si shtet sovran e i pavarur, në vënien e kushtetutshmërisë me vlera evropiane, ndërtimin e institucioneve, miratimin e implamentimin e ligjeve kanë mundësuar këtë arritje që është ditë historike për Kosovën.

Nacionale: Spanja dhe disa vende tjera kanë deklaruar se do të jenë kundër. Sa sfiduese mund të jetë kjo?
Musliu-Shoshi: Bazuar në faktin që Republikën e Kosovës e kanë njohur 34/46 shtet anëtare të Këshillit të Evropës, në parim nuk e vlerësoj që ka mundësi dështimi. Sfiduese është fakti që deputetët edhe të shteteve njohëse ndaj Republikës së Kosovës mund të votojnë kundër apo për. Pra, votojnë në bazë të bindjeve të veta, Përshembull Ukraina do të votojë “për”, Rumania po ashtu, ka edhe shembuj të tjerë. Por, jam e bindur që do të këtë sukses dhe Kosova do të fitojë edhe këtë të drejtë.

Nacionale: Sa është e rëndësishme për Kosovën kalimi me sukses i kësaj faze në rrugën drejt anëtarësimit të në këtë organizatë?
Musliu-Shoshi: Pas votimit në Komitetin për Politikë dhe Demokraci që ishte në Paris, ky është hapi i dytë i rëndësishëm drejt anëtarësimit. Pas votimit në Asamble dërgohet opinioni statutar në Komitetin e Ministrave dhe pastaj me votë nga ministrat e vendeve anëtare vendosë edhe anëtarësimi i plotë i Kosovës.

Nacionale: Nëse votimi është i suksesshëm, raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, i cili pritet të mblidhet më 16 dhe 17. Cilat janë pritjet e juaj për këtë takim, i cili do të jetë vendimtar për anëtarësimin e Kosovës në KiE?
Musliu-Shoshi: Votimi në Komitet është me i komplikuar dhe mban qëndrimet zyrtare të shteteve. Tani, këtu flet puna e ekzekutivit, pra Kryeministrit e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Uroj të jemi në agjendë në muajin maj dhe të mos dështojmë!

Nacionale: Vazhdimisht po përmendet që dërgimi i draft-statutit të Asociacionit për shqyrtim në Kushtetuese do të jetë kush për anëtarësimin e Kosovës në KiE. A mund të ndodh një gjë e tillë dhe ju si delegacion i Kosovës a ua ka thënë dikush një gjë të tillë?
Musliu-Shoshi: Fillimisht dua të jem e qartë që në Asamble të Këshillit ky nuk është kushti i kërkuar sepse me angazhimin e lobimin tonë si deputetë kemi arritur që të i bindim deputetët që kjo është çështje e dialogut. Sidoqoftë, shtet mike duan një garanci e përkushtim të Qeverisë së Kosovës drejt themelimit të Asociacionit dhe cili do të jetë versioni që do t`i bind aleatët tanë mbetet të shihet!

Lajme të ngjashme