Edhe PDK e refuzon pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Haxhiu - NACIONALE

Edhe PDK e refuzon pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Haxhiu

1 orë më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Deputeti i kësaj partie, Uran Ismaili në një konferencë për media ka thënë se “ky është manipulim i radhës nga Lëvizja Vetëvendosje”.

“E para, kjo është edhe një tentativë, të themi, e manipulimit të zoti Kurti me shtyrjen e afateve, kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Pra, është një manipulim i radhës. Zonja Albulena Haxhiu, më mirë kishte me qenë t’i kishte shkruar letër zotit Avni Deharit, që ta thërrasë Kuvendin, sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo funksion në Kosovë, politik, funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës është i suspenduar”, tha ai.

Tutje, ai ka bërë thirrje nga Lëvizja Vetëvendosje që ta thërrasë seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ismaili njoftoi se grupi parlamentar i PDK-së i ka dërguar letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit.

“Dje e gjithë Kosova e pa kontrastin. PDK ishte në sallën e Kuvendit për herë të tretë. Ne erdhëm, ata nuk erdhën. Ne kërkuam Kuvend, funksional, për të gjithë partitë politike. Ata zgjodhën bllokadën. Ne kërkuam Kushtetutën, respektimin e saj. Ata po vazhdojnë me kalkulim politik e partiak. Sot dua t’ju njoftoj se grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër më 16 gusht. Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës. Por në njëjtën kohë, Kosova nuk mundet të mbetet peng i Albin Kurtit pafundësisht. Nuk do të pranojmë; nuk do ta normalizojmë një sjellje të tillë. Dhe nuk do ta lejojmë. Prandaj, z. Kurti, eja në Kuvend. Thirrne seancën. Mos ik. Mos u fsheh pas Avni Deharit. Konstituoje Kuvendin. Respektoje Kushtetutën”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme