Intervistë |Tahiri: VV-ja i frikësohet të vërtetës për rastin Dehari, prandaj po hesht - NACIONALE

Intervistë |Tahiri: VV-ja i frikësohet të vërtetës për rastin Dehari, prandaj po hesht

5 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka insistuar në pyetjet e tij për rastin Dehari. Ai ka bërë me dije se pa u përgjigjur pushteti në këto pyetje nuk mund të zbardhjet e vërteta për rastin Dehari. Përgjigje në këto pyetje, ka thënë ai, mund të japin vetëm shefat e VV-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka akuzuar VV-në se pas ardhjes në pushtet nuk ka qenë fare e interesuar për zbardhjen e rastit të Astrit Dehari.

Ai ka bërë me dije se partisë së Albin Kurti i konvenon mjegulla rreth këtij rasti.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Tahiri ka vlerësuar se krerët e VV-së kanë frikë nga zbardhja se të vërtetës për këtë rast.

Zhdukja dhe gjetja e mostrave të aktivistit të ndjerë të VV-së, ka thënë ai, janë arsyeje e mjaftueshme për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, të cilin po e refuzon VV-ja.

Deputeti I PDK-së ka thënë se VV-ja tash është e interesuar për diçka tjetër.

Sipas tij, shefave të VV-së tani po iu interesojnë tenderët njëburimore dhe jo zbardhja e rastit Dehari.

Nacionale: Z. Tahiri, se fundi i e keni akuzuar VV-në për heshtje në rastin e Astrit Deharit. Pse mendoni se po hesht për këtë rast partia në pushtet?
Tahiri: VV-ja ka ardhur në pushtet duke keqpërdorur ndjeshmërinë e vdekjes së Astrit Deharit. Pasi ka ardhur në pushtet, VV-ja nuk ka qenë fare e interesuar për ta zbardhur këtë rast. VV-së i ka konvenuar mjegulla rreth këtij rasti sepse kësisoj kanë besuar se do ta ushqejnë narracionin e tyre politik të viktimizimit. Tani, të përballur me presionin publik për të zbardhur të vërtetën, VV-ja ka zgjedhur të struket dhe të hesht. Prandaj i ngrita ato pyetje, por të cilave VV-ja ende nuk pati guxim t'i përgjigjet.

Nacionale: Zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit e keni lidhur me zjarrin në zyrat e IML-së. Keni ndonjë dëshmi se janë të ndërlidhur këto dy çështje?
Tahiri: Fakti që pasi erdhi VV-ja në pushtet ndodhën edhe zhdukja e mostrave, edhe zjarri në zyrat e Institutit, edhe rikthimi i mostrave, janë indikatorë për të dyshuar që diçka e pandershme ka ndodhur me këtë rast në këto dy vjet. Këto ngjarje do të duhej të ishin shkak i mjaftueshëm për ta ngritur një komision hetimor parlamentar për ta zbuluar të vërtetën. Por, siç e dini, VV-ja nuk e ka votuar komisionin hetimor parlamentar. Kjo na lë të kuptojmë që VV-ja ka diçka për të fshehur dhe po i frikësohet të vërtetës.

Nacionale: Gjithashtu, pretendoni se për zhdukjen e mostrave kanë qenë në dijeni krerët e VV-së, duke përfshirë kryeministri Kurti. A e di Ministria e Drejtësisë se kush i zhduki mostrat?
Tahiri: Prandaj unë i shtrova pyetjet për VV-në. Po ashtu, pikërisht për ta kuptuar të vërtetën nevojitet themelimi i komisionit hetimor parlamentar. Por, VV-ja po i frikësohet të vërtetës që mund ta zbulojë ky komision. Pushteti më në fund e pati guximin të reagojë përmes ministres Haxhiu, por sërish nuk pati guxim që të përgjigjet në pyetje që kam ngritur. Në vend që të merrej me thelbin e çështjes, me përmbajtjen e pyetjeve dhe t'u përgjigjej atyre pyetjeve, VV-ja zgjodhi të merrej me mua personalisht. Por, pushteti duhet ta dijë që nuk mund t'i ikin përgjegjësisë për këtë çështje duke e personalizuar dhe banalizuar debatin. Unë nuk do të ndalem deri sa të marrë përgjigje për pyetjet që kam ngritur. Unë nuk e etiketova as ministren Haxhiu dhe as ndonjë zyrtar të VV-së. Unë thjesht i pres përgjigjet në pyetjet që kam ngritur. Ata le ta degradojnë debatin me fyerje personale sepse vetëm këtë dijnë ta bëjnë.

Nacionale: Pas zhdukjes se mostrave, gazeta Nacionale në dy raste ka raportuar për gjetjen e mostrave të të ndjerit Dehari. Në asnjërin rast nuk ka pasur reagim ose sqarim nga Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundi kishte njoftuar opinionin vetëm për zhdukjen e mostrave. Si shpjegohet ky mosreagim i ministrisë dhe i krerëve të VV-së?
Tahiri: Kjo heshtje ka një shpjegim. Kanë ardhur në pushtet duke e instrumentalizuar vdekjen e një djali të ri. Tani që kanë ardhur në pushtet, qytetarët, me të drejtë, po kërkojnë ta zbardhin të vërtetën. Por, VV-së në pushtet nuk po i intereson e vërteta për Astrit Deharin. Shefave të VV-së tani po u interesojnë vetëm tenderët e kontratat njëburimore. Për Astrit Deharin po heshtin.

Nacionale: Ndaj pretendimeve tuaja ka reaguar ministrja e Drejtësisë, znj. Haxhiu, duke i ftuar organet e drejtësisë të merren me pretendimet që i keni përmendur. Si e keni parë këtë reagim?


Tahiri: Ministrja Haxhiu nuk pati guximin të përgjigjet në pyetjet e mija, sikurse edhe krerët e tjerë të VV-së. Ata e dinë se pse po heshtin dhe çfarë po fshehin. Duke mos dashur ta zbardhin të vërtetën për Astrit Deharin, ata kanë zgjedhur të më sulmojnë mua. Nuk e kam problem dhe as është hera e parë që më sulmojnë. Por, le të merren me thelbin. Le t'u përgjigjen pyetjeve që kam ngritur. Por, me gjasë, pushteti e di që përgjigjet e atyre pyetjeve do të ishin demaskim i hipokrizisë së tyre, prandaj kanë frikë nga ato pyetje dhe prandaj më sulmojnë mua.

Nacionale: Nëse keni informacione për këtë çështje, do të bashkëpunonin me organet e drejtësisë?
Tahiri: Pa dyshim. E kam edhe obligim ligjor, por edhe obligim politik e njerëzor të bashkëpunoj me organet e drejtësisë.

Nacionale: Keni paralajmëruar se si PDK nuk do të ndaleni në zbardhjen e kësaj çështje. Ju e keni propozuar një komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje, çfarë do të bëni tjetër në këtë drejtim?
Tahiri: Ne si PDK do t'i shterrim të gjitha mjetet politike parlamentare për ta zbardhur këtë rast. Ky pushtet duhet të vihet në presion që ta zbulojë të vërtetën. Ky pushtet e ka obligim politik që ta votojë themelimin e komisionit hetimor parlamentar për këtë çështje. Duhet t'i japim fund këtij modeli politik që vjen në pushtet duke keqpërdorur dhe instrumentalizuar me çështje me ndjeshmëri publike dhe pastaj orvatet që t'i hesht ato sepse i frikësohet të vërtetës. Për fund, po e shfrytëzoj këtë intervistë për t'i shtruar sërish pyetjet për pushtetin rreth kësaj çështjeje: Kush i vodhi mostrat e rastit Dehari? Ku qëndruan ato për një vit e gjysmë? Për çka shërbyen ato mostra jashtë Institutit? A pati ndërhyrje në mostra në kohën sa ishin jashtë Institutit? Kush i ktheu ato? Pse nuk pranuat ta votoni komisionin hetimor parlamentar për zhdukjen e këtyre mostrave?

Lajme të ngjashme