Deputeti finlandez Kiljunen: Kosova u dakordua për Asociacionin si element për anëtarësimin në KiE
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Parlamentit të Finlandës, Kimmo Kiljunen ka thënë se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.
Në një intervistë për KosovaPress, Kiljunen i konsideron për keqardhje pengesat nga ana e Serbisë, meqë thotë se anëtarësimi nënkupton edhe mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë.
Ai ka theksuar se Finlanda mbështet anëtarësimin e Kosovës edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Problemi i madh është se 1.7 milionë kosovarë janë jashtë Këshillit të Evropës dhe jashtë sistemit të të drejtave të njeriut në Evropë, përfshirë Konventën për të Drejtat e Njeriut, dhe Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Dhe sigurisht, pyetja themelore për ne ishte qasja e kosovarëve në Këshillin e Evropës, sistemin e të drejtave të njeriut, sistemin e përbashkët evropian për të drejtat e njeriut. Kjo është një zbrazëti në Evropë, njerëzit tuaj. Ju jeni jashtë”.
“Pra, kjo ishte arsyeja kryesore për të votuar për anëtarësimin tuaj në Këshillin e Evropës dhe e thashë shumë qartë edhe para serbëve. Ne diskutuam në Beograd për këtë çështje. Ata ishin kritikë ndaj meje dhe thanë se çfarë, si, pse kështu? Unë e thashë shpjegimin dhe thashë në fakt është edhe interesi juaj, është edhe interesi i serbëve, sepse kur anëtarësoheni në Këshillin e Evropës një nga çështjet kryesore në Këshillin e Evropës janë të drejtat e minoriteteve, garancitë e të drejtave të minoriteteve dhe monitorimi i të drejtave të minoriteteve. Dhe, kjo nënkupton për serbët, minoritetin serb në Kosovë, se ata do të ishin pjesë e sistemit të monitorimit se si i respektoni detyrat tuaja për të drejtat e minoriteteve”, shton ai.
I pyetur se a duhet të lidhet ky proces me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai deklaron se Kosova është dakorduar për një gjë të tillë.
“Kjo është një çështje relevante. Ne në Finlandë po e mbështesim, gjithashtu edhe unë, iniciativën e Bashkimit Evropian për të lehtësuar dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Një nga elementët për të cilin jeni dakorduar në këtë proces të dialogut është Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe të drejtën e tyre për t’u organizuar. Ne po e mbështesim që kjo të materializohet si pjesë e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kështu që ne po e mbështesim atë”, deklaron ai.