Intervistë | Gashi: Zinxhiri i krimit për rezervat shtetërore shkon deri te Kurti, kemi fakte për këtë - NACIONALE

Intervistë | Gashi: Zinxhiri i krimit për rezervat shtetërore shkon deri te Kurti, kemi fakte për këtë

5 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, është shprehur i bindur për përfshirjen e kryeministri Albin Kurti në aferën korruptive për rezervat shtetërore.

Ai ka thënë se veprimi i VV-së për të sabotuar punën e Komisionit Hetimor Parlament për Rezervat Shtetërore i rrit edhe më shumë këto dyshime.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Gashi ka thënë se ekzistojnë edhe fakte që vërtetojnë se zinxhiri i korrupsionit për këtë temë shkon deri të kryeministri Kurti.

Pengimi i hetimit parlamentar nga VV-ja, ka shtuar ai, po bëhet vetëm për të fshehur të vërtetën.

Normalisht për ta fshehur të vërtetën, normalisht se ka ndodhur abuzime, sepse edhe prokuroria e shtetit ka intervistuar edhe ministren e dikasterit përkatës dhe po i vazhdon hetimet. Por, hetimi parlamentar është përtej. Pra, sipas indicieve të besueshme na rezulton që zinxhiri i krimit arrin deri të kryeministri. Pra, ky zinxhir i krimit deri të kryeministri po mundohet që të pamundësohet hetimi nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se ka fakte të drejtpërdrejta dhe rrethanore që vërtetojnë përfshirjen e kryeministrit në këtë çështje.

Ka fakte. Ka fakte të drejtpërdrejta dhe rrethanore me të cilat do të ju njoftojnë anëtaret e komisionit nga radhët e LDK-së. Por, në përgjithësi koncepti politik i abuzimit dhe refuzimit të hetimit parlamentar është i papranishëm. Dhe normalisht përfshirja e kryeministrit me deklarata publike shihet që është, sidomos e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi shihet që është e pashmangshme”, ka vlerësuar Gashi.

Si dëshmi, ai i ka përmendur lidhjet e veçanta të shefit të qeverisë me Ridvan Muharremin.

Lidhja e kryeministrit direkt për personin që i ka ofruar këto shërbime të furnizimit me grurë dhe produktet tjera esenciale, duke pasur një restorant të veçantë për kryeministrin, një lift të veçantë për kryeministrin dhe duke pasur qasje të veçantë për kryeministrin, janë indicie të mjaftueshme për ta bërë më të besueshme që një person i tillë pa i plotësuar kushtet formale-juridike, pa përvojë në sektor, arrin që të marr kontrata milionëshe nga qeveria me prokurim të drejtpërdrejt. Kontrata që klasifikohen si sekrete pa nevojë dhe po ashtu mënyra e furnizimit dhe elemente tjera kanë çaluar në tërësi në sistem. Prandaj, mendoj se është shumë problematike kjo qasje e qeverisë”, është shprehur Gashi.

Duke penguar hetimin parlamentar, ka thënë ai, VV-ja po ia pamundëson Kuvendit ushtrimin e njërit prej funksioneve kryesore.

Hetimi parlamentar është përtej hetimit penal, është hetim gjithëpërfshirës dhe ka për qëllim primar ndërtimin e një sistemi efikas. Gjetjet potenciale kriminale që mund të jenë abuzim, vjedhje apo ndonjë vepër tjetër penale, normalisht se do të dërgohet të prokurori i shtetit dhe pastaj prokurori i shtetit në bazë të provave vazhdon hetimet. Pra, kjo çka po bën Vetëvendosje është pamundësim i ushtrimit të funksionit të Kuvendit, rrezikim i sigurisë së përgjithshme dhe pengim i drejtësisë. Pra, kemi tri elemente jashtëzakonisht negative që po ndodhin në këtë sistem”, ka thënë Gashi.

Qeveria më e dështuar

Deputeti i LDK-së ka vlerësuar me notë negative Qeverinë Kurti në këto tri vite.

Gashi ka bërë me dije se kjo është qeveria më e dështuar që ka pasur Kosova.

Në aspektin institucional është qeveria më e dështuar. Sepse ka penguar funksionet bazike kushtetuese dhe mbikëqyrjen parlamentare, ka tentuar t`i kap institucionet përmes ligjeve dhe vendimeve antikushtetuese, ka tentuar t`i kap institucionet përmes emërimit të përfaqësuesve politik në institucione dhe po ashtu ka pasur afera të mëdha korruptive”, ka thënë Gashi.

Në aspektin e brendshëm, sipas Gashit, Qeveria Kurti është qeveri e paaftë.

Në aspektin e menaxhimit dhe qeverisjes së brendshme, mendoj se është qeveria më e paaftë që ka pasur në historinë e vet Kosova dhe është e vetmja qeveri që nuk ka asnjë sukses te vetëm në aspektin e investimeve të brendshme kapitale dhe të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Gashi.

Ndër të tjera, deputeti i LDK-së ka theksuar se kjo qeveri për herë të parë në histori e ka futur Kosovën në sanksione ndërkombëtare.

Në aspektin e politikes ndërkombëtare është hera e parë në histori që Kosova është në sanksione ndërkombëtare. Pra, po bëhet më shumë se një vit kur shteti i Kosovës gjendet në sanksione dhe tashmë fatura e projekteve të bllokuara është rreth një miliard euro që janë bllokuar si rezultat i sanksioneve ndërkombëtare që gjendet Kosova”, ka deklaruar Gashi.

Në këtë intervistë të gjatë, ai ka folur edhe për raportet ndërkombëtare, të cilat po e evidentojnë korrupsionin në Qeverinë Kurti, dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Lajme të ngjashme