S'ndalet Kurti, hera e 4: S'bën të mos shqetësohemi, situata në Ballkan është e rrezikshme - NACIONALE

S'ndalet Kurti, hera e 4: S'bën të mos shqetësohemi, situata në Ballkan është e rrezikshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për herë të katër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po thotë që “s’bën të qëndrohet pa u shqetësuar”, pasi sipas tij, situata është e rrezikshme.

Deklaratat për luftë, kryeministri Kurti kohëve të fundit s’i ka ndalur. Të martën, s’e përmendi fjalën “luftë”, megjithatë, tha se situatë nuk është për të qëndruar “rehat”.

CNN-it, një prej mediumeve më të njohura në botë, Kurti i tha se situata në Ballkanin Perëndimor është e rrezikshme.

“Putin na përmend çdo ditë, për këtë situata në Ballkanin Perëndimor është e rrezikuar. Kosova nuk është në NATO, por NATO është në Kosovë. Ne po e fuqizojmë mbrojtjen tonë, duke ndarë më shumë buxhet për FSK-në dhe duke e fuqizuar policinë tonë…Mendoj se jemi të sigurtë, por kjo nuk nënkupton se nuk duhet të mos shqetësohemi”, tha Kurti.

Tri herët tjera

Në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List”, Kurti javën e kaluar shprehu shqetësimin mbi pretendimet se Serbia aktualisht po shpenzon më shumë për forcat e saj të armatosura sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku.

“Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar, dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitjet më të rëndësishme ushtarake që kishin qenë, të quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllovene’”, tha Kurti.

Ndërkaq, gjatë muajit të kaluar, ai dha deklarata të ngjashme edhe për dy media të tjera ndërkombëtare.

“Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit në një mënyrë apo tjetrën mund të kthehen edhe në një sulm kundër Kosovës. Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, kishtë thënë ai për Reuters.

Para kësaj, Kurti i kishte thënë gazetës italiane, La Repubblica, se nuk mund ta përjashtojë konfliktin e mundshëm në Kosovë.

“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti për La Repubblica të Italisë.

Marrëveshja finale

Kurti për CNN, foli edhe rreth marrëveshjes finale me Serbinë, duke përmendur javët dhe muajt në vazhdim.

Kryeministri në këtë intervistë me Christiane Amanpour, tha se është optimist që me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve.

“Shpresoj që Brukseli ta vlerësojë e përfundimisht në javët e muajt e ardhshëm t’i afrohemi marrëveshjes me qendër njohjen e ndërsjellë. Pavarësia e Kosovës po ashtu po konfirmohet nga shumica e shteteve në botë që na njohin, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Debati për ligjshmërinë e pavarësisë sonë ka mbaruar. Ajo që duhet rregulluar është marrëdhënia abnormale mes Kosovës e Serbisë”, tha shefi i ekzekutivit.

Sa i përket marrëveshjes së fundit të arritur me Serbinë, asaj për dokumente, Kurti tha se preferon që qytetarët të kenë lëvizje më të lehtësuar.

“Sa i përket targave por edhe gjërave tjera, do të vazhdojmë me parimin e reciprocitetit. Do të ketë nga dy anët prezantimin e të njëjtës gjë apo në asnjërën. Preferoj që asnjërën. Pasi në këtë mënyrë do të lehtësojmë lëvizjen e qytetarëve”, tha Kurti.

Lajme të ngjashme