Si u prit deklarata e Kurtit për luftën në Kosovë? - NACIONALE

Si u prit deklarata e Kurtit për luftën në Kosovë?

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar edhe njëherë tjetër edhe për mundësinë e një luftë në Kosovë, duke pretenduar se Serbia aktualisht po armatos shumë ushtrinë e saj me armë nga Kina dhe Rusia.

Në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List”, kreu i ekzekutivit shprehu shqetësimin e mbi pretendimet se Serbia aktualisht po shpenzon më shumë për forcat e saj të armatosura sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku.

Ndër të tjera, ai tha se Serbia po sillet në Ballkanin Perëndimor si Federata Ruse, duke e akuzuar Vuçiqin se po dëshiron bosnjëzimin e Kosovës në formën e një entiteti autonom serb, Republika Srpskan në Bosnje po përpiqet ta bëjë Bjellorusi, ndërsa Malin e Zi Ukrainë.

Lidhur më këto deklarime të ripërsëritura të Kurtit, nuk munguan reagimet nga opozita dhe analistë të shumtë.

Analisti Halil Matoshi, në një prononcim për Nacionalen, ka thënë se ndonëse qëllimi i shefit të qeverisë është që me deklarata të tilla shtetin serb ta vendosë në një pozitë të keqe para fuqive të mëdha, kjo shpërfaq paranojë që daton nga koha e frikës gjatë Luftës së Ftohtë.

Matoshi ka krahasuar deklarimet e Kurtit edhe me praktiken e ‘McCarthyism’, term që i referohet praktikave dhe politikave të diskutueshme të senatorit amerikan Joseph McCarthy, një praktikë e ngritjes së pretendimeve të rreme ose të pabaza.

“Kryeministri Kurti duke u përpjekë që me e qitë keq Serbinë në sytë e shteteve tjera (fuqive të mëdha) vetëm sa po e shfaq një lloj të politikës paranojake që mund të krahasohet me përdorimin e frikës gjatë Luftës së Ftohtë ose me McCarthyism-in. McCarthyism është praktikë e fabrikimit të armiqëve dhe ngritjes së akuzave të rreme ose të pabaza për përmbysje dhe tradhti”, tha Matoshi për Nacionale.

Një pikëpamje interesante rreth paralajmërimeve të përsëritura të Kurtit për luftë dha edhe anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu.

Sipas zëdhënësit të kësaj partie, Kurti, deklarata të tilla tashmë i ka shndërruar në formulë të ‘amortizimit’ ndaj pakënaqësive të mundshme ndaj tij.

Sipas këtij konstatimi, sa më më të shpeshta paralajmërimet për një luftë, aq më shumë minimizohen problemet reale të qytetarëve tanë.

“Kurti e ka gjetë formulën që t’i amortizoj pakënaqësitë e qytetarëve. Ai po thotë - Mund të ketë luftë përsëri. A e dini pse ? Sepse sa më i madh kërcënimi për luftë në Kosovë, aq më shumë minimizohen problemet reale të qytetarëve tanë. Ai sikur ju thotë qytetarëve të Kosovës - Harroni të gjitha, duhet të bëhemi bashkë, duhet të pajtohemi rreth një kauze të vetme, sepse mund të kemi luftë, mund të na sulmoj Serbia. Formulë e vjetër djallëzore e të gjithë diktatorëve dhe autokratëve për t’i minimizuar problemet ekstra të mëdha që ata i prodhojnë me keq-qeverisje. Diktaturë tipike populiste sot në Kosovë të cilës i prinë Kurti këndej Vuçiqi andej. Me këtë formulë Kurti dëshiron ta amortizoj edhe opozitën, duke e akuzuar se ajo me kritika e sulme po punon për Serbinë, në vend se të punoj për unitet kundër Serbisë. Harron “Kryepopulisti i Ballkanit” se me këtë frikë ndjellakeqe për kinse një luftë në Kosovë, po i largon investitorët, komplikon dialogun, zhgënjen diasporën, vonon njohjet, vonon zgjidhjet e problemeve dhe për më keq - storien e Kosovës si storie të suksesit e paraqet me gojë të vetë si storie që nuk po bëhet sukses por po shkon ka dështimi dhe lufta”, tha Abdullahu.

Kritika ndaj deklaratave të Kurtit kishte edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, cili paralajmërimet e kreut të qeverisë i cilësoi absurde duke sjellur në kujtesë faktin që Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë anëtare të NATO-s, ndërsa në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, aleanca më e madhe ushtarake në botë garanton paqe dhe siguri përmes prezencës së saj.

Veç kësaj, Hoti ka akuzuar kryeministrin Kurti se këtë po e bën për të mbuluar dështimin në qeverisje.

“Nuk do të ketë luftë në Kosovë dhe as në rajon. Asnjë qeveri në rajon nuk mundet dhe nuk guxon të mendoj të nis luftë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në NATO. Ndërkaq, NATO-ja është e vendosur në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Serbia është e rrethuar me anëtarë të NATO-s. E gjitha çfarë mund të jetë e pritshme të ndodh, është përballja e Kosovës dhe rajonit me kolaps ekonomik dhe demografik. Gjithmonë nëse nuk zbatohen politikat e duhura, nëse nuk lëvizet më shpejt drejt integrimit evropian dhe nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet ekzistuese. Disa politikanë që e përmendin luftën, e bëjnë për të mbuluar dështimin në qeverisje. E bëjnë për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga kriza energjetike, inflaconi i lartë e pakënaqësitë sociale”, tha Hoti.

Ndërsa Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), paralajmërimet e Kurtit i trajtoi me ironi, duke bërë thirrje që deklarimet e tij të merren me sportivitet përderisa paralajmërime të tilla nuk ka nga shtetet si SHBA-të apo Britania e Madhe.

“Derisa nuk e dëgjoni Amerikën ose Britaninë e Madhe se ka rrezik për luftë në Ballkan, merrni me sportivitet deklaratat e politikanëve lokal”, tha ai.

Për dallim nga të tjerët, profesori Milazim Krasniqi, njëherësh babai i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deklaratat e Kurtit për rrezikun e një luftë megjithatë nuk duhen shihen si krejtësisht të pabaza sepse Serbia e ka atë plan dhe Rusia po e nxitë në atë drejtim.

Si bazë për këtë, Krasniqi e ka marrë deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se nuk do ta japë asnjë pëllëmbë toke të Kosovës.

Kjo, sipas profesorit Krasniqi, përbën ‘de fakto’ qëndrim luftënxitës.

"Albin Kurti nuk duhet të fajësohet kur flet për rrezikun e luftës. Rreziku i luftës vërtet është potencial, sepse Serbia e ka atë plan dhe Rusia po e nxitë në atë drejtim. Vetë fakti që presidenti serb tha pardje në Bielinë se nuk do ta japë asnjë pëllëmbë toke të Kosovës, de fakto është qëndrim luftënxitës. Albin Kurti duhet të mbahet përgjegjës për tjetër gjë: ai e ka obligim ta shmang rrezikun nga planet serbe e ruse të luftës. Ajo është detyra e tij. Si fillim, duhet të gjejë rrugë ta shmang problemin e targave, sepse ai është kurth. Dhe të fokusohet te integrimi i serbëve dhe mbyllja me marrëveshje e çështjes së bashkësisë së komunave serbe, në pako me një marrëveshje ndërkombëtarisht obligative. (E qartë është që njohja nuk është në rend dite.) Ai duhet ta kuptojë se edhe në BE mund të ketë shtete e politika që duan luftë, për ta zhbërë shtetin e Kosovës, për idiotizmat e veta. Pra, Kurti duhet të alarmojë për rrezikun nga Serbia, por duhet të punojë për ta shmangë me çdo kusht atë rrezik, e jo të futet në skemën e konfliktit, i cili i duhet Rusisë, paçka se edhe serbët lokalë dhe Serbia do të ishin dëm kolateral", shkroi Krasniqi në Facebook.

Kujtojmë që deklaratat e Kurtit rreth mundësisë që Kosova të sulmohet nga Serbia ishin bërë lajm botëror.

Ai në intervistën e tij për agjencinë e lajmeve “Reuters”, kishte thënë se tensionet me serbët mund të eskalojnë dhe mund të shndërrohen në sulm kundër Kosovës në një formë ose tjetër.

Lajme të ngjashme