Kurti përsërit deklaratën për luftë edhe në Reuters: Jemi vigjilent, por nuk frikohemi - NACIONALE

Kurti përsërit deklaratën për luftë edhe në Reuters: Jemi vigjilent, por nuk frikohemi

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Kosova është e përgatitur të qëndrojë kundër një sulmi të mundshëm nga Serbia pasi përkeqësimi i grindjeve me pakicat serbe mund të rezultojë në një konflikt të ri të armatosur, kështu është shprehur kryeministri Albin Kurti në një intervistë të dhënë për Reuters të mërkurën.

Në fillim të këtij muaji, kur Prishtina tha se do të detyrojë serbët që jetojnë në veri, të cilët mbështeten nga Beogradi dhe nuk i njohin institucionet e Kosovës të nisin përdorimin e targave të lëshuara në Prishtine, tensionet midis Serbisë e Kosovës u ndezën sërish.

Megjithatë, situata u qetësua pasi Kurti, nën presionin e ShBA-së dhe Bashkimit Evropian, ra dakord që të shtyjë rregullin për targat e makinave deri më 1 shtator ku më pas paqeruajtësit e NATO-s mbikqyrën heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët.

“Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit në një mënyrë apo tjetrën mund të kthehen edhe në një sulm kundër Kosovës”, është shprehur Kurti për Reuters, duke folur në anglisht. “Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar,” tha ai.

Ai shtoi: “Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”.

Vendi i vogël ballkanik pa dalje në det fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pothuajse një dekadë pas një kryengritjeje guerile kundër sundimit represiv të Beogradit.

Serbët etnikë përbëjnë 5 për qind të popullsisë 1.8 milionëshe të Kosovës, që është 90 për qind shqiptarë etnikë.

Ndërsa, rreth 50,000 prej tyre jetojnë në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë, 40,000 të mbetur jetojnë në jug të lumit Ibër dhe janë duke përdorur targa të lëshuara nga qeveria e Kosovës.

Serbia ka mohuar ngritjen e tensioneve dhe konfliktit në Kosovë, duke akuzuar Prishtinën për shkeljen e të drejtave të pakicave serbe.

Kurti kritikon rolin e Rusisë

Ndërsa, partitë opozitare në Prishtinë e kanë akuzuar Kurtin se po frikëson investitorët duke folur hapur për një konflikt të ri të mundshëm me Beogradin.

Kurti i hedh poshtë këto akuza. Ai akuzoi Rusinë, e cila është aleati kryesor i Serbisë dhe ka vënë veton ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara, se po luan rol në nxitjen e tensioneve të reja etnike në ish-krahinën jugore të Serbisë.

“Presidenti despotik (rus), Vladimir Putin është një njeri i luftës dhe ai do të kishte interes për të përhapur luftën, sepse ai dëshiron të normalizojë luftën,” tha Kurti, duke aluduar për pushtimin e Rusisë në Ukrainën fqinje në shkurt.

“Ne kemi institucionet dhe organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova tani është shtet, ky nuk është viti 1998”, tha Kurti.

Ai më tej shtoi se: “Ky është viti 2022, kështu që ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin tonë, integritetin territorial, për të mbrojtur demokracinë, sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe për të mbrojtur progresin tonë.”

Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq pritet të takohen në Bruksel më 18 gusht për më shumë bisedime.

Si Beogradi ashtu dhe Prishtina janë të përkushtuar publikisht për një dialog të mbështetur nga BE-ja, për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, por deri më tani është bërë shumë pak përparim.

Kosova i është bashkuar BE-së dhe ShBA-së në dënimin e veprimeve të Rusisë në Ukrainë duke i’u bashkuar edhe sanksioneve kundër Moskës. Ndërsa, pavarësisht synimit të saj për t’u bashkuar me BE-në dhe për të harmonizuar poltikën e jashtme me bllokun, Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë.

Në vitin 1999 Kosova hodhi poshtë dominimin serb, pasi sulmet ajrore të NATO-s i dhanë fund një kundër-kryengritjeje brutale nga forcat serbe të sigurisë. Por Serbia ligjërisht ende e konsideron Kosovën pjesë integrale të territorit të saj dhe me ndihmën e Moskës e ka bllokuar Kosovën nga anëtarësimi në institucione të ndryshme ndërkombëtare

Për të ruajtuar paqen e saj të brishtë NATO ka të stacionuara rreth 3,700 trupa në Kosovë dhe javën e kaluar aleanca tha se nëse rrezikohej stabiliteti i vendit dotë ndërhynte në përputhje me mandatin e saj.

Intervista e plotë e dhënë për Reuters, përkthyer nga Nacionale.

Lajme të ngjashme