Dyshime për rrjedhje të të dhënave nga ARBK-ja, bie sistemi – Sadiku kërkon reagim nga Policia
Faqja zyrtare e ARBK-së, dyshohet se ka ekspozuar të dhënat e bizneseve, përfshirë këtu të dhënat personale të pronarëve, dokumentet e identifikimit, të dhënat e personave të autorizuar nëpër biznese etj.
Sot për këtë çështje ka reaguar edhe Ermal Sadiku, deputet nga LDK-ja, i cili ka shfaqur edhe disa dyshime lidhur me situatën.
“Faqja po përballet me mbingarkesë të vazhdueshme. Dyshimi im është se përmbajtja e saj po ‘scrapohet’ në mënyrë massive nga qindra kërkesa automatikë, gjë që mund të jetë duke e shkaktuar këtë situatë”, ka shkruar ai në Facebook.
Sadiku ka thënë se një rast i tillë do të kërkonte reagim të menjëhershëm nga Policia e Kosovës, përkatësisht njësitë për krime kibernetike, si dhe nga Prokuroria, për të hetuar nëse ka pasur qasje të paautorizuar apo keqpërdorim të të dhënave.
Gazeta Nacionale kishte raportuar para më shumë se dy muajve për një kërkesë skandaloze që kishte ardhur në atë kohë nga zëvendësministri i MINT-it, Fatban Bunjaku, në drejtim të drejtores ekzekutive të ARBK-së në atë kohë, Igballe Rexhës.
Fatban Bunjaku, menjëherë pas emërimit në pozitën e zv.ministrit, kishte kërkuar nga drejtuesit e ARBK-së që t’i siguronin qasje të avancuar në sistemin dhe të dhënat e ARBK-së, gjë që ishte krejtësisht në kundërshtim me Ligjin, sepse një qasje e tillë nuk i është ofruar asnjëherë stafit politik, përveç personave të autorizuar në ARBK.
“Ty të ka thanë zëvendësministri a? Jemi në bisedime, jemi në bisedime…”, kishte deklaruar ish-u.d drejtoresha ekzekutive e ARBK-së, Igballe Rexha para më shumë se dy muajve, kur ishte telefonuar nga gazetari i Gazetës Nacionale, Oqean Dërmaku, duke konfirmuar kështu se ishte në bisedime me zëvendësministrin Fatban Bunjaku, për t’i ofruar një qasje të tillë.
Edhe sot, pas problemeve të raportuara dhe shqetësimeve të ngritura, Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë përgjigje sqaruese nga MINTI, por deri në publikimin e këtij artikulli, të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Menjëherë pas dërgimit të pyetjeve nga ana e Gazetës Nacionale, faqja e ARBK-së ka rënë nga sistemi, nuk ka lejuar qasje, duke njoftuar se faqja nuk është në dispozicion.