Haxhiu flet pas takimit: Jep detaje për konstituimin e Kuvendit, regjistrimi i deputetëve nis më 3 gusht - NACIONALE

Haxhiu flet pas takimit: Jep detaje për konstituimin e Kuvendit, regjistrimi i deputetëve nis më 3 gusht

40 minuta më parë

nga NACIONALE

Kryetarja e Kuvendit dhe njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka dhënë detaje lidhur me takimin me përfaqësuesit e partive politike, duke konfirmuar hapat e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu bëri të ditur se, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 8 korrik, është thirrur seanca e parë e Kuvendit në përputhje me Kushtetutën.

Më 8 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit. Në bazë të kësaj, Presidenti i Republikës së Kosovës, në kuadër të kësaj, thirri mbledhjen e parë të Kuvendit. Në përputhje me Kushtetutën, seanca konstituive do të mbahet më 6 gusht, në orën 10:00. Rendi i ditës i seancës konstituive, sipas Rregullores, ka katër pika: Formimi i Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, shqyrtimi i raportit të tij, betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit apo kryetares së Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Administrata e Kuvendit ka përfunduar përgatitjet për regjistrimin e deputetëve dhe, siç e dini, regjistrimi i deputetëve do të bëhet më: 3 gusht për Lëvizjen Vetëvendosje, 4 gusht për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe 5 gusht për Aleancën dhe deputetët që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës”, tha Haxhiu.

Haxhiu ka folur edhe për zhvillimet e fundit në LDK, duke iu gëzuar lajmit për qëndrimin në krye të partisë, të Lumir Abdixhikut.

Ajo e quajti lajm të mirë, Kuvendin e LDK-së dhe mbijetesën e Abdixhikut, i cili paraprakisht kishte zhvilluar takime me liderin e VV-së, Albin Kurti, dhe ishte raportuar se parimisht kishin disa pajtime.

Tutje, Haxhiu tha se është e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë dhe se do të ketë përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit.

Së pari, është lajm i mirë që tashmë, kemi pasë një mbledhje të LDK-së dje. Pra lajm i mirë në kuptimin që tashmë mund të vazhdojnë takimet, sepse siç e dini, ato janë të pezulluara deri në qartësimin e situatës brenda LDK-së. Sigurisht që nuk është në mandatin tim as në përgjegjësitë e mia, sidomos jo në cilësinë që jam që të flas për atë çështje, por është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë. Pra, ato të fillojnë dhe të mbahen. Dhe të ketë përpjekje maksimale, seriozitet, që të arrihet një marrëveshje, me të cilën arrijmë, pra të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit. Pra është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë”, tha Haxhiu.

Lajme të ngjashme