“Mbijetoi me 18 vota diferencë”, Abdixhiku: Kuvendi ishte i panevojshëm, LDK-ja ka nevojë për bashkim
Kryetari i LDK-së, i rizgjedhur në këtë post, Lumir Abdixhiku, i cili i mbijetoi votimit me vetëm 18 vota diferencë, ka reaguar përmes një shkrimi, duke thënë se ky Kuvend, sipas tij, ishte i panevojshëm dhe i dëmshëm.
Tutje, ai tha se LDK-ja ka nevojë për bashkim dhe se demokracia nuk kërkon njëzëshmëri, por respekt.
Në total, 170 delegatë votuan kundër shkarkimit të tij, ndërsa 152 votuan pro largimit të tij nga drejtimi i partisë. Pesë fletëvotime u shpallën të pavlefshme, duke bërë që Abdixhiku të mbetet në krye të LDK-së me një diferencë prej vetëm 18 votash.
“Në LDK, fjala e fundit i takon gjithmonë anëtarësisë. Mbrëmë ajo foli.
Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së.
LDK-ja mbetet veç e anëtarësisë dhe ky është verdikti më thelbësor që dha LDK-ja mbrëmë.
Kjo periudhë na sprovoi. Por sprovat nuk duhet të na ndryshojnë vlerat. LDK-ja është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, të maturisë dhe të respektit për mendimin ndryshe. Pikërisht këto vlera duhet të na udhëheqin edhe tani.
Prandaj, sot kam vetëm mirënjohje. Mirënjohje për ata që më besuan. Po aq mirënjohje edhe për ata që menduan ndryshe. Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri; ajo kërkon respekt.
Tani, më ndihmoni të gjithë të bashkojmë këtë shtëpi dhe nga këtu të bashkojmë edhe gjithë Kosovën.
Ky është roli ynë si LDK e vërtetë. Rolet tjera nuk na përkasin neve.
LDK-ja ka nevojë për bashkim, ndërsa Republika ka nevojë për stabilitet institucional, për institucione funksionale dhe për një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër. Ky do të mbetet orientimi ynë. Kështu njihet LDK-ja.
Mbrëmë mbyllëm një kapitull.
Sot fillojmë punën, së bashku.
Për LDK-në e anëtarësisë. Për Republikën e popullit tonë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndryshe, Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, i cili u thirr nga delegatët e kësaj partie. Anipse Abdixhiku tri herë, i humbi zgjedhjet duke e pozicionuar partinë e tij, në tri palë zgjedhje në pozitën e tretë, ai sërish i ka mbijetuar votëbesimit.