Dyqind e disa mijëra euro për dyqind e disa votues, çka u arrit me referendumin që parashihej të dështonte? - NACIONALE

Dyqind e disa mijëra euro për dyqind e disa votues, çka u arrit me referendumin që parashihej të dështonte?

1 javë më parë

nga Flakon Demaku

Ndonëse parashihte dështimin e referendumit "për apo kundër" shkakrimit të katër kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, më 22 mars të këtij viti Qeveria e Kosovës ndau hiç më pak se 254 mijë euro nga buxheti i shtetit. Për gjithë këtë nismë, të drejtën e votës e shfrytëzuan vetëm rreth 265 qytetarë serbë. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian nuk premtoi heqjen e masave në një të ardhme të afërt edhe pse referendumi ishte ndër kriteret për qeverinë e Kosovës. Cili ishte rezultati i gjithë kësaj?

Vendosja e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale nën mbikëqyrjen e policisë përshkallëzoi tensionet në komunat veriore gjatë vitit të kaluar. Sitauta në atë zonë u përkeqësua kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Krejt kjo situatë e detyroi Bashkimin Evropian të vendos disa masa me pasoje ekonomike ndaj Kosovës si ndëshkim pas shpërfilljes së deklaratës së 3 qershorit, e cila kërkonte që Qeveria e Kosovës të ndërmerrte një sërë veprimesh për të parandaluar deeskalimin e mëtejshëm në veri të vendit. Ndonëse po mbushen gati një vit nga masat, BE-ja ende nuk ka qartësuar nëse masat do të ketë largim të masave.

Referendumi që parashihte të përcaktonte fatin e kryetarëve shqiptarë u bojkotua masivisht nga popullata serbe. Me vetëm 265 votues, KQZ njoftoi dje “se nuk është arritur 50% plus 1 i domosdoshëm. Kësisoj, u konstatua se "iniciativa e qytetare për largimin e kryetarëve ka dështuar".

Pavarësisht dështimit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje Bashkimit Evropian për heqjen e masave me argumentin se qeveria e Kosovës ka përmbushur “kriterin kyç"; "mundësimin e shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve".

Thirrje për heqjen e masave të BE-se ndaj Kosovës pati edhe nga ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Sipas tij, qeveria e Kosovës “ka siguruar infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik”.

“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë nga komuniteti ndërkombëtar”, tha ai.

“Ka ardhur koha, tani më shumë se kurrë që BE-ja të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës. Kosova ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës”, deklaroi ai.

Nisur nga premisa që qeveria kishte parashikuar në fund të vitit të kaluar se procesi nuk ofron zgjidhje për shkarkimin e kryetarëve, rezulton se qëllimi i vetëm ishte përmbushja e kriterit që do të çonte në heqjen e masave ndaj Kosovës.

Megjithatë, pavarësisht thirrjeve të qeverisë së Kosovë, BE-ja, në një përgjigje për Nacionalen, tha se kjo gjë vendoset në bazë të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, kur ky i fundit ta bëjë atë.

“Sa i përket masave, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”, ka thënë Stano.

Lajme të ngjashme