Deklaratat e Kurtit për luftë përsëri temë në mediet e njohura ndërkombëtare - NACIONALE

Deklaratat e Kurtit për luftë përsëri temë në mediet e njohura ndërkombëtare

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e tij për agjencinë “Reuters” se tensionet me serbët mund të eskalojnë dhe mund të shndërrohen në sulm kundër Kosovës në një formë ose tjetër, janë bërë përsëri lajm në medie të ndryshme botërore. Lajmi ka shkuar deri në ShBA e Izrael.

Fjalët e shefit të qeverisë kosovare në intervistën me agjencinë e njohur janë raportuar nga faqja amerikane e lajmeve, “US News”, e cila e citoi Kurtin për tensionet me Serbinë. “Nuk po them se ata do të na sulmojnë këtë javë ose tjetrën, por do të ishte tërësisht e papërgjegjshme që të përjashtohet mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, tha kryeministri Kurti.

Partitë opozitare në Prishtinë e kanë akuzuar Kurtin për frikësim të investitorëve duke folur haptazi për mundësinë e një konflikti të ri me Beogradin. Kurti i refuzon këto akuza. Ai e akuzoi Rusinë, që është aleatja kryesore e Serbisë dhe e ka përdorur veton kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, për një rol në nxitjen e tensioneve të reja etnike në ish-provincën jugore të Serbisë, raportoi “US News”.

“Presidenti despotik, Putin, është njeri i luftës dhe ai do të kishte interes për ta përhapur luftën, sepse ai dëshiron që ta normalizojë luftën”, duke aluduar te pushtimi rus i Ukrainës.

Për intervistën e Kurtit me agjencinë “Reuters” raportoi edhe gazeta e njohur izraelite, “Jerusalem Post”. “Tensionet mes Serbisë e Kosovës u rritën sërish më herët këtë muaj, kur Prishtina tha se do t’i obligonte serbët që jetojnë në veri, të cilët përkrahen nga Beogradi dhe nuk i njohin institucionet e Kosovës, që ta fillojnë përdorimin e targave të lëshuara nga Prishtina”, raportoi kjo gazetë.

“Situata u qetësua, pasi Kurti, nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, u pajtua që ta shtynte rregullën për targat deri më 1 shtator dhe paqeruajtësit e NATO-s e mbikëqyrën largimin e barrikadave të vendosura nga serbët”, raportoi më tej gazeta.

Fjalët e Kurtit i publikoi edhe rrjeti medial evropian, i specializuar në politikat e BE-së, “Euroactiv”.

“Ne nuk duhet që ta përjashtojmë mundësinë që këto politika agresive të Beogradit të mund të kthehen në sulm kundër Kosovës në një mënyrë ose tjetër. Jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”, citohet të ketë thënë Kurti në intervistë.

“Kosova dhe Serbia kanë qenë të angazhuara në një dialog të lehtësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve. Dialogu ka treguar shumë pak sukses. Palët e kanë fajësuar njëra-tjetrën për moszbatimin e më shumë se 30 marrëveshjeve”, raportoi “Euroactiv”.

“Çështja kritike – njohja e Kosovës nga Serbia – kurrë nuk ka qenë në tavolinë gjatë dhjetë vjetëve të dialogut”, thuhet më tej në faqen evropiane të lajmeve. /Nacionale

Lajme të ngjashme