"Banka Botërore me Kosovën, FMN-ja me Serbinë?", ekonomistët i shpjegojnë pushtetit realitetin e projeksioneve ekonomike - NACIONALE

"Banka Botërore me Kosovën, FMN-ja me Serbinë?", ekonomistët i shpjegojnë pushtetit realitetin e projeksioneve ekonomike

7 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Kur kanë mbetur edhe pak muaj për të përmbushur mandatin 4-vjeçar, partia në pushtet nuk lë tregues apo projeksion minimal pa e shpallur si “arritje”. Megjithatë, realiteti ekonomik i këtyre treguesve mbetet shumë më kompleks se interpretimet shpeshherë groteske të pushtetit. Projeksionet e rritjes ekonomike, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk duhet të merren si tregues të rritjes së garantuar. Ndër të tjera, ata shpjeguan se zhvillimi ekonomik i vendit "është sfiduar nga rënia e fuqisë blerëse dhe rritja e varfërisë për shkak të inflacionit" gjatë viteve të fundit.

Në raportin e fundit nga Banka Botërore, peizazhi ekonomik i Kosovës, përveç parashikimit për një rritje mjaft të moderuar - me ritme rritjeje potencialisht 3.7 për qind dhe 3.9 për qind.

Ish-zëvendësministri i MEPTINIS-it, Edison Jakurti, ka treguar se për dallim nga projeksionet e Bankës Botërore në të cilat Kosova prin sa i përket projeksioneve për rritje ekonomike në tre vitet e ardhshme, kreditori ndërkombëtar, me përjashtim të vitit aktual, ka parashikuar që Serbia të ketë rritjen më të lartë në rajon në vitit e ardhshme. Në këtë kontekst, doktoranti i ekonomisë ka paralajmëruar se projeksionet duhet të shihen vetëm si të tilla.

Jakurti ka shpjeguar në reagimet e tij në Facebook se projeksionet për rritje ekonomike nuk janë medoemos përcaktuese dhe se rritja se mund të ndryshoj në varësi të zhvillimeve.

“Çfarë do të thotë kjo? Fatkeqësisht, asgjë e re. Fillimisht, duhet të thuhet se këto janë vetëm projeksione, të cilat përditësohen në varësi të zhvillimeve, dhe nuk janë përcaktuese për rritjen që ndodh në realitet. Të tilla mund të gjejmë në raporte të ngjashme ndër vite”, tha ai.

Jakurti shpjegoi se projeksionet “s’duhet të merren afër zemre” pasi ato reflektojnë në vazhdimësi situatën në teren.

Ç’të bëjmë me këto projeksione tani? T’i themi Bankës Botërore se ti je me Kosovën, ndërsa FMN-së me Serbinë? Jo. Veç duhet të mos i marrim fort ngat zemrës projeksionet, sepse janë vetëm projeksione, e të punojmë fort që ta ndryshojmë realitetin në terren. Pastaj ndryshimi reflekton në statistika.” – tha ai.

Eksperti ekonomik kujtoi mesataren e periudhës postpandemike 2021-2023 ku në nëntë vite rritje reale ekonomike e Kosovës ka qenë më e larta në rajon.

“Si shtet i pavarur, gjatë periudhës 2009-2019, mesatarja e rritjes reale ekonomike të Kosovës ka qenë rreth 4.7%. Nga këto 11 vite, në 9 prej tyre rritje reale ekonomike e Kosovës ka qenë më e larta në rajon. Përkundër kësaj statistike, për të njëjtën periudhë mund të flasim gjatë për dinamikën dhe nivelin e zhvillimit ekonomik, i cili ka qenë shumë prapa rritjes ekonomike. Duhet kuptuar, se këto të dyja nuk janë e njëjta gjë”, tha ai.

Jakurti theksoi se përkundër përparimeve. zhvillimi ekonomik është sfiduar “nga rënia e fuqisë blerëse dhe rritja e varfërisë për shkak të inflacionit, thellimi i mëtejmë i deficitit tregtar, ulja e shkallës së papunësisë si pasojë më shumë e emigrimit sesa e punësimit, mungesa e ndryshimeve në politikat fiskale dhe rregullimeve aq të nevojshme në sistemin financiar, etj.”

Se vendi është përballur me deficit të lartë tregtar gjatë viteve të fundit ka treguar edhe i nënkryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Suat Berisha.

Në një prononcim për Nacionalen Berisha tha se krahasuar me një vit më parë, eksportet e Kosovës në vitin 2023 shënuan rënie prej 100 milionë euro.

“Kosova në vitin 2023 është përballur me një deficit tregtar në rritje (mbi 4,7 mlrd euro), në raport të mbulimit të importit me eksport, me që rast importi është mbuluar vetëm 15.3% me eksport. Sipas analizave dhe të dhënave të AKB-së, Kosova gjatë vitit 2023, ka pas import në vlerë prej 5.6 miliardë euro, ndërkohë që eksporti ka qenë vetëm 820 milionë euro, çka, krahasuar me vitin 2022 është shënuar rënie prej 100 milionë euro pasi që një vit më parë, vlera ishte 920 milionë euro. Aleanca Kosovare e Biznesve është e shqetësuar me debalancin tregtar-deficitin, ngase bizneset e Kosovës eksportuan 100 milionë euro produkte dhe shërbime më pak në tregjet globale në vitin e kaluar”, tha ai.

Ai hedh dritë mbi disa nga arsyet për këtë përkeqësim të performancës ekonomike, duke përfshirë mungesën e subvencioneve, inflacionin dhe mungesën e mbështetjes për prodhimet vendore nga qeveria.

“Mos-subvencionimi i duhur i eksportit, mungesa e burimeve të lira financiare, ngritja e çmimeve të lëndëve të para inflacioni, mos përkrahja e promovimit të prodhimeve vendore në Kosovë dhe jashtë saj, politikat fiskale jo favorizuese për prodhuesit vendor si dhe mungesa e strategjisë të qeverisë, që përmes ambasadorëve dhe atasheve ekonomik jashtë Kosovës të promovoj oroduktet vendore në tregjet ndërkombëtare.” – tha ai.

Lajme të ngjashme