Skënderaji merr Audi Q5 me qera për 4950 euro, kryetari thotë që s’po kanë me çka të vijnë në Prishtinë - NACIONALE

Skënderaji merr Audi Q5 me qera për 4950 euro, kryetari thotë që s’po kanë me çka të vijnë në Prishtinë

10 muaj më parë

nga Trina Zuka

Me datën 31 mars të këtij viti, komuna e Skenderajt ka nënshkruar një kontratë me një autosallon, për ‘marrjen me qira të një automjeti për nevojat e kësaj komune’.

Kjo kontratë e fituar pas ritenderimit, është shumë e mangët në informacione me asnjë të dhënë të vetme, përveç çmimit, vlerën e ka 4950 euro.

Kryetari i kësaj komune nga Partia Demokratike, Fadil Nura pa treguar se pse nuk ka informacione në këtë kontratë. Ai i tha Nacionales se arsyeja e marrjes me qera të kësaj veture, është gjendja e rëndë e automjeteve ekzistuese të komunës. Ndërsa vetura e marrë me qera është Audi Q5.

“Këtë veturë e kemi marrë për nevoja të komunës, për shkak se gjendja e automjeteve ekzistuese të autoparkut të komunës është tepër e randë. Përmes AQP-së kemi kërku këtë gjë, sepse kontratën e ka bërë niveli qendror, se është në fuqi edhe për komunat. Veturat të cilat i kanë ata të kontraktuara nuk ka pasë në atë kohë, andaj pas konfirmimit të tyre jemi detyru me shpallë procedura dhe me kontraktu një veturë për nevojat e komunës,” - tha Nura për gazetën.

I pyetur nga gazeta se cila është periudha e marrjes në shfrytëzim të kësaj veture, kryetari Nura nuk ishte në dijeni. Përveç se tregon që vlera është nën çmimin e tregut.

Vetura në përgjithësi është për nevojat e komunës. Nuk e di saktësisht sa është shfrytëzimi i saj, por kontrata është e limitume. E di që vlera është nën vlerën e çmimit të tregut. Është audi Q5”, deklaroi kryetari.

Gazeta ka kontaktuar edhe me fituesin e kontratës, pronarin Esat Xanin me autosallonin “Byli”, por i njëjti ka folur vetëm për vitin e veturës Audi, dhe ka mbyllur telefonin, duke mos qenë i qasshëm më.

“Audi është e vitit 2013 ose 2014 najsen,” - ka thënë z. Xani.

E kryetari i Skenderajt Fadil Nura ka treguar se komuna gjithsej i ka 7 vetura por si shkak i gjendjes jo të mirë të tyre, i njëjti është detyruar që në një mbledhje në Shqipëri të shkojë me veturën e tij personale.

“Nësë nuk gaboj 7 vetura janë komplet, por nuk janë në gjendje të sigurt as deri në Prishtinë me udhëtu. E le ma me pas naj vizitë. Në Shiqipëri për shembull për punë të komunës kam shku me kerr privat, sepse nuk i kam besu asnjë veture që kemi në komunë”

Në kuadër të KAP-it për vitin e ardhshëm Nura tregon se i ka paraparë 100 mijë euro, për blerjen e veturave të komunës.

Lajme të ngjashme