Mimoza Kusari 'hahet' me Petar Petkoviqin, sinjalizon në kthim drejt kursit të Avdullah Hotit - NACIONALE

Mimoza Kusari 'hahet' me Petar Petkoviqin, sinjalizon në kthim drejt kursit të Avdullah Hotit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një konflikt në Twitter ka nisur mes Petar Petkoviqit dhe Mimoza Kusari Lilës në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Ky konflikt sinjalizon, mes tjerash, edhe për një ndërrim kursi nga Qeveria Kurti II, ndërrim që ishte kërkuar nga ish kryeministri Avdullah Hoti por edhe eksponentë tjerë të opozitës.

Shefi i së ashtuquajturës Zyre për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Republikës së Serbisë, përmendi emrin e znj. Kusari Lila duke u ‘kapur’ pas një deklarate të saj.

“Kur Mimoza Kusari thotë se kompromisi me Beogradin është i pamundur, kjo do të thotë se Prishtina nuk dëshiron të dialogojë! Alternativa e vetme për dialogun dhe kompromisin janë tensionet në terren, çfarë Albin Kurti edhe dëshiron. Beogradi do të ruajë paqen dhe stabilitetin, pavarësisht ëndrrave ushtarake të Prishtinës!”

I menjëhershëm ishte reagimi i shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, që u shpreh si vijon:

“Ne jemi të gatshëm Petar Petkoviq për një marrëveshje të bazuar në NJOHJE RECIPROKE, siç iu është thënë nga Kancelari i Gjermanisë dhe siç iu është kërkuar nga Parlamenti Evropian. Kur të jeni gati, na tregoni!”

Por, përtej patriotizmit të dyanshëm ky konflikt mund të jetë një sinjal nga të dy palët për një bllokim të ri të dialogut në Bruksel. Sidoqoftë, mund të jetë edhe një ndërrim i kursit nga dialogu teknik në një dialog politik që mësyn marrëveshjen përfundimtare.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është shprehur së fundi që edhe tri-katër marrëveshje të reja ishin gati për t’u nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë.

Së fundi, më 20 qershor, në Bruksel u nënshkrua një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë të viteve 2013 dhe 2015. Ai nënshkrim ishte kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile vetëm për shkak të qëndrimeve të mëhershme të kësaj partie, por jo edhe për shkak të përmbajtjes.

Sidoqoftë, kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi nuk kishte arritur të jepte përgjigje substanciale për marrëveshjen, siç ishte ajo e problemit të shqiptarëve në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Kujtojmë se znj. Kusari Lila nuk ka qenë asnjëherë e përfshirë në procesin e dialogut përkundër që ka qenë pjesë e disa qeverive të Kosovës.

Në anën tjetër, z. Petar Petkoviq ka zëvendësuar në rolin e tanishëm Marko Gjuriqin i cili u dërgua si ambasador i Serbisë në Washington.

Lajme të ngjashme