Dje ishte dita më e ftohtë e shënuar në muajin korrik në 43 vitet e fundit
Që nga viti 1979, në Kosovën e muajit korrik nuk është shënuar mot më i ftohtë se ai i ditës së djeshme.
Sipas Prishtina Weather masat e ftohta ajrore që depërtuan ditën e djeshme mbi rajon, i zbritën ndjeshëm temperaturat nga vlerat mesatare për muajin më të nxehtë veror, korrikun.
“Temperatura maksimale, ditën e djeshme në aeroportin e Prishtinës ishte vetëm 17C, derisa në stacionin personal në lartësi mbidetare prej 680m, në Prishtinë, temperatura maksimale ishte 16.1, e shënuar rreth orës 15.Me këtë temperaturë zyrtare prej 17C, po del që kjo ditë e 9 korrikut ishte më e ftohta e regjistruar në Prishtinë që nga viti 1979, kur edhe atë ditë, sipas vrojtimeve temperatura ishte 17C. E ftohtë ishte edhe dita e 9 korrikut më 1998 me 17.6C, regjistruar në stacionin meteorologjik në Prishtinë”.
Nëse e bëjmë një krahasim me vitet e kaluara, këto temperatura të ulëta në 10-ditëshin e parë të korrikut nuk janë shënuar që nga vitet 2010-2011.
“Krahasuar me vitet e shkuara, këso temperaturash kaq të ulëta në dhjetëditëshin e parë të korrikut, pra nga 1 deri më 10 korrik, nuk janë regjistruar që nga vitet 2011 dhe 2010, kur më 2 korrik të vitit 2011, në aeroportin e Prishtinë temperatura maksimale u ngjit në 18.2C, më 8 korrik 2010 vetëm në 17.5C.
Temperatura maksimale më e ulët në dhjetëditëshin e parë të korrikut, në bazë të shënimeve të vrojtuara, është më 2 korrik të vitit 1975, me 16.1C.
Ndërsa për këtë javë parashihet të mbajë mot jo shumë i ngrohtë, me temperatura maksimale ndërmjet 22C e 25C, por që në bazë të tendencave javën e ardhshme mund të kemi rikthimin e temperaturave të larta që mund të shkojnë deri në 35 gradë celsius.