100 mijë eurot e Komunës së Gjilanit: Paguan 15 euro biletë ditore për rrugën 2-kilometërshe të një nxënësi - NACIONALE

100 mijë eurot e Komunës së Gjilanit: Paguan 15 euro biletë ditore për rrugën 2-kilometërshe të një nxënësi

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Si u bë që vetëm për dy kilometra rrugë, bileta të kushtojë 15 euro? Kjo nuk ka ndodhur në Las Vegas, por në Gjilan, me Kuvendin Komunal që ka paguar gati 100 mijë euro.

Më datën 11 mars të këtij viti, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka nënshkruar një kontratë publike trivjeçare në vlerë prej 98 mijë e 901 eurosh. Kontratë kjo e lidhur me kompaninë transportuese ‘Dritoni’, për bartjen e nxënësve nga disa fshatra të Gjilanit për në shkollë.

Më saktësisht, kontrata nënkupton realizimin e transportit të nxënësve të shkollës fillore nga fshatrat Dunav, Pidiq, Çelik dhe Lagjja e Maliqëve, për në shkollën fillore “Bajram Curri”, në fshatin Shurdhan të kësaj komune.

Në këtë vlerë goxha të madhe, prej afër 100 mijë eurosh, vetëm 62 nxënës janë pjesë e këtij transporti.

Biletat përfshijnë shkuarjen dhe ardhjen, ku çmimi pa dyshim dallon nga kilometrat. Por, ajo që vërehet në këtë kontratë është fryrja e çmimit të biletave. Do të thotë në relacionin nga fshati Çelik për në Shurdhan tek shkolla fillore “Bajram Curri”, janë hiç më shumë se 1.5 km. E për këto kilometra që gjithsej bëjnë 3, me shkuarje e ardhje, një biletë në kontratë kushton 6 euro. Që zakonshëm një biletë për në këtë rrugë, nuk kushton më shumë se 1 euro.

Por, kontrata vazhdon e bëhet më interesante në një detaj tjetër. Në fshatin Dunav është vetëm një nxënës i cili udhëton në kuadër të kësaj kontrate për te shkolla në fshatin Shurdhan. Veç për këtë person paguhet biletë ditore 15 euro për një rrugë 2-kilometërshe brenda Gjilanit. E që normalisht, me një biletë 15-euroshe, mund të shkohet edhe në Vjenë.

Për këtë çmim të stërfryrë, nga komuna thonë se ishte shqetësues në fillim edhe për zyrën e prokurimit. Por, se ishte vendimi i drejtorisë së Arsimit, ai që e dha vulën e fundit.

“Edhe për mua si zyrtare e prokurimit kur e kam pa këtë çmim në fillim, ka qenë shqetësim. Madje e pata ngritë si shqetësim se çmimi është i lartë. Por, komuna e tha fjalën e fundit dhe kontrata u dha për këtë kompani, me këto çmime”, thonë nga zyra e Prokurimit në komunën e Gjilanit.

Ndërsa kompania transportuese ‘Dritoni’ e cila është fituese e kësaj kontrate nga komuna e Gjilanit, thotë se autobusi duhet të shkojë atje vetëm për një nxënës, andaj edhe është ky çmim.

“Po, e vërtetë që është 15 euro bileta veç për një nxënës. Por vetëm për të, punëtori shkon atje. 4 kilometra i ka me shku e me ardhë... Nashta është çmimi pak i naltë, ama çmimi i naftës ka hypë. Punëtori paguhet, autobusi shkon thatë veç për një nxënës. D.m.th. shumë pak fitim ka në këtë farë pune, po kur të hish në valle, duhesh me vallëzu”, tha drejtori i kësaj kompanie, Hysen Zahiri.

Përveç këtyre çmimeve të stërfryra, në këtë kontratë të lidhur nga komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga Alban Hyseni i Vetëvendosjes, i cili ka koalicion me PDK-në, vërehet edhe një detaj tjetër në kontratën e sigurimit, që ka lidhur kjo komunë me kompaninë.

Çmimi i kontratës në letrën e kompanisë së sigurimeve është 9,891 euro, e jo 98 mijë e 901 euro.

Për këtë nuk kanë dhënë detaje nga kompania.

Lajme të ngjashme