Rruga që s’po merr fund: A kanë lidhje vizat me dialogun? - NACIONALE

Rruga që s’po merr fund: A kanë lidhje vizat me dialogun?

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Fillimisht pati optimizëm të madh, më pas nervozizëm me Francën pas disa raportimeve se po e kushtëzon edhe më shumë procesin e heqjes së vizave, ndërkaq në fund, doli Presidenca Çeke e Këshillit Evropian dhe la të kuptohet se ka zhvillime pozitive, por se diskutimet vazhdojnë. Në rrjete sociale pamë shumë reagime. A është dialogu me Serbinë kushti tjetër për heqjen e vizave?

Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së gjatë ditës së enjte ka diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në Kosovë opinioni publik këtë herë pati më shumë besim se kjo çështje do të përfundojë me një rezultat pozitiv, por përfundoi “as ashtu, as kështu”.

A kanë lidhje vizat me dialogun?

Një raportim i Radio Evropë së Lirë, ndonëse deri tani nuk ka asgjë të konfirmuar, se Franca e ka kushtëzuar liberalizimin e vizave me “funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS”, shkaktoi reagime të ashpra në Kosovë.

Ky u pa si një kusht i ri, por pati edhe reagime të tjera që thanë se vizat po kushtëzohen me dialogun Kosovë-Serbi.

Lidhur me këtë çështje, Nacionale bisedoi me profesorin e shkencave politike, Dritëro Arifi, i cili e quajti qesharak dhe aspak serioz kushtëzimin me ETIAS, gjithmonë, nëse konfirmohet se ka ndodhur një gjë e tillë.

“Njëfar lloj, nëse është zyrtar kushtëzimi me sistemin elektronik të sigurisë, është qesharak dhe skajmshërisht joserioz sepse as BE-ja s’e ka implementu. Udhërrëfyesi për heqjen e vizave ka pasur 95 kritere, janë plotësuar të gjitha, ky është edhe raporti i Komisionit Evropian. Mendoj që çdo kriter shtesë është politikë joserioze, diskriminuese dhe raciste ndaj Kosovës. Nuk dueht të shkojë çështja aq thellë, të nxjerren kushte. Nuk mund të dakordohesh për marrëveshje, e më pas të nxjerren kritere shtesë që edhe vendet e BE-së ende s’e kanë implementuar”, tha ai.

Tutje, Arifi për Nacionalen tha se nuk është sekret që dialogu po kushtëzohet përmes vizave. Ai theksoi nëse Bashkimi Evropian vazhdon të tallet me Kosovën, atëherë nuk sheh kredibilitet nga ky bllok.

“Po vërehet, tash nuk është as sekret , është gjithçka publike. BE-ja po mundohet që përmes vizave ta kushtojë Kosovën që ta “ta intensifikojë” dialogun, sipas këndvështrimit evropian. Nëse BE-ja tallet në këtë formë me Kosovën, nuk shoh më asnjë fije kredibiliteti nga BE-ja, në asnjë pikë, në asnjë çështje, nuk e di as si do ta argumentojnë para qytetarëve të BE-së, kjo është diçka për mu e pakuptimtë në rrethanat në të cilat gjendet Ballkani dhe Evropa”, tha ai.

Edhe analisti nga Londra, Afrim Haliti mendon se liberalizimi i vizave ka kaluar nga proces teknik, në proces “puro” politik.

“Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën tashmë është e qartë që ka kalur nga një process teknik në nje proces puro politik. Kosova, për gabimin e partive politike e humbi shansin që të merrte liberalizimin e vizave para 6 vitesh, dhe tashmë po shihet se çka do të thonë veprimet e papërgjegjshme të partive politike karshi popullit Kosovar. Liberalizimi i vizave si proces politik nënkupton edhe vendime që nuk kanë nevojë të arsyetohen as me ndonjë ligj, as me veprime morale por thjeshte vendime që shtyejnë, kërkojnë dhe kushtëzojnë procese apo pazare si kundërvlerë ndaj liberalizimit”, tha ai për Nacionalen.

Sa i përket sistemit ETIAS, për të cilin u raportua sot, ai tha se shumë vende të tjera me demokraci me të mëta, lëvizin lirshëm, duke përmendur Venzuelën.

“Mos të harrojmë që qytetarë vendesh me demokraci hibride, demokraci me të meta dhe vende nën autokraci sot lëvizin lirshëm, pa viza në Bashkimin Evropian. Për shembull qytetarët e Venecuelës, një vend autokratik, sot mund të lëvizin në Bashkimin Evropian pa viza dhe iu kërkohet të aplikojnë për ETIAS sikurse edhe qytetarëve të vendeve tjera vetëm nga nëntori i vitit 2023. Siç thash, procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është proces politik, dhe në rrethanat e sotshme është i lidhur ngusht me proceset nëpër të cilat po kalon sot Kosova, në veçanti me dialogun me Serbinë”, tha ai.

Analisti Haliti tutje Nacionales tutje i përmendi edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, tokat e Manastirit të Deçanit dhe mbarëvajtjen e procesit të dialogut.

“Çështja më problematike është se cilat duken të jenë koncesionet që pala Kosovare duhet t’i përmbushë për ta fituar liberalizimin? Une vazhdoj të mendoj që këto do të jenë ato për të cilat Kosova qysh më parë është marrë vesh, apo ka pasë vendime të Gjykatës Kushtetuese për t’i realizuar siç janë asociacioni i komunave me shumicë serbe, tokat e manastirit të Deçanit, dhe e fundit por ndoshta edhe më e rëndësishmja – mbarëvajtja e procesit të dialogut. Kur këto kushtëzime, e them kushtimisht, përmbushen atëherë liberalizimi si proces politik do të shndërrohet brenda natës në proces teknik dhe liberalizimi i vizave do të na bëhet si dhuratë për ndëgjueshmërinë e treguar. Prandaj është shumë e rëndësishme që asnjë nga përfaqësuesit e partive politike, sidomos nga ajo në pushtet siç ndodhi javen e kaluar të aludoj se dikush mund t’i gëzohet apo jo dështimit të liberalizimit. Liberalizimi i vizave është i rëndësisë shumë të madhe për qytetarët e Kosovës dhe si i tille duhet të nënkuptohet nga të gjitha palet e skenës politike kosovare”, tha ai.

Sa i përket lidhjes së dialogut me vizat, për këtë çështje mbrëmjen e së enjtes foli edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili la të nënkuptohet se nuk ka një gjë të tillë.

“Nuk e di a mund kjo ndërlidhje të jetë implicit qëllimi i ndonjë shteti të BE-së. Në maj të këtij viti një ministri e Francës, ka dërguar një shkresë në Bruksel ku është pyetur Lajçak sa e vlen ndonjë qëndrim, përmes së cilit vizat me dialogun, ose anasjelltas do të ndërlidhen. Unë e kam pa përgjigjen e Lajçak që ka thënë se nëse ka ndërlidhje, atëherë vizat, ndihmojnë dialogun”, tha ai.

Çfarë u tha zyrtarisht pas takimit?

Rezultati i vetëm i arritur siç duket nga takimi i Grupit Punues për Vizat, duket të jetë se “diskutimet do të vazhdojnë”.

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka dhënë pak detaje rreth takimit, në të cilin tha se u prezantua raporti i përditësuar i Komisionit Evropian që rikonfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Më 13 tetor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së e ka mbajtur diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën Çeke. Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e përditësuar teknik për këtë temë i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave”, thuhet në një përgjigje të tyre për Dukagjinin.

Veç kësaj, theksohet se diskutimet do të vazhdojnë pasi që është e nevojshme të sqarohen edhe tema të tjera.

“Grupi Punues e ka mirëpritur rihapjen e diskutimeve mbi këtë temë dhe në përgjithësi e ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. Në mënyrë që të ketë progres në këtë çështje do të jetë e nevojshme që të sqarohen një sërë temash të ndërlidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, vijon përgjigja.

Lajme të ngjashme