Pasdite për Kosovën: Nacionale shpjegon hap pas hapi se çka ndodhë pas miratimit të aplikimit në Këshillin e Evropës - NACIONALE

Pasdite për Kosovën: Nacionale shpjegon hap pas hapi se çka ndodhë pas miratimit të aplikimit në Këshillin e Evropës

1 muaj më parë

nga Leonitë Demaku

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës pritet të mblidhet sot. Çështja e dytë në agjendë, do të jetë pikërisht aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë institucion. Cilët janë hapat e radhës?

Të mërkurën në orën 14:30 pritet të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës.

Raportuesja për Kosovën, Dora Bakojanis do ta prezantojë raportin për aplikimin e Kosovës, siç thuhet në pikën dy:

“Opinion statutor mbi aplikimin për anëtarësim të përcaktuar në letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, në përputhje me Rezolutën Statutore.”

Pas prezantimit të raportit, më pas do të shqyrtohet dhe të miratohet një draft-opinion preliminar mbi çështjen.

Çka më pas?

Siç shpjegoi para pak ditësh një zëdhënës i KiE-së për Nacionalen, pasi Komiteti për Çështje Politike të miratojë një draft të opinionit, dy komitete të tjera, ai për Çështje të Punëve Ligjore dhe ai për Çështje Barazie, do ta japin më pas pikëpamjen e tyre rreth kësaj.

Puna e tri komiteteve së bashku do të debatohet në seancën e Asamblesë, që çon në miratimin e një opinioni të Asamblesë për te Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës.

Vendimi final për aplikimin e Kosovës për anëtarësim merret nga Komiteti i Ministrave.

Çka thuhet në raport?

Fillimisht, sjellim në vëmendje që Kosova e ka plotësuar kriterin e kërkuar që prej aplikimit për anëtarësim në KiE – pranimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që 24 hektarë tokë përreth i takojnë Manastirit të Deçanit.

Kështu, edhe në raportin e siguruar nga Nacionale, i cili datën 22 mars, rekomandohet anëtarësimi i Kosovës.

Në pikën pesë, thuhet se asambleja beson që aspiratat e Kosovës për anëtarësim në KiE, duhet të përmbushen me një përgjigje pozitive.

“Anëtarësimi do të çonte në forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar akses në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës...” – thuhet aty.

Megjithatë, Këshilli i Evropës do të ketë një mbikqyrje më të madhe në zhvillimet e brendshme, siç thuhet në raportin e raportueses Bakojanis.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfaqësonte një moment historik në procesin e integrimit evropian të Kosovës.” – thuhet tutje.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, përmendet plot 27 herë në këtë raport. Asambleja e konsideron të rëndësishëm themelimin e Asociacionit.

Sipas raportit, kjo është një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen dhe fuqizimin demokratik të serbëve të Kosovës, si dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Po ashtu, përmendet se kjo çështje, duhet të përfshihet për “shqyrtim të ardhshëm” nga Komiteti i Ministrave, si një angazhim pas anëtarësimit të Kosovës.

“Kuvendi e konsideron themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe një hap të rëndësishëm dhe një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen dhe fuqizimin demokratik të serbëve të Kosovës dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre. Kuvendi konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si një angazhim pas anëtarësimit për Kosovën.” – shkruan tutje në raport.

Lajme të ngjashme