NZZ: Ironikisht, Kurti po e imiton Vuçiqin - NACIONALE

NZZ: Ironikisht, Kurti po e imiton Vuçiqin

3 javë më parë

nga Leonitë Demaku

“Kokëfortë dhe me vetëbesim”, përshkruhet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një shkrim të publikuar së fundi nga medium i njohur zviceran “The Neue Zurcher Zeitung”. Në këtë tekst, trajtohet se si shefi i qeverisë së vendit po ofendon fuqitë mbrojtëse, pra aleatët. Ecja e vetme kundër Serbisë, i ka kushtuar Kosovës shumë vullnet të mirë në Perëndim, dhe kritikët, paralajmërojnë pasoja në izolim të politikës së jashtme për shtetin më të ri në Evropë. Nacionale e sjell të plotë tekstin e përkthyer.

Qysh në fillim, përshkruhet pamja që secili sheh sapo hyn në Prishtinë:

“Nëse shkon në lindje të bulevardit Bill Clinton në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, do të kalosh eventualisht nga rruga “George Bush”. Nga ana veriore, është një gur për Madeleine Albright”.

Siç shkruan “NZZ”, lidhja me ShBA-në, aleatin më të madh të shtetit më të ri në Evropë, është e fuqishme dhe kjo nuk reflektohet vetëm në emra të rrugëve. Një model i Statusë së Lirisë qëndron në kulmin e një hoteli në Prishtinë. Shtëpia e një ish-zëvendëskryeministri, është e modeluar si ndërtesa e Capitol në Washington.

“Asnjë nga këto nuk është një rastësi. Kosova ka qenë gjithmonë në krye të listës së shteteve me popullin më miqësor të amerikanëve”.

Fjalë të qarta nga Washingtoni

Në thelb, asgjë nuk ka ndryshuar. Por në nivel të Qeverisë, marrëdhënia bilaterale është përkeqësuar shumë. Kosova nuk shihet më si student model nga Ballkani në Washington, e kundërta.

Në fillim të muajit mars, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, foli për një “partneritet të trazuar” me Qeverinë e Kosovës. Paraprakisht, zëvendëssekretari i shtetit, James O’Brien kishte thënë me një ton kërcënues se ShBA-ja do t’i trajtonte si partnerë, vetëm ata që e trajtojnë njëjtë.

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nuk ka lënë dyshime për atë se kë e fajëson për mërzitjen. Escobar së fundi e ka thënë qartë se Qeveria e tij ka problem në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. BE-ja, NATO, por edhe aleatë në rajon si Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë problemin e njëjtë.

Këto janë deklaratat zyrtare. Fjalë edhe më të ashpra fliten prapa dyerve të mbyllura në qarqet diplomatike në Prishtinë.

S’ka konsultim me partnerët

Arsyeja për trazimin me Kosovën ka qenë vendimi për të mos toleruar më importin “jo të rregullt” të dinarit serb. Shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë marrin pensione ose paga në dinarë nga Beogradi, të cilat nuk mund të merren më.

Aleatët perëndimorë nuk e vendosin në pikëpyetje të drejtën e Prishtinës për të kërkuar përdorimin e monedhës, euro. Implementimi i vendimit po kritikohet. Afati i shkurtë dhe informacioni i paktë paraprakisht, kanë shkaktuar vështirësi të panevojshme për popullatën serbe. Kjo më pas, vendosi një “tendosje” në negociatat me Beogradin.

Sidoqoftë, mbi të gjitha, njerëzit janë të shqetësuar nga fakti se Prishtina nuk e ka diskutuar masën paraprakisht me QUINT-in, pesë aleatët më të rëndësishëm: ShBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

Trupat e NATO-s garantojnë siguri

“Veprimet e njëanshme të Kurtit po shkaktojnë frustrim të madh në Perëndim.” – ka thënë njohësi i çështjeve politike Agon Maliqi.

Maliqi tutje përmend edhe NATO-n:

“…sidomos nëse këto kanë një ndikim në situatën e sigurisë, sepse në fund, KFOR-i paguan çmimin për këtë”.

Forca mbrojtëse e NATO-s, është ende garantuesi i fundit i sigurisë së Kosovës.

“NZZ” ka shkruar edhe për situatën e vitit të kaluar. Pas zgjedhjeve lokale majin e kaluar, forcës iu desh të ndërhynte në veriun e populluar me serbë. Pasi shumica bojkotoi zgjedhjet, kryetarët shqiptarë u zgjodhën në komunat me shumicë serbe.

Pavarësisht mungesës së legjitimitetit, Kurti insistoi në vendosjen e tyre, gjë që çoi në protesta të dhunshme. Dhjetëra ushtarë të NATO-s u lënduan.

BE-ja më pas, vendosi sanksione ndaj Prishtinës. Vlera simbolike e këtij hapi është e madhe. Për herë të parë në negociatat e komplikuara mes Beogradit dhe Prishtinës, perëndimi e sheh palën kosovare “të paktën po aq të padurueshme” sa ajo serbe. Dhe kjo, pavarësisht faktit që Beogradi nën presidentin Aleksandër Vuçiq, nuk është aspak konstruktiv dhe vazhdimisht bën kërcënime ndaj Kosovës.

Kurti krijon fakte

Kurti si shumë bashkëatdhetarë të tij, është i frustruar me mungesën e progresit në dialogun me Serbinë. Beogradi në vazhdimësi, kategorikisht refuzon të njohë shtetësinë e Kosovës dhe sistematikisht minon stabilitetin në vend. Një shembull drastik është edhe sulmi nga serbët paramilitarë ndaj zyrtarëve policorë kosovarë në shtator të vitit të kaluar.

Kurti po ashtu, ka pak besim në përpjekjet për ndërmjetësim të perëndimit, dhe aspak në kundërshtarin e tij, Aleksandër Vuçiq. Për këtë, ai përpiqet të krijojë fakte në mënyrë të njëanshme.

Aty ku Serbia ngacmon Kosovën, Kurti vendos masa reciproke. Në vazhdimësi, ai insiston në sovranitetin e plotë të vendit të tij, si për shembull me vendimin për dinarin.

Paraardhësit e Kurtit, po ashtu kishin ndërmarrë veprime vetë në mosmarrëveshjet me Serbinë. I zemëruar, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte vendosur tarifa ndëshkuese prej 100 për qind për importet nga Serbia gjatë vitit 2018. Por, kanalet e komunikimit me partnerët kishin mbetur gjithmonë të paprekura.

Megjithatë, QUINT-i ka pak ndikim te kokëforti, Kurti, i cili refuzon fuqinë e “konsujve Perëndimorë” në Prishtinë vetëm për arsye parimore.

Autizëm politik

Zërat dashamirës e shohin këtë si dëshmi të integritet personal të Kurtit. Kreu i Qeverisë, i burgosur politik nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, s’ka pse të frikësohet nga hetimet për korrupsion apo hetime të tjera.

“NZZ” shkruan për “dyshime” se ish-krerët e Qeverisë janë pajtuar për lëshime pasi ndaj ish-komandatëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “ka pasur dëshmi për krime lufte dhe korrupsion”.

Kurti megjithatë, nuk ka skelete të tilla në dollap.

Me gjithë simpatinë ndaj tij për një Kosovë sovrane që nuk patronizohet nga askush, shumë vëzhgues e akuzojnë Kurtin se është parimor deri në kokëfortësi, sa nuk mund t’i njoh realitetet politike. Fraza kryesore e “autizmit politik të Qeverisë”, sipas mediumit, nuk është e pazakontë.

“Ne nuk jemi ende komplet shtet sovran dhe na duhet përkrahja e Perëndimir.” – ka thënë Lulzim Peci nga Kipred. “Nuk funksionon pa kompromis”.

Kalkulimet për politikë të brendshme

Një prej këtyre realiteteve politike është edhe situata gjeopolitike globale. Lufta në Ukrainë ka sjellur në pah konfliktet e pazgjidhura në Ballkan.

“Perëndimi absolutisht dëshiron të shmang tensione të mëtutjeshme, kështu që Serbia nuk rrëshqet komplet në një kamp rus.” – ka thënë ish-ministri, Petrit Selimi. “Qeveria aktuale nuk e sheh këtë dhe vazhdimisht po i largon partnerët duke ecur vetëm”.

Por, kalkulimet e politikës brenda luajnë një rol po ashtu. Në kampanjën elektorale të para tri viteve, Kurti kishte garuar me një agjendë të reformës së politikës sociale. Për shkak se Qeveria ka pak të tregojë në këtë aspekt, mosmarrëveshjet me Serbinë po bëhen të rëndësishme. Stili konfrontues i Kurtit, është goxha i famshëm mes popullit.

Ironikisht, Kurti po e adopoton një strategji nga armiku i tij kryesor, Aleksandër Vuçiq. Presidenti serb me vite ka shfrytëzuar çështjen e Kosovës për ta larguar vëmendjen nga ankesat në Serbi.

Mbrojtje strategjike

A e fillon një kapitull të ri vendimi i Kurtit për Manastirin e Deçanit? Mediumi përmend se së fundi, kreu i Qeverisë njoftoi se të drejtat për pronësi të 24 hektarëve të manastirit ortodoks serb do të njihen. Tashmë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte dhënë këtë vendim para disa viteve. Sidoqoftë, për shkak të natyres simbolige të sundimit, të gjitha qeveritë deri më tani kishin referuzuar ta implementojnë – pavarësisht kritikave të fuqishme nga Perëndimi.

Kurti nuk ka lënë dyshime se ai e ka marrë këtë vendim vetëm për shkak të këtij presioni. Në të kundërtën, ai do t’i shkatërronte shancat e vendit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Veç kësaj, medium zviceran e përmend se pak pasi u mor vendimi, Qeveria hodhi vaj të ri mbi zjarrin duke larguar shenjat me alfabet cirilik nga popullata e banuar me serbë në veri.

“Nuk shoh asnjë dallim në mënyrën se si mendon Kurti.” – ka thënë analisti politik Peci. Edhe pse, kjo është e nevojshme urgjentisht.

Kosova është nën sanksione nga perëndimi, derisa Vuçiq lëviz shpatën e tij pa u ndëshkuar. “Jemi duke përjetuar një disfatë strategjikë ne politikën e jashtme të Kosovës”.

Lajme të ngjashme